Ndërlidhjet

Kosovë: Jahjaga i uroi besimtarët katolikë për Krishtlindje


Atifete Jahjaga

Atifete Jahjaga

“Në këtë ditë të shenjtë të Krishtlindjes, me respekt ju përcjelli urimet më të përzemërta Juve dhe të gjithë besimtarëve katolikë në Republikën e Kosovës”, thuhet në telegramin e urimit të presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, dërguar Ipeshkvit të Ipeshkvisë së Kosovës, Dodë Gjergji.

Mëtutje, në faqen në Internet të presidencës së Kosovës, theksohet se zonja Jahjaga, ka uruar që “solidariteti, harmonia, mirëqenia dhe mirëkuptimi të mbretërojnë në çdo familje”, dhe shtoi se “në këtë ditë, le të përkujtojmë të gjithë ata që dhanë kontributin e tyre për lirinë, pavarësinë dhe demokracinë e Kosovës”.

“Republika e Kosovës, vlerë themeltare e ka tolerancën dhe mirëkuptim ndërfetar, të ndërtuar e të kultivuar ndër shekuj”, shkruan presidentja Jahjaga në telegramin e saj me rastin e Krishlindjeve.

“Si çdo vit edhe sivjet, kremta e Krishtlindjes sjell mesazhin e paqes dhe të dashurisë midis popujve dhe dashurinë e krijuesit për njerëzimin”, thuhet në telegram, ndërsa në fund, presidentja Jahjaga të gjithë besimtarët katolikë i uron që “Krishtlindjen ta kaloni në atmosferë tolerance, paqeje dhe dashurie me familjet tuaja”.
XS
SM
MD
LG