Ndërlidhjet

Vajzat e liruara të Pussy Riot kritikojnë Putinin


Pussy Riot lirohet nga burgu
Ju lutem prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:00:29 0:00

Lirohet pjesëtarja e grupit Pussy Riot

Pjesëtaret e punk-grupit rus Pussy Riot Nadezhda Tolokonnikova dhe Maria Alyokhina janë liruar të hënë nga burgu, pas hyrjes në fuqi javën e shkuar të ligjit për amnisti.

Tolokonnikova u lirua të hënën nga spitali i burgut, që gjendet në qytetin Krasnoyarsk, pak orë pasi kolegia e saj Maria Alyokhina ishte liruar nga burgu i Nizhny Novgorod.

Në një deklaratë të saj për mediet, Tolokonnikova thirri për bojkot të lojërave olimpike dimërore në Sochi, për të tërheq vëmendjen te shkelja e të drejtave të njeriut në Rusi.

"Ajo që po ndodh tani është masë kozmetike – të lirosh njerëzit që u kanë mbetur vetëm edhe pak muaj burg për të mbaruar dënimin e tyre, të lirosh Mikhail Khodorkovsky të cilit i kishin mbetur edhe pak muaj – e gjithë kjo është qesharake. Një amnisti e tillë duhet të jetë e një shkalle më të gjerë, e mandej shtetet evropiane do të mund të rishikonin qëndrimin e tyre për lojërat olimpike në Sochi".

"Tani, sidoqoftë, unë po ftoj për bojkot, për sinqeritet, po i ftoj të gjithë ne që të mos e shesim veten për këtë naftë dhe gaz që Rusia mund të na jap. Po thirri për një standard human, tradita, dhe zbatimin e rregullave – ato norma që i promovon Evropa. Mandej, sinqeriteti sigurisht se do të fitonte”, tha ajo.

Ajo bëri të ditur se do të angazhohet si aktiviste e të drejtave të njeriut, me një fokus të veçantë për të drejtat e të burgosurve.

"Tani jam më e pjekur. E kam parë këtë gjendje nga brenda, e kam parë këtë makineri totalitare nga brenda. Rusia vërtet është e ndërtuar bazuar në një model të burgut. Prandaj është kaq e rëndësishme që të ndryshojnë këto koloni, në mënyrë që Rusia të ndryshoj vetveten. Kolonitë e burgjeve janë fytyra e shtetit”, tha Tolokonnikova.

Ndërkohë, Alyokhina e cila u lirua e para nga qelia, deklaroi se nuk varej prej saj qëndrimi apo jo në burg, kurse amnistinë e quajti një “marifet” marketingu.

"Nëse do të kisha mundësinë më të vogël për të mos shfrytëzuar këtë mëshirë, sigurisht se nuk do ta bëja. Por urdhrat e dhënë për burgjet ishin zbatuar. Në këtë situatë, unë isha vetëm një trup i cili u lëviz. Asgjë s’varej prej meje. Nëse do të kisha rastin për të refuzuar amnistinë, do ta bëja atë gjë padyshim”, tha ajo.

Alyokhina po ashtu bëri të ditur se ka në plan që pas lirimit të bëhet avokate e të drejtave të njeriut.

"Mendoj se puna në segmentin jo-qeveritar dhe të drejtat e njeriut, është diçka që unë kam për synim të angazhohem. Por metodat që do të përdorim, do të mbesin të njëjta”, shtoi ajo.

Dhoma e poshtme e parlamentit të Rusisë votoi unanimisht javën e shkuar në favor të amnistisë, fal së cilës u liruan edhe Alyokhina dhe Tolokonnikova.

Kjo e fundit është transferuar muajin e shkuar në burgun që gjendet në qytetin siberian Krasnoyarsk, pas hyrjes së saj në grevë urie në shenjë proteste për kushtet ku po mbahej, dhe kërcënimet për vdekje nga zyrtarët në burgun kolonial rus në Republikën e Mordovias.

Alyokhina, Tolokonnikova dhe Yekaterina Samutsevich anëtarja tjetër e punk-bendit Pussy Riot, janë arrestuar në mars të vitit 2012 pasi performuan, atë që e quajtën si “punk-lutje” kundër presidentit rus Vlladimir Putin në Katedralën e Shpëtimtarit në Moskë, në shkurt të atij viti.

Alyokhina dhe Tolokonnikova janë dënuar më vonë për veprën e huliganizmit të motivuar nga urrejtja fetare, për të cilën vepër u dënuan me nga dy vjet burg.

Samutsevich po ashtu u shpall fajtore për këtë vepër, mirëpo u dënua me dy vjet burg me kusht.

Gjykimi dhe dënimi i anëtareve të Pussy Riot ishte kundërshtuar nga qeveritë perëndimore dhe grupet e të drejtave të njeriut, të cilat e dënuan procesin si të tepruar.(f.bujupi)
XS
SM
MD
LG