Ndërlidhjet

Thaçi, Daçiq e Ashton nominohen për Nobel


Ilustrim

Ilustrim

Kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë Hashim Thaç e Ivica Daçiq, dhe Përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton janë nominuar formalisht nga një grup ligjvenësish amerikanë për çmimin Nobel të Paqes për vitin 2014.

Në njoftimin e përbashkët të ligjvenësve Eliot Engel dhe Robert Aderholt, si bashkëkryetarë të grupit të çështjeve shqiptare në Kongres dhe ligjvenësve Ted Poe dhe Emanuel Cleaver, bashkëkryetarë të grupit të çështjeve serbe, thuhet se tre zyrtarët duhen nderuar me çmimin Nobel për rolin e tyre kritik për normalizimin e marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë.

Marrëveshja e prillit e këtij viti, mes dy kryeministrave, siç citon Zëri i Amerikës në gjuhën shqipe letrën e kongresistëve amerikan, shënon një pikë-kthese dramatike për Serbinë dhe Kosovën dhe për gjithë rajonin e trazuar të Ballkanit.

Që nga tetori i vitit 2012, deri në fund të këtij viti, dy kryeministrat janë takuar rreth 20 herë me ndërmjetësimin e zyrtares së lartë të BE-së, duke arritur pajtimin për çështje delikate mes të dy vendeve.

Çështja e fundit për të cilën ata po përpiqen të arrijnë një kompromis është ajo për sistemin gjyqësor në komunat veriore të Kosovës me shumicë serbe.

Emërimet për çmimin Nobel mund të bëhen nga çdo individ ose organizatë e pranueshme për komitetin Nobel, ku përfshihen edhe ligjvenësit.

Komisioni prej 5 anëtarësh që përzgjedh fituesin emërohet nga parlamenti norvegjez.

Afati i emërimit është deri në muajin shkurt dhe fituesit shpallen në tetor.
XS
SM
MD
LG