Ndërlidhjet

Këmbëngulje për ndërkombëtarizim të sportit


Ilustrim

Ilustrim

Kosova ka bërë hapa para në organizimin dhe punën e federatave të sporteve, në Komitetin Olimpik të Kosovës, në rregullimin e infrastrukturës dhe legjislacionin për sportin, por kaptinë në vete dhe e ndjeshme mbetet ndërkombëtarizimi i sportit të Kosovës, vlerësojnë zyrtarët e Qeverisë së Kosovës përgjegjës për sportin dhe përfaqësuesit e Komitetit Olimpik të Kosovës.

Ata thonë se lidhur me këtë çështje, gjatë vitit 2013, kanë punuar me ngulm dhe në koordinim edhe me organizatat përkatëse sportive ndërkombëtare.

Malësor Gjonbalaj, këshilltar politik i ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi, duke folur për Radion Evropa e Lirë, ka theksuar se lidhur me ndërkombëtarizimin e sporteve janë bërë angazhime të mëdha, por duke respektuar legjislacionin ndërkombëtar, i cili vazhdon të jetë barrierë për shkak se shumica e federatave botërore të sportit, sidomos sporteve masive, në statutet e tyre, kanë si kusht anëtarësimin e shtetit në Kombet e Bashkuara.

Në përputhje me këtë legjislacion, ne jemi duke ndjekur hapat e duhur që të thyejmë këtë barrierë. Sidomos, për sportet më komplekse apo sportet më masive, siç është futbolli, basketbolli, hendbolli, për të cilat jemi duke vepruar me ngulm që të thyejmë përfundimisht barrierat dhe ato (federatat) të bëhen anëtare me të drejta të plota".

"Federata e Futbollit ( e Kosovës) sigurisht që e ka pengesë statutin e UEFA-s ( Federata Evropiane e Futbollit), por përpjekjet tona dhe të Federatës së Futbollit të Kosovës janë që lejohen ndeshjet miqësore dhe Kosova të përfaqësohet si shtet. Jemi duke bërë përpjekje dhe po presim që me 10 deri 13 janar të vendohet diçka në këtë drejtim”, ka theksuar Gjonabalaj.

Ai ka shtuar se megjithatë barrierat që ka sporti kosovarë për ndërkombëtarizim, nuk kanë munguar sukseset, qoftë të individëve qoftë të federatave sportive.

Mendim të ngjashëm ka edhe Besim Hasani, drejtues i Komitetit Olimpik të Kosovës.

Ai vlerëson se ndër momentet e rëndësishme për ndërkombëtarizimin e sportit gjatë këtij viti janë pranimi i Federatës së Taekwondo-së të Kosovës dhe i Federatës së Pentatlonit Modern të Kosovës në federatat gjegjëse ndërkombëtare, si dhe përfaqësimi i disa sportistëve kosovarë në arenën ndërkombëtare.

“Kjo ndërlidhet edhe me përafrimin e ndërkombëtarizimit të vet Komitetit Olimpik të Kosovës me Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, plotësimit të atyre kritereve që janë të parapara me Kartën Olimpike, që së paku pesë federata të Kosovës të jenë të anëtarësuara në federata ndërkombëtare. Ndërsa, ne tashme kemi arritur këtë numër në 12, gjatë prej tyre me të drejta të plota dhe gjatë me të drejta të përkohshme".

"Pjesa më e ndritur e gjithë kësaj është përfaqësimi dinjitoz i sportistëve të Kosovës në arenën ndërkombëtare. Këtu kam parasysh Majlinda Kelmendin, e cila u stolis me medaljen e artë në kampionatin botëror (të xhudos) dhe që ishte rezultati më i mirë i të gjitha kohërave”, shprehet Hasani.

Hasani ka shtuar se suksese në arenën ndërkombëtare ka shënuar edhe Federata e Boksit e Kosovës, përmes sportistëve të saj, dy prej të cilëve u plasuan ndër më të mirët e Kampionatit Botëror të Boksit, ndërkaq, boksieri Armend Xhoxhaj, u kualifikua në mesin e 16 më të mirëve të këtij kampionati.

Ndryshe, Gjonbalaj thekson se ministria përgjegjëse për sportin, por edhe federatat e sportit, do të vazhdojnë edhe në vitin e ardhshëm angazhimin e përkushtuar për ndërkombëtarizimin e sporteve të Kosovës.

“Sigurisht që e kemi një barrierë të madhe përpara, siç është ndërkombëtarizimi ose mos ndërkombëtarizimi i sportit kosovarë që po bëhet padrejtësisht dhe jo me fajin tonë. Por ne jemi këtu për të punuar, sigurisht, në kuadër të kompetencave dhe legjislacionit në fuqi, në kuptimin që ta thyejmë këtë barrierë".

"Jam shumë i bindur që do ta thyejmë sepse jemi në të drejtën legjitime, në frymën sportive dhe po kërkojmë një të drejtë elementare njerëzore, që të jemi të barabartë. Jemi duke punuar me ngulm dhe jam shumë optimist që këtë do ta arrijmë, sigurisht duke pasur parasysh edhe që kemi të bëjmë me legjislacione të federatave ndërkombëtare që janë strikte, por ne nuk do të ndalemi”, thotë Gjonbalaj.

Megjithatë, Hasani vlerëson se energjia e institucioneve qeveritare, por edhe federatave sportive, përfshirë edhe Komitetin Olimpik të Kosovës, duhet të jetë e orientuar në dy drejtime, ndërkombëtarizim, por edhe zhvillim të brendshëm të sporteve.

“Nganjëherë, fokusimi vetëm në arenën ndërkombëtare ose energjia kaq e lartë në ndërkombëtarizim të sportit, na ka lënë prapa në aspektin e punës brenda, në ngritjen e kapaciteteve të trajnerëve, referëve dhe sportistëve. Kjo duhet të jetë më e balancuar, sepse duhet që, së paku, t’i përmbushim dy apo tre prej këtyre kritereve që nevojiten për të dëshmuar tërë talentin e sportistëve të Kosovës në arenën ndërkombëtare”, thekson Hasani.

Ai thotë se gjithashtu nevojiten mjete më të mëdha financiare për sportin, qoftë nga qeveria qendrore, qoftë nga ato lokale, por edhe nga sponsorët dhe donatorët, për faktin se sportistët dhe trajnerët e tyre e kanë karrierën e shkurtë.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG