Ndërlidhjet

Egjipt: Vëllazëria Myslimane u shpall organizatë terroriste

  • RFE /RL

Pamje nga shpërthimi në Egjipt

Pamje nga shpërthimi në Egjipt

Kryeministria e Egjiptit e ka shpallur Vëllazërinë Myslimane për organizatë “terroriste”.

Këtë njoftim e ka bërë një zëdhënës i kryeministrit të Egjiptit, Hazem Beblawi, vetëm disa orë pasi një makinë-bombë ka shpërthyer afër një stacioni të policisë në qytetin Mansoura, në veri të kryeqytetit Kajro.

Raportohet se së paku 14 vetë janë vrarë dhe më tepër se 100 të tjerë janë plagosur nga ky sulm, që po ashtu e ka shkaktuar dëme materiale.

Megjithatë, Vëllazëria Myslimane nëpërmjet një kumtese e ka dënuar sulmin “me shprehjet më të ashpra të mundshme”.

Për këtë sulm, Zyra e kryeministrisë së Egjiptit e ka fajësuar Vëllazërinë Myslimane.

Ky sulm u bë vetëm një ditë, pasi grupi i quajtur Ansar Beit al-Magdis, tha se forcat e sigurisë së Egjiptit konsideronte janë “pa fe” meqë i janë nënshtruar qeverisë së përkohshme sekulare, të mbështetur nga ushtria e Egjiptit.

Ministri i brendshëm i këtij vendi, Mohammad Ibrahim, në deklaratën e tij në Televizionin e Egjiptit, pasi e kishte vizituar vendin e sulmit në Mansoura, në një referencë për Vëllazërinë Myslimane, tha se forcat e sigurisë do t’i sjellin para drejtësisë “forcat e errëta terroriste”, që po përpiqen ta destabilizojnë Egjiptin.

“Të hënën ne i kemi arrestuar katër aktivistë, që i kanë pranuar disa nga këto incidente dhe ata tash janë të vetëdijshëm se ne po ndërmarrim masa kundër tyre. Të gjitha këto incidente janë përpjekje për diversion dhe për terrorizim të popullit para referendumit kushtetues, të paraparë për janar të vitit 2014".

"Por, dëshiroj ta siguroj gjithë popullin se ekziston plani për bashkëpunim me forcat e armatosura për t’i mbrojtur të gjitha qendrat e votimit në nivelin më të lartë. Me ndihmën e Zotit, kjo ditë do të kaloj në mënyrë paqësore”, tha ministri i brendshëm i Egjiptit, Mohammad Ibrahim.

Vëllazëria Myslimane ishte fajësuar për shumë sulme, cak i të cilave ishin forcat e sigurisë, prej se ushtria e ka përmbysur presidentin islamist, Mohammad Morsi, në korrik të këtij viti.

Banorët e qytetit Mansoura e kanë shprehur zemërimin e tyre kundër Vëllazërisë Myslimane.

Banorja e këtij qyteti, Shaimaa, e ka fajësuar Vëllazërinë Myslimane për sulm me bombë dhe ka kërkuar që ky grup ta ndalë ndërmarrjen e akteve të dhunës në këtë qytet.

“E gjithë kjo shkon kundër Zotit, vrasjet dhe shkatërrimi, dhe kjo i shkatërron edhe jetët e njerëzve. Para më tepër se një javë, një shofer i taksisë dyshohet se është vrarë nga Vëllazëria Myslimane. Çdokush është në depresion, askush nuk mund të bëjë gjumë të rehatshëm. Ne vetëm dëshirojmë siguri. Kjo nuk është islamike. Kjo nuk është drejtësi”, tha banorja e qytetit Manosur, Shaimaa. (f. bujupi)
XS
SM
MD
LG