Ndërlidhjet

logo-print

Maqedoni - Të ndriçohen ngjarjet e 24 dhjetorit


Protesta në Shkup

Protesta në Shkup

Një grup qytetarësh dhe disa organizata joqeveritare, të martën para Kuvendit të Maqedonisë kanë organizuar protesta me rastin e shënimit të 1 vjetorit të ngjarjeve të 24 dhjetorit, siç i kanë quajtur e “E hëna e zezë”, ditën kur me dhunë u nxorën nga Kuvendi deputetët e opozitës maqedonase meqë tentuan të bllokojnë punën e parlamentit gjatë miratimit të buxhetit.

Të njëjtën ditë u larguan me forcë edhe gazetarët të cilët ishin duke e përcjellë këtë ngjarje.

Xhabir Deralla, nga iniciativa qytetare CIVIL, ka sqaruar se protesta mbahet nën moton “Të tregojmë se nuk kemi harruar dhe nuk dorëzohemi - Lufta vazhdon!”, duke kërkuar nga Kuvendi të zbardh tërësisht ngjarjet e 24 dhjetorit 2012 si dhe të gjithë ata që ushtruan dhunë të përballen me drejtësinë.

“Maqedonia atë dit ka humbur demokracinë, ka humbur lirinë e shprehjes, ka humbur qytetarinë. Gjatë këtij viti vendi është radhitur disa shkallë më poshtë në listat e institucioneve relevante ndërkombëtare që kanë të bëjnë me lirinë e të shprehurit dhe të drejtat e njeriut”, ka deklaruar Deralla.

Ndërkaq, deputetë e opozitës maqedonase të Lidhjes Demokrate të Maqedonisë, me një minutë heshtje të kthyer me shpinë kah zyra e kryetarit të parlamentit kanë shënuar një vjetorin e këtyre ngjarjeve.

I veshur me bluzë të bardhë me mbishkrimin “Liri”, lideri i opozitës maqedonase Zoran Zaev, ka theksuar se është e domosdoshme nxjerrja para drejtësisë e të gjithë atyre që janë fajtorë dhe kanë përgjegjësi për shkeljen e Kushtetutës dhe të Ligjit.

Zaev, me këtë rast ka apostrofuar kryeministrin, kryeparlamentarin, ministren e Brendshme dhe ministrin e Financave si aktorët kryesorë të ngjarjeve të 24 dhjetorit, me atë që iu dha një goditje demokracisë së brishtë të Maqedonisë me qëllim që të ekzistojë udhëheqësi dhe regjimi.

Miratimi i buxhetit të mëparshëm në mënyrë jo kushtetuese ishte vetëm tregues për krimin, ndërsa qëllimi ishte që të udhëhiqet pa pengesa në mënyrë që të pasurohen individët”, ka deklaruar Zaev.

Por, me këto konstatime nuk pajtohet partia maqedonase në pushtet VMRO DPMNE sipas së cilës deklaratat e opozitës janë trampolinë e ish liderit të LSDM-së Branko Cërvenkovski, deklarata këto të cilat një vit më parë iniciuan dhunën në Parlamentin e Maqedonisë.

Partia e kryeministrit Nikolla Gruevski përmes një reagimi me shkrim ka theksuar se "Kjo konferencë për shtyp, përveç që tregon se nën kontroll të kujt është Zoran Zaevi, gjithashtu tregon edhe sa ndonjëherë natyra njerëzore di të ikë, duke i nënvlerësuar qytetarët dhe duke u premtuar kodra dhe lëndina" .

Sot ka reaguar dhe Sindikata e Pavarur e Gazetarëve dhe e Punonjësve të Medias, me ç'rast ka rikujtuar se një vjet pas ngjarjeve të 24 dhjetorit, nuk janë identifikuar përgjegjësit për dëbimin nga galeria e sallës plenare të gazetarëve dhe fotoreporterëve.

Përmes një reagimi me shkrim, Sindikata vlerëson se me dëbimin e gazetarëve është shkelur Kushtetuta dhe se, fatkeqësia më e madhe që cenon funksionimin e shtetit juridik është fakti se edhe përkundër këtij veprimi të policisë, asnjë zyrtar deri më tani nuk ka mbajtur përgjegjësi.
XS
SM
MD
LG