Ndërlidhjet

Mesazhe paqeje dhe kritika për gjendjen e rëndë


Katedralja Nëna Terezë, Prishtinë

Katedralja Nëna Terezë, Prishtinë

Lutjet dhe leximet e vargjeve biblike, mesazhet e paqes, dashurisë, tolerancës dhe mirëkuptimit ndërnjerëzor, por edhe kritikat lidhur me vlerat morale dhe gjendjen e përgjithshme të krijuar në Kosovë, kanë përshkuar të mërkurën pas mesnatës meshën tradicionale në katedralen katolike “Nëna Terezë” në Prishtinë, e cila ka shënuar Festën e Krishtlindjes.

Në praninë e qindra besimtarëve katolikë, por edhe qytetarëve të besimeve të tjera, që ishin në katedralen katolike “Nëna Terezë”, meshën e Krishtlindjes e ka drejtuar Ipeshkvi i Kosovës, Dodë Gjergji.

Ai i ka uruar besimtarët katolikë për Festën e Krishtlindjeve dhe është lutur për paqe dhe dashuri ndërmjet njerëzve.

“Vëllezër dhe motra shumë të dashur, duke ju dëshiruar të gjithë juve dhe gjithë njerëzve vullnetmirë paqe, dashuri, gëzim familjar, mirëqenie, shëndet dhe jetë të gjatë, ju uroj Festën e Krishtlindjes dhe ju përcjell bekimet e mia për vitin që po vjen”, ka thënë Dodë Gjergji.

Ipeshkvi i Kosovës gjithashtu i ka përkujtuar kosovarët në përgjithësi, me një dozë të kritikës, për përvojat nëpër të cilat kanë kaluar shumë vite më parë, përderisa Kosova ishte e okupuar.

Ai ka theksuar se sot, kur vendi është i lirë dhe me një rend demokratik, ngjallet malli për dashurinë e dikurshme, kujdesin njerëzor, miqësitë, ngrohtësitë familjare dhe idealet sublime. Të gjitha këto, ipeshkvi i Kosovës i ka quajtur “pasuri” që kosovarëve ua mundësuan “të ngriheshin mbi kufijtë e lirisë së burgosur dhe të zbrisnin nën të drejtat e shtypura për të arritur te zemrat e njëri-tjetrit”.

“Sot na ka kapluar trishtimi pranë të mirave të shumta dhe mundësive të vogla për t’i pasur ato; pranë një shteti të së drejtës ku ka gjyq e ligj, por që vështirë arrihet te drejtësia; pranë një shoqërie ku të fortit kanë mundësi, punësim, pasuri, të drejta dhe liri, kurse të tjerët janë të detyruar të jetojnë fatin e varfërisë së tyre. E, varfëria shumëdimensionale po e përbuz dinjitetin e shumë njerëzve, të vëllezërve dhe motrave tona”, ka thënë Dodë Gjergji.

Ai ka kritikuar ashpër situatën, në të cilët qytetarët janë të detyruar të jetojnë nën dinjitetin e tyre.

“Si është e mundur që kur kemi kaq shumë liri dhe të drejta, të jemi të mbyllur brenda mureve të egoizmit dhe të urrejtjes, të kemi zbritur nën dinjitetin njerëzor për të ikur nga përgjegjësia e dashurisë për njëri-tjetrin? Kjo gjë na ndodh për shkak se Zotin e duam, por nuk e lejojmë të na i ndryshojë zemrat. Lirinë e duam, por nuk kemi mësuar akoma që liria dhe të drejtat arrihen me dashuri dhe respekt ndaj tjetrit. Jetojmë në paqe, por na mungojnë hiret dhe virtytet. E kur mungojnë hiret dhe virtytet, paqja dhe liria e humbin kuptimin e vet”, ka thënë Dodë Gjergji.

Ndryshe, gjatë gjithë ditës së djeshme, por edhe sot, fryma e Festës së Krishtlindjes i ka përshkuar qytetet e Kosovës. Në kryeqytetin e saj, Prishtinë, hapësirat publike janë dekoruar dhe stolisur me bredhat tradicionalë te festave të fundvitit.

Shumica dërrmuese e popullatës së vendit i përkasin besimit islam, por qytetarët e Prishtinës vlerësojnë se Festa e Krishtlindjes mbetet tradicionale te shqiptarët e Kosovës në përgjithësi.

Qytetarët që i takojnë besimit islam i urojnë bashkëkombësit e tyre katolikë e madje kremtojnë së bashku. Kështu thotë edhe Faton Berisha, i cili kishte dalë në sheshin “Nëna Terezë” që ta shijonte atmosferën e kremtes.

“Ka mbetur si një lloj tradite që nga paralufta këtu në Prishtinë, dalin nëpër kafiteri, nëpër restorante dhe rinia, sidomos, me shokët dhe shoqet që i kanë të fesë katolike, dalin dhe të gjithë e festojnë, i urojnë njëri-tjetrit. Ashtu sikurse edhe unë dhe fëmijët e mi që kemi shoqëri të fesë katolike dhe edhe ata na urojnë për festat tona fetare. Njëjtë, edhe ne i urojmë Krishtlindjet. Përveç zbukurimeve që shihen nëpër qytet, është ajo atmosfera festive e Krishtlindjeve, sidomos sonte”, thotë Berisha.

Zyrafete Berisha, nje grua e moshuar nga Prishtina, e cila i takon besimit islam, thotë se te shqiptarët njihet si virtyt toleranca ndërfetare dhe nisur nga kjo, festat i kanë të përbashkëta, pavarësisht cilit religjion i takojnë.

“Pavarësisht se a janë myslimanë apo të krishterë, çdo herë i kemi uruar Krishtlindjet. Festat janë të përbashkëta. Ka tolerancë fetare. Edhe neve që jemi myslimanë, ata na japin përkrahje. Kjo është normale gjithmonë. Ja, unë i kam fqinjët dhe ata vijnë te unë. Edhe unë i uroj ata dhe festojmë së bashku”, thotë Zyrafetja.

Valon Kuliqi, student nga Prishtina, thotë se kremtja e Krishtlindjes është festë zyrtare në Kosovë. Por, sipas tij, nuk është ky fakti që i bën shqiptarët e Kosovës në përgjithësi ta kremtojnë këtë festë, por toleranca ndërfetare si dhe ndërnjerëzore në vend.

“Ka atmosferë festive edhe pse është numër i vogël i këtij besimi (katolik). Përkundër kësaj, edhe pse përqindja më e madhe është myslimane, ajo urohet si festë e tyre. Do të thotë ka tolerancë ndërfetare ashtu siç ka qenë dhe siç njihemi ne si popull. Ashtu edhe sot kjo respektohet, njerëzit e respektojnë fenë e secilit”, shprehet Kuliqi.

Lidhur me festën e Krishtlindjes, besimtarët katolikë të Kosovës i kanë uruar edhe krerët e lartë të institucioneve të Kosovës. Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, në urimin e saj ka theksuar se “ kremtja e Krishtlindjes sjell mesazhin e paqes dhe të dashurisë midis popujve dhe dashurinë e krijuesit për njerëzimin”.

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në urimin e tij ka theksuar se Festa e Krishtlindjes bart në vete “mesazhin e paqes, të lindjes, mbarësisë dhe humanizmit, vlera këto të njerëzimit, që i bashkojnë mendjet e shpirtrat për një të ardhme më të ndritur për brezat që vijnë”.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG