Ndërlidhjet

WP: Përse Sudani Jugor ka eksploduar në dhunë


Pamje nga Sudani Jugor
Pamje nga Sudani Jugor
Si një shtet i varfër dhe i varur nga nafta, me histori të gjatë të konfliktit të dhunshëm dhe me fqinjin armiqësor në veri, sfidat e pas pavarësisë së Sudanit Jugor gjithnjë ishin të mëdha, shkruan në fillim të artikullit e përditshmja Washington Post, duke shpjeguar se ka pasur më tepër shpresë se me udhëheqje të mençur, me qeveri të matur të bërjes së politikës dhe ndihmë të sinqertë nga jashtë, Sudan Jugor, do të mund t’i shmangej disa krizave të pas pavarësisë, që i kishin goditur vendet e tjera afrikane.

Tragjikisht, derisa po dëshmohet me ngjarjet e dhunshme, që kanë ndodhur gjatë 10 ditëve të kaluara, Sudani Jugor është bërë viktimë e burimit më shkatërrues të dështimit të shtetndërtimit në Afrikën e pas kolonializmit, e që është kurth e luftës me grusht-shtet civil.

Kjo kurthë, shkruan Washington Post, lind kur institucionet politike janë të dobëta dhe grupet etnike janë të forta. Dhuna është e shpërndarë në mesin e Njerëzve të Mëdhenj, që janë të përfshirë në grupe të ndryshme etnike dhe mbështeten nga ato.

Por, përfitimet ekonomike kryesisht nxirren nga kontrolli ndaj qeverisë qendrore. Nën kushtet e këtilla, paqja është e mundshme mbi bazë të ndarjes së pushtetit, në të cilën, sunduesi krijon aleanca me Njerëzit e Mëdhenj rivalë.

Këto aleanca i mundësojnë sunduesit ta mobilizoj mbështetjen dhe të mbledhë informacione jashtë grupit të vet etnik, që në anën tjetër ndihmojnë në sigurimin e paqes dhe parandalimin e luftës civile, shkruan Washington Post.

Por, rreziku potencial është se në ndarjen e pushtetit me rivalët etnikë, sunduesi lejon që të mbetet i ndjeshëm ndaj grusht-shtetit. Këtu qëndron vështirësia: zgjidhja politike për luftën civile në këto shtete të dobëta i rritë kapacitetet e grupit rival për ta fituar autoritetin me goditje të papritur.

Me shprehje teknike, ndarja etnike e pushtetit nën hije të grusht-shtetit i mundëson rritje problemit të përkushtimit, në të cilin sunduesi frikësohet se rivalët i japin atij mbështetje vetëm për ta pozicionuar më mirë vetveten për marrjen eventuale të autoritetit në të ardhmen.

Në masë të gjërë kjo është ajo që po ndodhë në Sudanin Jugor gjatë periudhës së kaluar. Presidenti i Sudanit Jugor, Salva Kiir, ka ndjerë kërcënim në rritje nga një numër i shokëve të tij në Lëvizjen Popullore për Çlirim të Sudanit, e veçanërisht nga zëvendëspresidenti, Riek Machar, i cili nuk ka bërë pretendime për ambiciet e tij për pushtet.

Presidenti Kiir ka synuar ta dobësoj ndikimin dhe fuqinë e Macharit, duke ia marrë Macharit autoritetin e tij dhe duke e shkarkuar atë nga posti i zëvendëspresidentit, së bashku me gjithë kabinetin.

Kur dhuna shpërtheu ndërmjet grupeve rivale në gardën presidenciale, më 15 dhjetor, presidenti Kiir u përpoq ta eliminoj kërcënimin e brendshëm, që vinte nga Machari, njëherë e përgjithmonë, duke e arrestuar ose vrarë atë së bashku me kundërshtarët e tjerë të presidentit, siç është sekretari i përgjithshëm iLëvizjes Popullore për Çlirim të Sudanit, Pagan Amun.

Duke i ikur për pak ndjekjes së Kiirit, dhe duke u larguar nga kryeqyteti Juba, Machar tash po synon t’i mobilizoj rrjetet e tij të mbështetësve, e veçanërisht ata në mesin e bashkëkombësve të tij etnikë Nuer, në rajonin e tij, për përpjekje për rimarrje të pushtetit me kryengritje të armatosur.

Kjo rrugë për përmbysjen e regjimit dhe luftës civile potenciale nuk është unike për Sudanin Jugor; në fakt zhvillimi i ngjarjeve është pothuajse identik me ato që çuan në luftën civile në Çad dhe në Liberi në vitin 1989, dhe në Kongo, në vitin 1998, shkruan Washington Post.

Të gjitha luftërat civile janë tragjike, por i tillë është veçanërisht ky konflikt i armatosur në Sudanin Jugor. Jo vetëm për shkakun se shumë banorë të Sudanit Jugor, që kishin shpresuar dhe ishin lutur se pavarësia do të shoqërohej me paqe dhe zhvillim, tash përsëri nga frika largohen nga shtëpitë e tyre, siç kanë bërë shumë herë në të kaluarën, shkruan pos tjerash, e përditshmja Washington Post, në një artikull të gjatë.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG