Ndërlidhjet

logo-print

Arsimi në 2013-n, status quo apo përparim?


Ilustrim

Ilustrim

Sistemi i arsimit, edhe gjatë vitit të kaluar është përballur më shumë sfida dhe vështirësi, edhe pse përpjekjet në këtë drejtim nuk kanë munguar, thonë autoritetet kompetente.

Të degraduar e kanë vlerësuar sistemin e arsimit shumë herë gjatë vitit 2013, përfaqësues të subjekteve opozitare në vend dhe ekspertë të kësaj fushe, pasi sipas tyre, ky sistem është politizuar nga niveli fillor e deri tek ai universitar.

Sidoqoftë, zyrtarë të Ministrisë se Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, tregojnë përparimet dhe sfidat që kanë përcjellë këtë fushë viti 2013.

Nehat Mustafa, zëvendësministër i Arsimit, thotë se shumica e planifikimeve nga kjo ministri për vitin 2013 janë realizuar.

Ai përmend fillimin e pilotimit të korikulit të arsimit para universitar, si dhe investimet kapitale si në infrastrukturë po ashtu edhe në zhvillimin profesional të mësimdhënësve, si dhe licencimin e mësimdhënësve.

Sipas tij, rreth 24 milionë euro gjatë 2013 janë shpenzuar për investime kapitale, mbi 5 milionë euro janë harxhuar në fushën që ndikojnë në rritjen e cilësisë se arsimit.

Të arritur kryesore gjatë vitit që lamë pas, ai konsideron licencimin e mësimdhënësve.

“Sistemin e licencimit të cilin e ka ngritur Republika e Kosovës, është një model që tani ka filluar të jetë atraktiv edhe për vendet tjera, si Shqipëria, Maqedonia dhe vendet tjera të Ballkanit. Për dallim prej tyre, që kanë vetëm një leje pune, ne kemi mundësi për përparim në karrierë, sepse i mundësohet çdo mësimdhënësit se nëse i arrin rezultate e parapara në udhëzim administrim, ata mund të kalojnë nga një shkallë e licencës në shkallën tjetër dhe janë katër shkallë të licencës. Çdo kalim nga një shkallë në shkallën tjetër të licencës do të shoqërohet më rritje pagash prej 10 për qind”, thotë Mustafa.

Sistem i shoqëruar me stabilitet dhe tronditje, e konsiderojnë përfaqësues të sindikatës se arsimit vitin 2013, sa i përket të arriturave dhe sfidave në fushën e arsimit.

Ali Shabani, udhëheqës i Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, nuk e mohon faktin se ka pasur disa ndryshime pozitive duke përmendur licencimin e mësimdhënësve.

Por, sipas tij, korrupsioni, keqpërdorimet, abuzimet, kanë qenë evidente edhe gjatë vitit që lamë pas.

“Është folur shumë për cilësinë në sistemin arsimor, edhe pse ka filluar pilotimi i cilësisë në sistemin arsimor, ende nuk ka marrë atë formën e prerë për t'u vlerësuar komplet puna dhe aktiviteti, me qëllim që të ndërrohet ky standard në nivelin e arsimit për të krijuar një cilësi tjetër. Problem tjetër është se nuk kemi arritur që të nënshkruajmë një kontratë kolektive edhe pse është dorëzuar që dy vite. Si dhe nuk kemi arritur që të ndryshojmë sistemin e pagave edhe pse ka qenë kërkesë e jonë”, shprehet Shabani.

Por, Nehat Mustafa, nuk i anashkalon edhe sfidat gjatë vitit 2013.

Pushtet komunale të arsimit, thotë ai, nuk kanë kuadër të mjaftueshëm, që të realizojë të gjithë politikat e reja që është duke bërë ministria e arsimit, nuk janë pajisur të gjitha shkollat më laborator, pastaj një numër i mësimdhënësve nuk po arrijnë që të përvetësojnë metodat e reja.

Sfidë tjetër, sipas Mustafës, është politizimi i disa shkollave.

“Ne vazhdimisht jemi duke potencuar në pushtetet komunale, është kërkesa jonë për depolitizimin e shkollave. Kërkesa jonë për depolitizimin e shkollave që pushtet komunale në qytete të ndryshme të qëndrojnë sa më larg politizimit të shkollave”, thekson Mustafa.

Ky problem shumë shpesh është ngritur edhe nga ekspertë të arsimit por edhe përfaqësues të sindikatës se arsimit.

Dukagjin Pupovci, nga Qendra për Arsim e Kosovës, thotë se në shkollat e Kosovës nuk merret për bazë aftësia profesionale e kandidatit potencial, por prioritet në konkurse mbetet dëgjueshmëria dhe përfaqësimi i interesave të partisë në pushtetin lokal.

Unë mendoj se arsyeja qëndron në faktin se komunat duan të kenë kontroll mbi shkollat, pasi ato janë në varësi të komunave. Shkollat, përveçse punësojnë një numër të caktuar të kuadrit, që janë punonjës publik dhe bartës të komunës, ato janë edhe qendra votimi”, shprehet Pupovci.

Sidoqoftë, sa i përket nivelit të cilësisë, që viteve të fundit ka qenë i debatueshëm, Nehat Mustafa, nga Ministria e Arsimit, thotë se instrumentet më të cilat vepron ministria flasin se ka ngritje të cilësisë në arsim, por jo në nivelin e dëshiruar.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG