Ndërlidhjet

Në Kosovë nuk ishte diskutuar gati asnjëherë nga institucionet e Kosovës për menaxhimin e parasë. Qytetarët kishin shumë pak njohuri rreth administrimit të parave të tyre.

Radio Evropa e Lirë përmes rubrikës “Vetëmenaxhim”, që kishte për fokus këtë problematikë, përgjatë pesë muajve në 10 edicione solli këshilla, vlerësime të shumta nga ekspertë të ekonomisë, përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare mbi menaxhimin e parasë.

Në vazhdim po ju sjellim një përmbledhje të shkurtër nga ajo se çfarë kanë këshilluar ekspertët për menaxhimin më të mirë të parasë.

Nuk mund të thuhet se qytetarët e Kosovës nuk kanë traditë me paranë në raport me shtetet tjera, e sidomos me vendet e rajonit, por kur bëhet fjalë për menaxhim të duhur të saj, kosovarët dinë shumë pak.

Kjo më së miri shihet nga pasojat që kanë familjet kosovare, qoftë në mungesën e parave, ose në forma të ndryshme kur ata bien në pozita të palakmueshme.

Mënyrën e menaxhimit të parasë, kosovarët e marrin si përvojë nga prindërit ose i imitojnë të tjerët, e më së paku e marrin si edukim elementar që është dashur ta kenë, siç e kanë të gjitha vendet tjera.

Në shtetet e zhvilluara, sa i përket funksioneve të parasë dhe mënyrës së menaxhimit të saj, edukimet e para i fillojnë qysh në mësimet parashkollore. Në çerdhet e fëmijëve mësojnë lidhshmërinë elementare të ofertës dhe kërkesës, mungesës së parasë, shfrytëzimit të tyre, qarkullimit dhe ndërtimin një portofoli.

Edukimi për menaxhimin e parasë vazhdon pastaj në shkollimin e lartë, kudo që ata studiojnë.

Në këtë përmbledhje të rubrikës Vetëmenaxhim, do të ju sjellim disa nga praktikat më të mira të menaxhimit të parasë, që kanë dhënë ekspertët e ekonomisë si dhe rreth shpenzimeve të ekonomive familjare.

Mesatarisht në vitit konsumi i përgjithshëm tek ekonomitë familjare është mbi 7 mijë euro, apo për muaj shpenzojnë mesatarisht 584 euro. Sa i përket konsumit të ekonomive familjare, pesë kategoritë kryesore e janë ushqimi, banimi, transporti, veshmbathja, si dhe alkooli dhe duhani.

Pjesa më e madhe e buxhetit të ekonomive familjare shfrytëzohet për ushqim dhe pije joalkoolike, që do të thotë në kuadër të mbi 7.000 mijë euro, shpenzojnë rreth 3 mijë euro, vetëm për ushqim.

Profesori i Universitetit të Prishtinës për menaxhimin e financave, Berim Ramosaj në disa nga temat e rubrikës Vetëmenaxhim kishte dhënë këshilla për dëgjuesit, por ashtu Ramosaj iu ishte përgjigjur edhe pyetjeve të dëgjuesve të Radios Evropa e Lirë.

Më njërën nga vlerësimet e tij për menaxhimin e parasë ai ishte shprehur:

“Menaxhim bëhet në të gjitha fushat, në këtë rast edhe me paratë. Menaxhimi i parasë do të thotë orientim në mënyrë të vetëdijshme. Nëse është fjala për familje, është 'nikorqillëk', nëse është fjala për ndërmarrje prodhuese, është për të qenë prodhueshmëria e mirë, nëse është fjala për bankë, ka të bëjë me një raport të mirë mes të hyrave dhe të dalave".

"Nëse arrijmë ne qytetarët e Kosovës t’i edukojmë që në mënyrë të vetëdijshme, qoftë t’i shpenzojmë, qoftë t’i marrim, atëherë ne kemi kryer punën, se krejt është ky raport, planifikimi midis të hyrave potenciale që i ka një familje ose një individ, dhe të dalave potenciale në atë periudhë”
, kishte vlerësuar Ramosaj.

Ndërtimi i buxhetit familjar

Vazhdimisht kosovarët ankohen se pagat e ulëta iu pamundësojnë atyre që të blejnë gjërat esenciale për jetë. Njëqindeshtatëdhjetë euro sa ëshët paga minimale në Kosovë konsiderojnë ata se nuk i përgjigjet realitetit, në të cilin jetojnë.

Por, derisa paga nuk mund të ndryshohet, duhet të mendohet që ajo të menaxhohet në mënyrë racinale kishte vlerësuar eksperti i çështjeve të mikro dhe makroekonomisë Naim Gashi.

“Ndërtimi i buxhetit familjar duhet të ndërtohet në formë të piramidës dhe piramida bazë është ushqimi njëmujor për familjen. Aty, përmes kursimit të gatimit, jo blerjes së produkteve të gatshme, mund të rritet kualiteti i ushqimit të familjes dhe të ulet kostoja e shpenzimeve të shportës mujore të një familjeje”, thotë Gashi.

Menaxhimi jo i mirë i parave bëhej edhe nga familjet të cilat merrnin asistencë sociale. Ata dinin shumë pak rreth menaxhimit. Duke mos plotësuar nevojat e domosdoshme, ata lëshohen në shpenzime të cilat mund të konsiderohen luksoze.

Kursimi i parave

Kursimi i parave nuk është një detyrë edhe shumë e lehtë për t'u bërë, por është një gjë e arritshme. Personat me paga më të larta mund të arrijnë të kursejnë shumë më shumë se sa ata që kanë paga më të ulëta.

Çdo individ duhet të llogarisë se sa do të shpenzojë çdo muaj, e pastaj t’i rivendosë kursimet. Njëra nga mënyrat më të mira për të kursyer mbetet hapja e llogarive bankare të kursimeve.

Tashmë është e njohur që pagesa me kartë krediti është më e lehtë për të shpenzuar para, se sa mënyra e të paguarit me para në dorë, pasi që dihet saktësisht se sa para ju kanë mbetur.

Që të administroni më mirë paratë tuaja, është mirë që të tregoheni kritikë në shpenzime, kishin vlerësuar ekspertët.

Informata për menaxhim të parave

Në rubrikën Vetëmenaxhim kishte dhënë këshilla edhe menaxheri për Kosovën nga Banka Botërore, Jan Peter Olters.

“Një nga pjesët kryesore të menaxhimit të duhur të financave është të kuptosh cilat janë mundësitë, çmimet, kushtet dhe rreziqet. Nëse i keni këto informata, jeni i pajisur më mirë për të marrë vendimin e duhur. Kjo vlen edhe për depozitat, normat e interesit dhe për atë se çfarë, në fakt, do të thotë të keni depozita”, kishte thënë Oltres.

Derisa, guvernatori i Bakës Qendrore të Kosovës Bedri Hamza në njërin nga citatet e thëna për rubrikën Vetëmënaxhim ishte shprehur.

“Në përgjithësi, ne, si qytetarë të Kosovës, kemi nevojë që ta rrisim nivelin e kujdesit edhe rreth menaxhimit dhe shpenzimit të parave personale dhe buxhetit familjar. Në këtë drejtim ka shumë vend për përmirësime."

"Duhet të vendosen prioritete edhe brenda buxhetit personal dhe buxhetit familjar, cilat janë prioritetet më të rëndësishme, e cilat janë prioritetet që kanë arsyeshmëri më të madhe, edhe të bëhet një rangim i prioriteteve”, thotë Hamza.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG