Ndërlidhjet

Maqedoni: Ligji për mediat, polemika të ashpra në Kuvend


Ilustrim
Ilustrim
Ministri i Shoqërisë Informatike, Ivo Ivanovski tha se dy ligjet për mediat janë në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare për garantimin e lirisë së shprehjes dhe se gjatë hartimit të tyre, janë marrë në konsideratë edhe vërejtjet e shoqatave mediatike.

Sipas Ivanovskit, ligjet nuk cenojnë pavarësinë e mediave dhe se dëshmi për këtë është edhe mbështetja e dhënë nga institucionet ndërkombëtare.

“Këto ligje janë hartuar pas konsultimeve që i kishim me Shoqatën e gazetarëve dhe ne kemi arritur pajtueshmëri për disa vërejtje që i kishin ata. Portalet nuk janë pjesë e ligjeve. Jemi pajtuar që neni, i cili flet për disa ndalesa, të plotësohet apo të praktikohet vetëm në rastet që janë praktikë edhe në shtetet evropiane”.

“Gjithashtu, jemi pajtuar për mënyrën e funksionimit të televizionit publik dhe në gjashtë muajt e ardhshëm për çështjet lidhur me funksionimin e tij do të punojë një grup i veçantë. Si dhe jemi pajtuar për përbërjen e Këshillit të medias, i cili do të ketë edhe përfaqësues të mediave. Ligjet kanë mbështetjen e OSBE-së, BE-së dhe SHBA-së dhe si të tilla garantojnë lirinë e shprehjes dhe media kualitative“
, tha ministri Ivanovski.

Por, partitë opozitare thanë se ligjet nuk garantojnë lirinë e mediave, përkundrazi, edhe më shumë do të forcojnë kontrollin e tyre nga ana e shtetit.

“Për fat të keq, me ligje të tilla, Maqedonia do të vazhdojë të fundoset, do të vazhdojë rënia e mëtejme e vendit në listat e organizatave të ndryshme, që vlerësojnë lirinë e mediave. Ishim në pozitën e 34-të dhe tani ndodhemi në të 116-tën. Ndoshta në të ardhmen nuk do të gjendemi fare në listat e tyre vlerësuese. Kjo qeveri, jo vetëm brenda shtetit por edhe jashtë, më nuk ka asnjë kredibilitet që të flasë për vlera, të drejta të qytetarëve dhe liri të mediave. Maqedonia, falë VMRO-DPMNE-së, është shteti i vetëm në botë ku demokracia figuron vetëm se në letër“, tha deputeti i Lidhjes social-Demokrate të opozitës, Emilijan Stankoviq.

Por, nga VMRO DPMNE-ja në pushtet thanë se ligjet në fjalë janë zgjidhjet e vetme deri më tani të përgatitura me një debat kaq të gjerë dhe ky fakt, sipas deputetit Aleksandar Nikollovski, mund të shqetësojë opozitën, e cila, siç u shpreh ai, gjithmonë ka keqpërdorur gazetarët për interesat e saj partiake.

“Gjithsesi se zgjidhje ideale ligjore nuk mund të ketë. Gjithmonë mund të gjenden vërejtje të ndryshme, por më duhet të theksoj se rrallëherë ka ndodhur që ky Kuvend të miratojë ligje me një debat kaq të gjerë, me përfshirjen e të gjitha palëve të interesuara. Unë nuk e kuptoj qëndrimin e opozitës, e cila për gjithçka kritikon, por besoj se ajo i frikësohet arritjes së marrëveshjes, pasi në politikën e saj, gazetarët janë mjeti i keqpërdorimit të tyre për interesa partiake”, theksoi Nikollovski.

Nga ana tjetër, ligjet për mediat kanë shkaktuar përçarje edhe mes shoqatave të mediave. Instituti maqedonas i mediave dhe Sindikata e gazetarëve, vazhdojnë të kritikojnë Shoqatën e gazetarëve, të cilën e akuzojnë për tradhti dhe nënshtrim para presioneve të qeverisë.

Ato thanë se janë anashkaluar nga SHGM-ja gjatë takimit të fundit me ministrin e Shoqërisë Informatike, Ivo Ivanovski, kur edhe u pranua miratimi i ligjeve, që bie ndesh me qëndrimin e tyre të mëparshëm që të mos ketë ligj për mediat, por ato vetë të rregullojnë punën e tyre.

Por, kryetari i SHGM-së, Naser Selmani, tha se është absurde të pretendohet se shoqata që ai drejton, ka dhënë pëlqimin për miratimin e ligjeve.

“Të besojë dikush se miratimi apo mosmiratimi i një ligji apo i ligjeve, varet nga pajtueshmëria e një shoqatë qytetare, mendoj se është e papërgjegjshme”, deklaroi Selmani.

Ai shtoi se mbetet në qëndrimin që të mos ketë ligj për mediat apo të pranohen të gjitha vërejtjet që janë paraqitur nga shoqatat e mediave.
XS
SM
MD
LG