Ndërlidhjet

2013 - Vit i humbjes në luftën kundër korrupsionit


Ilustrim ©Shutterstock
Ilustrim ©Shutterstock
Edhe gjatë vitit 2013, Kosova është renditur në vendin e 111 sa i takon shkallës së lartë të korrupsionit.

Organizata ndërkombëtare “Transparency International” që bën matjen e indeksit të perceptimit të korrupsionit në 177 shtete në 2013-ten ka renditur Kosovën në “zonën e kuqe” të korrupsionit.

Përfaqësuesit e Agjencisë Kundër Korrupsionit dhe ata të organizatave joqeveritare, këtë raport e patën vlerësuar si real.

Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsion, Hasan Preteni, lidhur me nivelin e lartë të korrupsionit në Kosovës ka deklaruar se kjo dukuri nuk po luftohet e as gjykohet.

“Në luftën kundër korrupsionit edhe në këtë vit, nuk mund të mburremi se kemi bërë diçka. Edhe ky është sinjal që kjo është vija e kuqe që shkon në favor të asaj që gjyqësori të ketë angazhime, sepse lufta kundër korrupsionit nuk po shënon asnjë rast”, ka deklaruar Preteni.

Ndryshe, me qëllim të luftimit të korrupsionit, në fillim të vitit 2012, presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, kishte themeluar Këshilli Kombëtar Kundër Korrupsionit.

Edhe pse është themeluar ky këshill, deri më tash, sipas shoqërisë civile, nuk është shënuar ndonjë sukses në drejtim të luftës kundër korrupsionit.

Presidentja Kosovës Atifete Jahjaga, në takimi e fundit të Këshillit deklaroi se korrupsioni dhe krimi i organizuar, janë dy pengesat më të mëdha në drejtim të përparimit të Kosovës.

Ajo theksoi po ashtu se luftimi i këtyre dy pengesave, duhet të bëhet prioritet i secilit institucion në vend.

“Ne kemi bërë zotimet se do të kemi tolerancë zero për korrupsionin dhe tani duhet të fillojmë implementimin e ligjeve dhe politikave të cilat i kemi ndërtuar. Është koha të tregojmë rezultate konkrete”, tha Jahjaga.

Lidhur me luftën kundër korrupsionit, zëvendëskryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, është shprehur se korrupsioni është një sfidë e madhe për t'u çrrënjosur.

Megjithatë, ai është shprehur optimist se me sofistikimin e legjislacionit anti- korrupsion gjatë viti 2014 do të arrihen rezultatet në këtë drejtim.

“Në vitin 2013, luftimi i korrupsionit ka zënë vend të lartë në prioritetet e Qeverisë së Republikës së Kosovës. Dhe në vitin 2014, pa dallim do të mbetet po ashtu prioritet i lartë. Në vitin vijues ne synojmë të shqyrtojmë dhe të intensifikojmë edhe më tutje përpjekjet tona të cilat do të sjellin rezultate të prekshme, konkrete dhe të matshme”, tha Kuçi.

Prokurori Besim Kelmendi, prokuror në Prokurorinë e Shtetit, ka konsideruar se lidhur me korrupsioni po ndërmerren masa dhe po krijohen strategji të ndryshme por, sipas tij po mungojnë veprimet.

“Në kohën e fundit Prokuroria e Shtetit ka ndërmarrë disa hapa për luftimin e korrupsionit. Unë prapë dua të them se ne nuk jemi të kënaqur vetëm me strategjitë dhe planet e veprimet që nxirren, jo vetëm nga institucionet e ndryshme në Kosovë, por edhe nga vetë ne, për shkak se strategjitë dhe planet e veprimit janë vetëm letra të cilat vetvetiu nuk merren me luftimin e korrupsionit, por janë njerëzit”, tha Kelmendi.

Në vazhdimësi, gjatë vitit që lëmë pas, organizatat që merren me luftën kundër korrupsionit kanë kritikuar institucionet për mosefikasitet në luftën kundër korrupsionit dhe dukurive negative.

Merita Mustafa, menaxhere e programit Transparenca dhe Anti- Korrupsioni në KDI, konsideron se për korrupsionin edhe gjatë viti 2013 është folur shumë, por veprime nuk ka pasur.

Mustafa dhe organizata ku ajo punon u kanë bërë thirrje të gjitha institucioneve përgjegjëse që t’i lënë anash interesat personale dhe t’i ndërmarrin masat për ndërtimin e kapaciteteve në luftën kundër korrupsionit.

Musatafa ka theksuar se sikur edhe vitet më parë, edhe në vitin 2013 “Kosova është e zhytur thellë në korrupsion dhe nuk ka indikacione që institucionet kompetente po marrin masa për të luftuar këtë dukuri negative”.

Zonja Mustafa në deklarimet për Radion Evropa e Lirë, ka konstatuar se “qeveria në vend se të veprojë për të luftuar korrupsioni dhe t’i analizojë raportet ndërkombëtare, ajo shpenzon kohë duke hartuar strategji për devalvimin e atyre raporteve”.

Në Kosovë, për të luftuar korrupsionin janë themeluar këshilla dhe mekanizma, janë hartuar strategji e miratuar ligje në Kuvendi i Kosovës, por rezultati i tyre në praktikë nuk është parë, thuhet në raportet e organizatave të ndryshme vendore e ndërkombëtare.

Raportet kanë treguar se Kosova vuan shumë nga dukuria korrupsionit.

Në publikimet e raporteve është theksuar se personat që janë të përfshirë në veprime korruptive më së shumti u takojnë zyrtarëve politikë, por edhe atyre të drejtësisë, gjyqësorit e prokurorisë.

Një rast i korrupsionit në sistemin e drejtësisë ka qenë ai i shefit Task-Forcës kundër korrupsionit në Prokurorisë Speciale, Nazmi Mustafi i cili është dënuar nga gjykata me burgim pesëvjeçar dhe me gjobë prej 10 mijë eurosh.

Edhe Petrit Zogaj, nga Organizata Joqeveritare “FOL”, konsideron se mungesa e transparencës dhe llogaridhënës ka bërë që korrupsion në Kosovë edhe gjatë viti 2013 të jetë në nivele shumë të larta, derisa sipas tij nuk janë parë hapa të ndërmarrë nga qeveria dhe sistemi i drejtësisë.

Në një raport të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin, i cili ishte përpiluar në bashkëpunim me Entin e Statistikave të Kosovës është thënë se “rrezik më të lartë të ryshfetit në bashkëveprim me bizneset janë zyrtaret e doganave, zyrtarët tatimor të të hyrave dhe zyrtarët komunal”.

Në atë raport po ashtu është theksuar se “një përqindje e konsiderueshme e bizneseve iu paguajnë ryshfet zyrtarëve publik në mënyrë të përsëritshme, gjatë gjithë vitit dhe se ryshfetit është paguar me para të gatshme.

Sido që të jetë, derisa qytetarët kanë deklaruar se asnjë nga institucionet kosovare që ka për qëllim luftimin e korrupsionit, nuk po i bëjnë punët siç duhet, përfaqësues të Agjencisë Kundër Korrupsionit, kanë ftuar qytetarët që të mos heshtin, dhe ta raportojnë atë nëse kanë informacion.
XS
SM
MD
LG