Ndërlidhjet

Kuvendi mbyll seancën pa PTK-në


Kuvendi i Kosovës
Kuvendi i Kosovës
Deputetët e Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së, ata të AAk-së, si dhe të Vetëvendosjes e kanë lëshuar sallën e Kuvendit, duke mos vazhduar tutje diskutimin e rendit të ditës, që ishte çështja e shitjes së 75 për qind të aksioneve të PTK-së.

Me këtë rast, deputeti PDK-së, Fatmir Limaj, i cili ka qenë i pranishëm në sallë, ka thënë se mungesa e deputetëve dhe situata, në të cilën është Kuvendi, flet vetvetiu.

“Është alarm për ata që kanë udhëhequr procesin e privatizimit PTK-së”. Vendimet për shitjen e PTK-së do të duhej të merreshin në Kuvend kurse fazat e tjera do të duhej t’i vazhdonte ekzekutivi”, ka thënë mes tjerash Limaj, duke shtuar se, “për dalje nga situata e krijuar duhet të gjendet një kompromis”.

Gjatë paradites, Kuvendi i Kosovës kishte hequr nga projektligji për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2014, amendamentin, me të cilin parashihej shitja e 75 për qind të aksioneve të Postë-Telekomit të Kosovës.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, kishte mirëpritur largimin e këtij amendamenti.

“Amendamenti 8 është hequr dhe është mirë që është hequr”, kishte deklaruar Krasniqi.

Megjithatë, Kuvendi i Kosovës kishte vazhduar punimet duke miratuar ligjin, edhe pse kishte kërkesa për debat lidhur me largimin e atij amendamenti.

“Me 57 vota për, 48 kundër dhe 1 abstenim, miratohet buxheti. Konstatoj se Kuvendi miratoi buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2014’’, kishte theksuar Krasniqi.

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, që të dyja parti politike në opozitë, e konsideronin si të jashtëligjshme shitjen e aksioneve të PTK-së, në formën se si ishte vepruar, duke e përfshirë në buxhetin e vitit të ardhshëm.

Të dy këto subjekte politike kishin paralajmëruar se do të votojnë kundër, e në rast nevoje, edhe do të lëshojnë sallën e Kuvendit në përpjekje që të krijojnë mungesë kuorumi për të mos lejuar miratimin në pako të buxhetit dhe shitjes së PTK-së.

Shitja e aksioneve të PTK-së nuk ka marrë mbështetjen e Kuvendit, për shkak të kundërshtimeve të opozitës.

Gjatë procesit të privatizimit të 75 për qind të aksioneve të PTK-së, ishte zgjedhur konsorciumi "Axos capital", si ofertuesi më i mirë me ofertën prej 277 milionë eurosh.

Me propozimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës në rend dite të seancës së paradites ishte futur edhe miratimi i Raportit Qeveritar për privatizimin e 75 për qind të aksioneve të PTK-së dhe kompletimi i Komisionit hetimor për këtë kompani.

Në këtë kuadër, ministri i Zhvillimit Ekonomik në Qeverinë e Kosovës, Fadil Ismaili, gjatë paradites ka thënë për Radion Evropa e Lirë se pret që shitja e 75 për qind të aksioneve të Postës dhe Telekomit të Kosovës, të votohet në seancën e pasdites së sotme, gjë e cila nuk ndodhi.

“Data e fundit për nënshkrimin e kontratës, nuk është sot, por është fundi i vitit, deri më 30 dhjetor”, ka thënë Ismaili.

Nënshkrimi i kontratës me kompaninë fituese "Axos capital", ishte shtyrë disa herë.

Sido që të jetë, buxheti për vitin 2014, arrin në 1 miliard e 590 milionë euro, apo rreth katër milionë euro më shumë se buxheti i vitit 2013.
XS
SM
MD
LG