Ndërlidhjet

Ikja nga problemet ekonomike


Pamje nga Shkupi
Pamje nga Shkupi
Autoritetet shtetërore nuk e kanë komentuar shumë një kategorizim të bërë në rrjetin e njohur televiziv CNN, sipas të cilit, Maqedonia radhitet në pesë vendet me ngecjen më të madhe ekonomike në vitin 2013.

Në fakt, kategorizimi është bërë bazuar në Fondin Monetar Ndërkombëtar, me ç`rast është zgjedhur nga një parametër për secilin vend ku ka pasur shumë ngecje.

Në rastin e Maqedonisë, e radhitur në vendin e katërt, është marrë për bazë papunësia e lartë. Në këtë tabelë gjendet edhe Japonia, në vendin e pestë, për shkak të borxhit shumë të lartë që ka.

Njohësit e rrethanave politike dhe ekonomike në Maqedoni, thonë se ky kategorizim, ndonëse i bazuar në parametra të caktuar, është edhe një dëshmi për politikat e gabuara të Qeverisë së Maqedonisë.

Në këtë kuadër, veçojmë qëndrimin e zotit Petar Arsovskit:

“Është e natyrshme që çdo pushtet të injorojë ato lajme që nuk i konvenojnë. Ajo që nuk është e natyrshme, në këtë rast, është fakti se mediat në vend pothuajse të gjitha nuk kanë informuar për këtë çështje edhe pse ka të bëjë me një segment shumë të rëndësishëm për shoqërinë, madje edhe për shtetin”.

Nga ana tjetër, Visar Ademi, ekspert i çështjeve ekonomike, thotë se Maqedonia shënon regres tash një kohë të gjatë sa i përket zhvillimit ekonomik, dhe atë për më shumë arsye.

Në dorë të autoriteteve maqedonase, është që të ndihmojnë sadopak në ringritjen e ekonomisë së Maqedonisë. Mirëpo, të gjitha gjërat që bëhen, bëhen në mënyrë të gabuar. E para është fakti se investohet në sektor joproduktivë, subvencionohet ndërtimtaria përmes realizmit të ‘Shkupit 2014’ për t’i dhënë impuls emocional maqedonizimit dhe blerjen e qetësisë sociale”.

“E dyta ka të bëjë me të rinjtë, të cilët edhe pse janë fuqia motorike e këtij shteti, ata gjinden para dy sfidave të palakmueshme, ose të mbeten të papunë dhe të jenë pjesë e 30% të papunësuar, ose të punësohen në administratën shtetërore dhe ngritja profesionale të kontrollohet po nga instrumentet e pushtetit. Dhe, e treta, është ngufatja e sipërmarrësit, duke u bërë qeveria punëdhënësi kryesor”, vlerëson Ademi.

Ndërkaq, Arsovski konsideron se ky rast ku nuk bëhen publike “lajmet e këqija”, flet qartë se në ç`nivel kontrollohen mediat e vendit nga ana e qeverisë.

“Kjo duhet të trajtohet si një alarm shumë serioz për gjendjen ekonomike, në të cilën gjendet vendi. Por, më i rëndësishëm në këtë rast është fakti se mediat e vendit, jo se nuk kërkojnë përgjegjësi nga Qeveria për situatën e vështirë ekonomike, por informacionet injorohen dhe qytetarët lihen në një terr informativ”, thekson Arsovski.
XS
SM
MD
LG