Ndërlidhjet

Në intervistën e zhvilluar me Zylfije Hundozin, kryetare e Odës së mjekëve, ajo ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë, se qëllimi i saj është që Odën e mjekëve ta mbajë sa më larg politikës dhe të punojnë vetëm për të mirën e pacientit.



RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Hundozi, çfarë pune bën Oda e mjekëve?

ZYLFIJE HUNDOZI
Oda e mjekëve është institucion i pavarur, i pavarur prej politikës dhe ka për detyrë që të funksionalizojë punën e sistemit shëndetësor në Kosovë. Oda e ka për detyrë, gjithashtu, t’i mbrojë interesat e mjekëve për të gjitha pengesat që kanë gjatë punës së tyre, që ta rrisë cilësinë e punës së profesionistëve shëndetësorë, si dhe ta zvogëlojë vdekshmërinë dhe sëmundjet e njerëzve të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Atëherë, sa do t’i mbroni interesat e mjekëve?

ZYLFIJE HUNDOZI
Oda e mjekëve edhe është formuar për atë arsye që t’i mbrojë interesat e mjekëve, sepse deri më tani mjekët kanë qenë shënjestër e kujtdo që i ka rënë ndër mend ta sulmojë me ose pa arsye dhe Oda është ajo që do t’i mbrojë interesat e punëtorëve shëndetësorë. Por, në të njëjtën kohë do t’i mbrojë edhe interesat e pacientëve, sepse do të jetë vend ku do të mund të ankohen pacientët për pakënaqësitë e tyre gjatë shërimit në institucionet publike shëndetësore të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa do të mund ta përballoni punën për ankesat e mjekëve, duke e marrë parasysh që ju jeni kolegë mes vete?

ZYLFIJE HUNDOZI

Do të krijohen organet e Odës, kryetari është zgjedhur. Do të kemi mbledhjen e Kuvendit të Odës dhe aty do të zgjidhet këshilli drejtues dhe ai mbikëqyrës, pastaj do të zgjidhet gjyqi i nderit, të krijohet Këshilli etik, Kodi etik, prokurori, dhe të gjitha këto kanë për detyrë t’i shqyrtojnë në mënyrë reale ankesat e pacientëve dhe se sa kanë të drejtë pacientët të ankohen për raste të caktuara.

Pastaj, edhe kontestet e ndryshme ndërmjet kolegëve, andaj për atë arsye edhe është krijuar. Dëshirojmë të ndodhë diçka e re në shëndetësi, diçka që na takon ne, mjekëve, ne të vendosim për fatin tonë, por edhe të ndëshkohen ata që nuk duan të punojnë, që i neglizhojnë pacientët si dhe nuk i pranojnë gabimet e tyre.

Pra, unë mendoj se nuk do të ketë probleme, sepse secili do t’i marrë përgjegjësitë e veta për kryerjen e detyrës në organet e reja që tashmë po krijohen.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju keni qenë edhe deputete. Si do ta shpjegonit, a do të jetë Oda e politizuar?

ZYLFIJE HUNDOZI
Unë kam qenë deputete për tri mandate, por tash nuk jam më qe tre vjet. Unë i jam kthyer profesionit tim, ka tre vjet që jam profesoreshë në Fakultetin e Mjekësisë, në lëndën e Neuropsikiatrisë, por edhe shefe e Neurologjisë në Klinikën e neurologjisë. Qëllimi i krejt anëtarëve të zgjedhur në Odën e mjekëve është që Odën ta mbajmë sa më larg politikës. Të punojmë vetëm për të mirën e pacientit, ta zvogëlojmë sa më shumë vdekshmërinë e pacientëve. Gjithashtu të mos lejojmë që pacientët tanë të dalin dhe të kërkojnë ndihmë në shtetet e rajonit, të shpenzojnë, kur dihet sa e varfër është popullata e Kosovës.

Ne kemi kapacitete, kemi njerëz të rinj, që janë shkolluar jashtë vendit, do të bëjmë edhe borde ku do të bëhet vazhdimi i edukimit të vazhdueshëm specialistik, ku cilësia e shërbimeve të rritet në maksimum. Ky është qëllimi ynë. Ne rrugës do të kemi edhe sfida, por mendoj se nuk ka punë pa sfida dhe unë jam e bindur se do t’ia dalim.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa mendoni do ta reformojë sistemin shëndetësor funksionimi i Odës së mjekëve?

ZYLFIJE HUNDOZI
Unë mendoj që do ta reformojë, sepse nëse bëhen disa rregulla, disa organe, të cilat do ta kenë për detyrë t’i kryejnë punët e veta ashtu si duhet, pa anësi politike, pa interesa vetjake, mendoj se do ta reformojë sistemin shëndetësorë shumë.

RADIO EVROPA E LIRË
Cila do të jetë sfida më e madhe, për ju si udhëheqëse e Odës së mjekëve?

ZYLFIJE HUNDOZI
Në sistemin e shëndetësisë sfida më e madhe është financimi. Nuk ka sigurime shëndetësore për pacientë dhe popullata jonë është e varfër. Ne çdo ditë përballemi me pacientë me probleme dhe sfida të natyrës materiale.

Ka mungesa të barnave, ka mungesa të materialit shpenzues në përgjithësi, por edhe mundësia për të bërë analiza më të sofistikuara, të cilat nuk janë brenda QKUK-së, gjithmonë ka pengesa materiale, duke e marrë parasysh situatën ekonomike të pacientëve tanë.

Sikur të kishte sigurime shëndetësore, ajo do t’i mbulonte gjitha shpenzimet që po bëhen në sistemin shëndetësor dhe ajo do ta ndihmonte dhe do ta përparonte shumë sistemin shëndetësor.
  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG