Ndërlidhjet

Tajlandë: Qeveria e refuzon kërkesën për shtyrje të zgjedhjeve


Protestuesit antiqeveri me motoçikleta në kryeqytetin Bangkok të Tajlandës

Protestuesit antiqeveri me motoçikleta në kryeqytetin Bangkok të Tajlandës

Qeveria e Tajlandës sot e ka hedhur poshtë kërkesën e Komisionit Zgjedhor për shtyrje të zgjedhjeve, të parapara të mbahen në muajin shkurt të vitit të ardhshëm, duke thënë se votimet do të mbahen ashtu siç është planifikuar, përkundër përleshjeve ndërmjet policisë dhe protestuesve antiqeveri.

Komisioni Zgjedhor ka kërkuar nga qeveria që t’i shtyjë zgjedhjet derisa të arrihet “pëlqim reciprok ndërmjet të gjitha palëve përkatëse”.

Demonstruesit antiqeveri këmbëngulin se nuk do ta lejojnë mbajtjen e zgjedhjeve, derisa kryeministrja Yingluck Shinawatra të paraqes dorëheqje.

“Zgjedhjet do të mbahen më 2 shkurt”, tha zëvendës kryeministri, Pongthep Thepkanchana, gjatë një fjalimi televiziv.

Gjatë regjistrimit zgjedhor në kryeqytetin Bangkok, sot kanë shpërthyer përleshje, kur policia ka hedhur gaz lotsjellës dhe plumba gome në protestuesit që gjuanin me gurë.

Një polic është vrarë dhe tre janë plagosur nga të shtënat.

Gjithsej 97 njerëz janë dërguar në spital, në mesin e tyre 25 policë, raporton agjencia Reuters.
XS
SM
MD
LG