Ndërlidhjet

Lista e dëshirave të mia për gazetarinë më 2014


Pamje nga zyrat e "The Guardian"
Pamje nga zyrat e "The Guardian"
Gazetari i britanikes “Guardian”, Antony Loewenstein, ka një listë dëshirash për gazetarinë në vitin 2014.

Një nga to është të qenët thellësisht skeptik ndaj raporteve me burime anonime.
Aleanca e Medias, Kulturës dhe Artit ka kodin e saj të etikës, sipas të cilit, gazetari duhet t’ia atribuojë informacionin burimit të tij. “Kur burimi kërkon anonimitet, mos u pajtoni pa shqyrtuar motivet e burimit dhe ndonjë burim alternativë”, citon Loewenstein kodin gazetaresk.

Sipas tij, kjo është shkelur në mënyrë rutinore, pasi gazetarët preferojnë të marrin dokumente që kanë rrjedhur nga zyrtarët, qeveritë, ministrat opozitarë e të tjerë. Kjo është dembelizëm dhe kundërproduktive, sepse raporti bëhet vetëm pak më shumë se propagandë.

Gazetarët duhet të ruajnë anonimitetin e burimeve vetëm nëse është aboslutisht thelbësore, shkruan Guardian.

Dëshirë e Loewensteinit është edhe që të mos ketë më artikuj me opinionet e politikanëve.

Mediat tona janë ndotur nga politikanët që i japin shtytje një linje të njëanshme, thotë ai. Një shembull: në prag të Krishtlindjeve, asistenti i Thesarit të Australisë, Arthur Sinodinos, nga Partia Liberale, ka shkruar në gazetën “The Australian” se ekonomia po lulëzon, pas keqmenaxhimit të administratës laburiste.

Kjo është një njoftim për shtyp që çdo redaktor i vetërespektuar do të refuzonte ta publikonte.

Puna e shtypit të fortë nuk është thjesht të sigurojë leje për udhëheqësit tanë që të predikojnë lirshëm, shkruan Guardian.

Rritja e “efektit Snowden” është dëshirë tjetër e gazetarit të kësaj gazete.

Mbulimi i dokumenteve që kanë rrjedhur nga Snowden do të vazhdojë edhe në vitin 2014, por sfidë e madhe, siç ka thënë edhe publicist Dan Gillmor, është që dokumentet të përdoren për të identifikuar dhe plotësuar një çështje të rëndësishme.

Në vitin 2014 dhe më tej, gazetarët duhet të jenë të fryëmzuar nga efekti Snowden.

Ata duhet të përqendrohen më shumë në masën kritike – si të arrihet tek ajo. Ne nuk duhet vetëm të ngremë tema të mëdha, duhet edhe t’i zgjerojmë ato, thotë Loewenstein, i cili dëshiron të mbahet gjallë edhe rëndësia e transmetuesve publikë.

Kush mund të harrojë James Murdoch, të përfshirë vetë në skandalin e përgjimit të telefonave në Britani, duke i thënë Televizionit të Edinburgut në vitin 2009 se madhësia e BBC-së po ngrin?

“Korporata është e paaftë të bëjë dallimin midis asaj që është e mirë për të dhe asaj që është e mirë për vendin”, ka thënë Murdoch, citon Guardian.

Mendimet e juaja, janë dëshira e fundit e gazetarit Antony Loewenstein.

“Ju lutem ndani idetë se si të forcohen më shumë mediat… Ne do të përfitojmë të gjithë nga shkëmbimi i ideve dhe jo duke besuar se një person apo një grup i ka të gjitha përgjigjet”, thotë gazetari Loewenstein në artikullin e tij në të përditshmen britanike Guardian.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG