Ndërlidhjet

Nga Amerika në Rusi – 2013 vit i të drejtave të homoseksualëve


Ilustrim
Ilustrim
Për Yelena Goltsman, 30 qershori 2013, është një prej ditëve më të mira të jetës së saj, dhe njëkohësisht edhe një prej ditëve më të këqija të saj.

Në njërën anë, ajo ishte dita kur ajo dhe anëtarët e tjerë rus të komunitetit lesbik, homoseksual, biseksual dhe transgjinor në Neë York, nxorën makinat e para të ndërtuara ndonjëherë për paradën e përvjetshme të homoseksualëve në këtë qytet.

Parada u thirr pak kohë pasi Gjykata Supreme e Shteteve të Bashkuara lejoi martesat e gjinive të njëjta.

Goltsman, që kishte emigruar në Shtetet e Bashkuara nga Ukraina sovjetike shumë vjet para se të vinte në Neë York, thotë se është e “ngazëllyer” që po njihet e barabartë me të gjithë shtetasit e tjerë amerikan.

Por për rusët që ishin të pranishëm në paradë, kishte edhe një anë tjetër të errët: presidenti Vlladimir Putin kishte zgjedhur po këtë ditë për të nënshkruar një ligj i cili ndalon propagandën homoseksuale.

Prandaj, për gjëra të tilla, Goltsman thotë se, "është e vështirë të jetohet në të dy botët”.

"Parada dhe nënshkrimi i këtij dokumenti ndodhën të njëjtën ditë. Nuk mund ta përshkruash ndryshe se e hidhur e ëmbël”, thotë ajo.

Në kohën kur Shtetet e Bashkuara shënuan një shpërthim historik në fushën e të drejtave të homoseksualëve gjatë vitit 2013, Rusia përjetoi ulje famëkeqe në këtë rrafsh.

Ligji regresiv i Putinit, u përcoll me një valë të madhe të dhunës, ku homoseksualët ishin vrarë ose sulmuar, prindërit ishin kërcënuar me humbjen e fëmijëve, kurse aktivistët e të drejtave të homoseksualëve janë rrahur brutalisht në prani të policisë.

Putin, i cili u mundua që të reduktojë të gjitha format e disidencës prej se është kthyer në presidencë vitin e kaluar, sigurisht s’e ka pritur që incidentet e tilla të brendshme të kalojnë të pavërejtura.

Por, dy gjërat i prishën planet: globalizimi në rritje i lëvizjes homoseksuale, dhe hisja e madhe e Rusisë si mikpritës i lojërave olimpike dimëror në Sochi.

Nëse dy vjet më parë, kërkesat e homoseksualëve rus ishin shumë poshtë në agjendën e perëndimorëve, gjatë 2013-së ishin shumë më përpara në mos në qendër të agjendës – duke nxitur presion diplomatik, dhe mbështetje nga yjet e Hollywood-it si Madonna dhe Lady Gaga.

Madje magazina satirike amerikane “Mad” i ka kushtuar një kujtim i veçantë në listën e 20 gjëravë “më budalla” që kishin ndodhur gjatë vitit.

Në anën tjetër, organizata RUSA LGBT, ka demonstruar në Wall Street gjatë vizitës së një delegacioni afaristësh rus.

Protestat e tilla, efektivisht kanë marr vëmendjen e opinionit në Shtetet e Bashkuara.

Por Goldsman thotë se RUSA, e cila është duke punuar ngushtë me grupet simotra në shtetet e dikurshme sovjetike, duhej të merrte qëndrim sa i përket çështjes Sochi:

"Ne kemi advokuar prej fillimit bojkotin për Lojërat Dimërore në Sochi. Por homologët tanë në Rusi, shumica prej tyre, janë kundër bojkotit të Sochi. Ata duan të shfrytëzojnë këtë rast për t’i treguar botës se çfarë janë të drejtat e komunitetit homoseksual në Rusi. Andaj, ne kemi ulur pak intensitetin e fushatës sonë në këtë drejtim”, thotë Goltsman.

Në vend të një bojkoti të plotë, shumë aktivistë të LGBT tani po u flasin në vesh koorporatave që do të sponsorojnë me milarda dollarë lojërat në Sochi, dy muaj para hapjes zyrtare.

Komiteti Ndërkombëtar Olimpik konfirmon se disa prej sponsorëve – përfshirë koorporatat si McDonald’s, Procter & Gamble, dhe Coca-Cola – kanë shfaqur shqetësim për trazira të mundshme gjatë lojërave, dhe se si kjo gjë mund të ndikoj në fitimet e tyre.

Por shumica prej tyre, nuk shprehin gatishmëri që t’i bëjnë presion Rusisë apo Komitetit Olimpik për më shumë përkushtim ndaj të drejtave të komunitetit LGBT.

Organizatat e tjera po lobojnë përmes promovimit të agjendës së jo-diskriminimit pa shkelur rregullat olimpike që ndalojnë deklaratat politike.

Dy grupet, “Të gjithë Për” dhe “Aleaca Atletike”, kanë nisur një fushatë gjatë dhjetorit, e quajtur “Parimi 6”, përmes së cilët iu lejohet atletëve garues dhe spektatorëve që të veshin fanela që citojnë deklaratën e misionit të Komitetit Ndërkombëtar Olimpik, ku deklararivisht thuhet se çfarëdo forme diskriminuese është e në “shpërputhje” me lëvizjen olimpike.

Andre Banks është bashkë-themelues i “All Out”, që është një grupi për mobilizim politik, që ka rreth 1,9 milion anëtarë në gjithë botën.

Ai thotë se fokusi në lojërat Sochi, i kombinuar me valën e martesave të gjinive të njëjta në Shtete e Bashkuara dhe Francë, kanë transformuar përgjithmonë betejën për të drejtat e komunitetit homoseksual, në një kauzë blobale të të drejtave të njeriut, ku ndryshimi do të vërehet me kalimin e kohës.

"Njerëzit po motivohen nga vendet si Shtetet e Bashkuara, të cilat kanë fitore të rëndësishme me politikat e tyre. Ata po e shfrytëzojnë këtë gjë për të ndërtuar një ritëm global për ndryshime aty ku munden me u bë, dhe që 76 shtete të heqin dorë nga ligjet, ku të qenit homoseksual është krim”, thotë Banks.

Në arenën post-sovjetike, ka një optimizëm i matur se lëvizja do të vazhdojë të fitojë përkrahje edhe pas përfundimit të lojërave olimpike.

Moldova për herë të parë këtë vit organizoi paradën e krenarisë, dhe u bë republika e parë ish-sovjektike që i bashkëngjitet video-fushatës “It gets better” (Bëhet më mirë) që ka për fokus të rinjtë homoseksual.

Amnesty International ka nis të mbledh nënshkrime për një peticion në mbështetje të aktivistit të të drejtave të homoseksualëve, bjellorusit Ihar Tsikhanyuk, i cili është rrahur nga policia.

Dhe, ka edhe një përparim i lehtë në Rusi po ashtu.

Fushata “It gets better” ka nisur me një progra të posaçëm ku po dërgon mesazhe për mbështetjen e Rusisë në prag të lojërave në Sochi.

Sasha Semyonova është drejtoreshë e grupit Vykhod nga Shën Petersburgu.

Ajo thotë se vala e vëmendjes globale ka qenë një ndihmë e madhe për lëvizjen homoseksuale në Rusi.

"Përpara, shumica e njerëzve ishin pasiv, dhe kurrë nuk e kanë shprehur vullnet për të mbrojtur të drejtat e tyre – përkundrazi, shumica thoni se aksionet e aktivistëve po i dëmtojnë. Por tani, duke iu falënderuar situatës më të keqe dhe sulmeve të shpeshta, shumë, e më shumë pjesëtarë të shoqërisë po e pranojnë se është e rëndësishme që të luftohet për të drejtën”, thotë Semyonova.

Përgatiti: Fatmir Aliu
XS
SM
MD
LG