Ndërlidhjet

Kosova nuk arriti ta luftojë joformalitetin


Ilustrim
Ilustrim
Matja e saktë e pranisë së nivelit të ekonomisë së paligjshme, nuk është e lehtë, jo vetëm për Kosovën, por pothuajse për asnjë vend, veçanërisht për vendet në zhvillim.

Megjithatë, sipas disa analizave të bëra nga ekspertë të çështjeve ekonomike dhe përfaqësues të bizneseve, ekonomia joligjore në Kosovë vlerësohet të jetë mbi 30 për qind.

Qeveria e Kosovës, e cila në fillim të këtij viti i kishte shpallur luftë ekonomisë së paligjshme, sipas përfaqësuesve të biznesit, përveç deklaratave dhe organizimit të tryezave që kishin këtë qëllim, nuk ishte bërë diçka konkrete për të zbutur dukurinë e joformalitetit në vend.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se viti 2013 ishte një vit i rëndë ekonomik e që vinte pikërisht nga joformaliteti. Kjo dukuri, sipas tij, shkaktoi dëme të mëdha duke krijuar konkurrencë të padrejtë në treg.

“Institucionet e Kosovës nuk mundën ta luftojnë në masën e duhur joformalitetin dhe të parandalojnë ekonominë e paligjshme, pasi që një kohë e madhe, një energji e madhe u shpenzua në bisedimet Kosovë - Serbi, dhe proceset ekonomike, proceset për të luftuar këto dukuri negative që vinin pikërisht nga veriu i Kosovës, ishte e pamundur të luftohen”, vlerëson Shahini.

Pikat kufitare në veri, përfshirë shumë rrugë dytësore - alternative, të paautorizuara për qarkullim komercial, janë vendet më neuralgjike për kontrabandim të mallrave.

Së fundi, nga pikat kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë kanë filluar të mblidhen të hyrat. Autoritetet kosovare kanë vlerësuar se me fillimin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje, kontrabanda me mallra, e cila ka qenë më e theksuar në këto dy pika kufitare, do të shënojë rënie.

Në anën tjetër, eksperti i çështjeve ekonomike, Haki Shatri, konsideron se vitin 2013 e ka karakterizuar niveli i lartë i ekonomisë joformale. Sipas tij, ka pasur premtime e synime të autoriteteve të Kosovës se do të luftohet kjo dukuri, por nuk rezultoi të shënojë rënie.

“Sa kam informacion dhe nga veprimet konkrete që i kam parë, nuk vlerësoj që është bërë diçka në këtë drejtim. Joformaliteti në Kosovë është prezent dhe atë mund të jetë mbi 30 për qind”, thekson Shatri.

Një raport i Institutit “Riinvest” i publikuar së fundi, sjell të dhëna, ku thuhet se rreth 34 për qind e bizneseve kosovare nuk i deklarojnë shitjet për qëllime tatimore dhe mbi 34 për qind e fshehin fuqinë punëtore.

Nga këto të dhëna, sipas këtij hulumtimi, thuhet buxheti i Kosovës nga evazioni dhe joformaliteti, humb një të tretën e fuqisë së tij.

Këta numra tregojnë se Kosova ka një treg të pafavorshëm dhe jo korrekt ndaj bizneseve.

Institucionet e Kosovës, konsideron kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, duhet të marrin masa që kjo ekonomi të luftohet, në të kundërtën, buxheti i Kosovës po dëmtohet.

“Do të duhet që këshillat e krijuar për këtë qëllim të funksionalizohen, të kenë efekt në terren, të kenë bashkëpunim me akterë të ndryshëm dhe ky bashkëpunim të jetë konfidencial, për arsye se bizneset dhe njerëz të tjerë nuk do të bashkëpunojnë nëse do të bëhen publike apo të hapen këto çështje. Pra, ne kemi shumë raste të dëshmitarëve të fshehtë, që bëhen publik”, thotë Shahini.
XS
SM
MD
LG