Ndërlidhjet

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është shfaqur si fakt i domosdoshëm që është dashur të ndodhë, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike në vend. Por, ata e shohin në mënyra të ndryshme bilancin e këtij dialogu gjatë vitit 2013.

Analisti i çështjeve politike, Halil Matoshi, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se gjatë dialogut me Serbinë, Kosova ka nxjerrë bilanc pozitiv, në përputhje me rregullat dhe agjendën e Bashkimit Evropian.

“Unë mendoj se bilanci është pozitiv, pa marrë parasysh që ne kemi të bëjmë me një lidership dhe qeverisje të keqe, me një qeverisje që brenda ka bërë shumë dëme, Mirëpo, në kuptimin e pavarësisë së jashtme, Qeveria e Kosovës është sjellë në përputhje me rregullat, tashmë botërisht të pranuara, të Bashkimit Evropian dhe me agjendën e saj. Kështu që mund të flitet për bilanc pozitiv në kuptimin që veriu i Kosovës, nga një problem i ngrirë, është shndërruar në një problem demokratik ose në një problem të demokracisë”, thotë Matoshi.

Analisti tjetër i çështjeve politike, Shpend Kursani, thotë për Radion Evropa e Lirë se bilanci që del nga dialogu Kosovë - Serbi, gjatë vitit 2013, nuk mund të shihet si krejtësisht pozitiv apo si krejtësisht negativ për Kosovën.

Sipas tij, është krijuar një situatë e re në veriun e Kosovës, me tërheqjen graduale të Serbisë nga ajo pjesë e vendit. Por, siç thotë ai, e gjithë kjo ka rezultuar edhe me një situatë të re në tërë territorin e Kosovës, që reflekton ndarjen e vendit ndërmjet dy etnive, shqiptare dhe serbe, ku kjo e fundit po vazhdon ta sfidoj shtetin, Kushtetutën dhe Republikën e Kosovës në përgjithësi.

“Kemi pasur një lëvizje të status quo-së në veriun e Kosovës, ku Serbia është pajtuar në njëfarë mënyre t’i mbyllë zyrat e MUP-it (Ministrisë së Punëve të Brendshme) dhe të heqë dorë nga puna e saj në gjykata”.

“Mirëpo, në anën tjetër, ajo çfarë ka prodhuar kjo, është se Kosova është detyruar në njëfarë mënyre që të heqë dorë nga disa elemente shtetërore. Pra, duke ia vënë vetes fusnotën, duke prodhuar një asociacion të komunave me shumicë serbe që sërish e kundërshtojnë Republikën e Kosovës”,
shprehet Kursani.

Por, si i shohin njohësit e zhvillimeve politike, ndikimet e bilancit të dialogut të vitit 2013, në vitin 2014?

Analisti Matoshi, vlerëson se të dyja palët, Kosova dhe Serbia, nuk do të mund të dalin jashtë agjendës së Bashkimit Evropian, e cila nënkupton kompromis ndërmjet palëve.

“Serbia nuk do të mund të dalë jashtë agjendave të vetë organizatës ku synon të aderojë. Do të thotë do të kemi një agjendë gjithë-evropiane, edhe nga Serbia, e edhe nga Kosova, një agjendë e cila Kosovën do ta funksionalizojë si shtet, por me kusht që Kosova të japë të drejta për minoritetin serb, në këtë rast, siç janë asociacioni i komunave ( me shumicë serbe) dhe ato të drejtat vitale kombëtare, sikurse e drejta për gjuhën, kulturën, simbolet etj”, vlerëson Matoshi.

Por, ndryshe mendon analisti Kursani. Ai konsideron se si pasojë e bilancit të dialogut, Kosova gjatë vitit 2014 do të ketë telashe shumë të mëdha në funksionimin e saj të brendshëm.

“Arsyeja është se, pa marrë parasysh që, edhe në qoftë se Serbia nesër na njeh - si rezultat i këtyre negociatave - apo edhe vendet e Bashkimit Evropian, por edhe në qoftë se e marrim një ulëse në OKB, si rezultat i këtyre bisedimeve, Kosova është duke bërë shumë lëshime të mëdha në aranzhimin e vet të brendshëm”.

“Kështu që, çfarëdo njohje të Serbisë që në të ardhmen do ta merrnim dhe çfarëdo ulëse të OKB-së që do ta merrnim, nuk do t’ia vlente, sepse do ta kemi një shtet jofunksional, të ndarë etnikisht dhe një shtet që nuk e ka mundësinë ta mbrojë veten nga çfarëdo kërcënimi i brendshëm dhe i jashtëm”,
konsideron Kursani.

Ndryshe, analistët edhe më parë kanë vlerësuar se si rezultat i dialogut Kosovë- Serbi, kjo e fundit ka përfituar nisjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndërkohë që Kosova nuk arriti që të përmbyllë subjektivitetin e saj ndërkombëtar.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG