Ndërlidhjet

logo-print
Në tregun e derivateve të naftës ka laramani çmimesh, varësisht nga pikat shitjes, lokacioni apo edhe qyteti. Thuhet se çmimet përcaktohen nga bursat ndërkombëtare, por kur çmimet ulen në rajon dhe më gjerë, në Kosovë nuk vërehet, pasi një gjë e tillë nuk aplikohet nga pronarët e operatorëve.

Madje, dyshohet se pronarët bëjnë marrëveshje të pashkruar për të mbajtur nivelin e çmimit të lartë të derivateve të naftës.

Vetë pronarë të disa operatorëve më të mëdhenj në vend, tregojnë se çmimet më shumicë varen nga lëvizja në bursën botërore, ndërsa ato me pakicë përcaktohen në mënyrë individuale, pasi nuk ka organ që përcakton çmimet.

Remzi Muharremi, pronar i kompanisë sw derivateve të naftës “ EXFIS” thotë se çmimet ndërtohen nga bursa ndërkombëtare, kursi i dollarit, Tatimi mbi Vlerën e Shtuar ( TVSH), akciza dhe shpenzimet tjera.

“Çmimin nuk kanë mundësi ta krijojnë ndryshe vetëm në bazë të bursës. Do të thotë, blerjen e mallit të gjitha kompanitë e realizojnë në bazë të çmimeve që krijojnë rafineritë në rajon, ndërsa ata (rafineritë) çmimet i krijojnë në bazë të bursës ndërkombëtare. Lëvizjet e bursës janë ditore dhe ato lëvizin”.

“Kurse, çmimet e karburanteve me pakicë, krijohen në mënyrë individuale që konsiderohet se është i arsyeshëm, sepse është konkurrencë e lirë”, thotë Muharremi për Radion Evropa e Lirë

Aktualisht, në Kosovë një litër naftë kushton 1.19 deri 1.25 euro.
Por, kur në detaje bëhet ndërtimi i çmimit që nga furnizimi në rafineritë në rajon, e deri te çmimi i shitjes, duket se nuk ka ndonjë përfitim të madh.

Përveç çmimit të blerjes, vetëm në Doganat e Kosovës, kompanitë importuese paguajnë akcizë 0.35 euro për një litër naftë, ndërsa për benzinë paguajnë 0.33 euro, pastaj këtu shtohet Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, transporti dhe shpenzimet tjera.

Në anën tjetër, qytetarët ankohen për çmime shumë të larta. Valdete Rrahimi, rreth të 30-ve, punon në një dyqan në kryeqytet. Ajo vozit një Opel Corsa dhe thotë se çmimet janë shumë të larta.

“Çmimi i karburanteve është shumë i shtrenjtë për kushtet, në të cilat jetojmë. Çmimi ndryshon nga rajoni në rajon, nuk ka çmim të arsyeshëm, nuk ka çmim stabil dhe kjo, në përgjithësi, e dëmton ekonominë e vendit, buxhetin e popullatës, të familjes”, thotë Valdetja.

Edhe Nazmi Bytyçi, nga shoqata e Naftëtarëve të Kosovës, thotë se sektori i naftës është liberal. Faktorë për kalkulimin e çmimit janë tri elemente: bursa ndërkombëtare, taksat që aplikon shteti dhe kursi i dollarit.

“Konkurrenca e formon çmimin, çmimin nuk e cakton shteti, nuk ka ndonjë organ rregullativ siç është për energji, por është çmim liberal. Do të thotë biznesi e formon çmimin në bazë të tregut”, shprehet Bytyçi.

Ekzekutivi i vendit nuk ka kompetenca që të ndërhyjë në masën e çmimit të ndonjë malli, pasi, sipas tyre, oferta, kërkesa dhe tregjet e jashtme përcaktojnë çmimet e produkteve të caktuara.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG