Ndërlidhjet

OKB: Siria nuk e largon armatimin kimik brenda afatit

  • RFE /RL

Siri...

Siri...

Kombet e Bashkuara thonë se është “vështirë” që Qeveria e Sirisë do ta arrijë respektimin e afatit deri më 31 dhjetor, për t’i larguar armatimet kimike jashtë Sirisë.

Kjo shpallje u bë derisa raportohet për vrasje të reja në konfliktin në Siri.

Observatori sirian për të Drejtat e Njeriut me seli në Londër, që është në anën e opozitës, tha se 25 vetë janë vrarë nga sulmi ajror i Qeverisë, që e ka goditur një treg të perimeve në një lagje të qytetit Alepo, që është nën kontroll të kryengritësve.

Në një zhvillim tjetër, Qeveria e Sirisë tha se presidenti Bashar al-Assad, i ka dërguar mesazh Papës Françesk, në të cilin shpreh përkushtimin e tij për mbrojtjen e sirianëve të të gjitha religjioneve kundër islamistëve myslimanë sunitë të linjës së fortë, që po luftojnë kundër tij së bashku me kryengritësit.

Papa disa herë ka kërkuar përfundimin e konfliktit në Siri, i cili ka filluar në muajin mars të vitit 2011.

Në një deklaratë të përbashkët, Kombet e Bashkuara dhe Organizata për Ndalimin e Armatimit Kimik thanë se është bërë “progres i rëndësishëm” në eliminimin e armatimit kimik të Sirisë.

Por, në deklaratë theksohet se nuk duket se qeveria do ta respektojë afatin deri në fund të këtij viti, për ta larguar gjithë arsenalin e këtij lloji të armatimit jashtë vendit.

Rrjedhimisht, i bëhet thirrje Qeverisë së Assadit që t’i “intensifikojë përpjekjet” për respektimin e afatit të përcaktuar nga komuniteti ndërkombëtar.

Në deklaratë pranohet se “kushtet e përgjithshme të sigurisë po vazhdojnë të jenë të vështira” për shkak të luftës dhe se shqetësimet e sigurisë “i kanë penguar lëvizjet e planifikuara” lidhur me largimin e armatimit nga Siria.

Helmet që mund të përdoren në sarin, gazin VX dhe agjentët e tjerë, planifikohet të transportohen jashtë Sirisë, nga porti Lakatia.

Materialet, eventualisht, do të transportohen në një anije të ushtrisë së Shteteve të Bashkuara për shkatërrim.

Në deklaratën e Kombeve të Bashkuara dhe të Organizatës për Ndalimin e Armatimit Kimik, konfirmohet se Qeveria e Sirisë tashmë e ka kompletuar shkatërrimin e të gjitha raketave, që mund të përdoren për bartjen e armatimit kimik.

Organizata për Ndalimin e Armatimit Kimik ka punuar në Siri prej muajit tetor, pas miratimit të rezolutës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, me të cilën parashihej shkatërrimi i të gjitha armatimeve kimike të Sirisë deri në mes të vitit 2014.

Siria është pajtuar për ta shkatërruar armatimin e saj kimik, pas negociatave ndërmjet Rusisë, që është aleat i regjimit të Sirisë, dhe Shteteve të Bashkuara, që e kanë mbështetur opozitën në Siri.

Marrëveshja është arritur meqë Uashingtoni është kërcënuar me sulme ajrore kundër caqeve të Qeverisë së Sirisë, pas një sulmi me armatim kimik afër kryeqytetit Damask, më 21 gusht, me ç’rast u vranë qindra vetë.

Regjimi i Sirisë, i mbështetur nga aleatët Rusia dhe Irani, i ka fajësuar kryengritësit për sulmin e 21 gushtit.

Nga ana tjetër, opozita dhe mbështetësit e saj, përfshirë Shtetet e Bashkuara , i kishin fajësuar forcat e Assadit.

Hetuesit e Kombeve të Bashkuara i patën konfirmuar një varg të sulmeve kimike në Siri, por nuk ishin të autorizuar të përcaktojnë se kush i kishte kryer sulmet.

Mesazhi i përmendur i presidentit Assad për Papën Françesk, ishte dorëzuar nga një delegacion i qeverisë së Sirisë, gjatë vizitës në Vatikan.

Agjencia zyrtare siriane e lajmeve raportoi se Assadi kishte shprehur përkushtimin e qeverisë së tij për ta ushtruar të drejtën për mbrojtjen e të gjithë shtetasve, pavarësisht se cilit religjion i takojnë, kundër krimeve të kryera nga ekstremistët myslimanë sunitë.

Kryengritësit, që po luftojnë për ta përmbysur qeverinë, janë kryesisht sunitë. Njëherësh, mbështetja më e madhe për qeverinë vjen kryesisht nga minoriteti alavit, një degë e islamit shiit, së cilës i takon edhe presidenti Bashar al-Assad. Mbështetje ka edhe nga të krishterët dhe pakicat e tjera.

Javën e kaluar, Papa në fjalimin e tij “Urbi et Orbi” (Për qytetin dhe botën), në Ditën e Krishtlindjeve, ka kërkuar lejimin e depërtimit të ndihmave humanitare në Siri dhe ndaljen e gjakderdhjes.

“Shumë jetë janë humbur në këtë kohë nga konflikti në Siri, duke nxitur urrejtje dhe hakmarrje”, pati thënë Papa. (f. bujupi)
XS
SM
MD
LG