Ndërlidhjet

Edhe një sulm vdekjeprurës në Volgograd

  • RFE /RL

Volgograd, 30 dhjetor 2013.

Volgograd, 30 dhjetor 2013.

Katërmbëdhjetë persona kanë humbur jetën dhe së paku 23 të tjerë, përfshirë një fëmijë njëvjeçar, janë plagosur nga shpërthimi në një trolejbus, në qytetin Volgograd të Rusisë.

Raportet fillestare kanë thënë se bëhet fjalë për sulm terrorist, por Komiteti Anti-terrorizëm i Rusisë ka thënë se shpërthimi mund të ketë ndodhur nga bomba e vendosur në zonën e pasagjerëve të automjetit.

“Një nga teoritë e mundshme është që mjeti shpërthyes të jetë vendosur në pjesën e pasagjerëve të trolejbusit. Rasti kriminal që përfshin artikuj të terrorizmit është hapur”, ka thënë zëdhënësi i Komitetit Anti-terrorizëm, Dmitry Pavlov.

Shpërthimi i sotëm ndodh një ditë pasi 17 persona janë vrarë nga një sulm vetëvrasës në një stacion treni në të njëjtin qytet. Zyrtarët thonë se hetuesit po hetojnë nëse shpërthimi i sotëm është po ashtu terrorist, si ai i së dielës.

Përgjegjësinë për sulmet nuk e ka marrë asnjë grup, por raportet ruse sugjerojnë militantët islamikë si të dyshuar.

Raportet thonë se siguria është forcuar dukshëm në kryeqytetin rus, Moska.

Shpërthimet ndodhin rreth gjashtë javë para se në qytetin Soçi të Rusisë të nisin Lojërat Olimpike Dimërore.

Një zëdhënëse e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar në Lozanë të Zvicrës ka shprehur ngushëllime për ata që janë prekur nga sulmi i fundit, si dhe ka shfaqur besimin në aftësinë e autoriteteve ruse për të ruajtur sigurinë në Lojëra.

“Për fat të keq, terrorizmi është një fenomen global dhe asnjë rajon nuk është i përjashtuar; kjo është edhe arsyeja përse siguria në Lojëra është prioritet i lartë për Komitetin Olimpik Ndërkombëtar. Në Olimpiadë, siguria është përgjegjësi e autoriteteve lokale dhe ne nuk kemi dyshim se autoritetet ruse do të jenë në detyrë”, ka thënë zëdhënësja e Komitetit Olimpik.

Volgogradi, i njohur dikur si Stalingrad, për nder të diktatorit sovjetik, Josef Stalin, është rreth 700 kilometra në verilindje të Soçit.

Në muajin tetor, ky qytet është goditur edhe nga një tjetër sulm vetëvrasës, në të cilin kanë humbur jetën shtatë persona. Hetuesit kanë thënë se sulmuesja ka pasur lidhje me islamistët në Kaukazin Verior.

Kremlini ka thënë se presidenti Vladimir Putin ka takuar kreun e Shërbimit Federal të Sigurisë, Alexander Bortnikov, i cili e ka informuar atë për shpërthimin e sotëm.

Putini ka lëshuar disa udhëzime për komitetin që koordinon përpjekjet antiterroriste, “për të forcuar sigurinë në gjithë Rusinë, e sidomos në rajonin e Volgogradit”. Kremlini nuk ka dhënë detaje për udhëzimet.

Në muajin korrik, udhëheqësi rebel i Çeçenisë, Doku Umarov, u ka bërë thirrje militantëve që të kryejnë sulme kundër caqeve civile, përfshirë edhe të tilla që pengojnë Olimpiadën në Soçi. (v.tela)
XS
SM
MD
LG