Ndërlidhjet

Thaçi: Vizat të bëhen prioritet për të gjithë


Kryeministri Hashim Thaçi

Kryeministri Hashim Thaçi

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar sot se autoritetet kosovare janë duke kërkuar që agjenda e liberalizimit të vizave për Kosovën të ketë prioritet dhe të trajtohet si e tillë nga të gjithë, përfshirë këtu edhe Brukselin.

Këto komente, kryeministri Thaçi i ka bërë në takimin e radhës për liberalizimin e vizave.

Ai ka thënë se institucionet e Kosovës, sado që janë mirënjohëse për misionin e fundit faktmbledhës të dhjetorit, po aq janë të dëshpëruara që ky mision ka ardhur në Kosovë gati 14 muaj pas misionit të fundit faktmbledhës.

Thaçi ka thënë se me ritmin e tillë të ngadalshëm, ka shqetësime reale se “ky proces kaq i rëndësishëm për vendin dhe qytetarin tonë do të vonohet edhe më shumë”.

“Ajo çka kemi kërkuar nga përfaqësuesit e Bashkimit Evropian është që të kemi interaksion më të madh. Të kemi misione faktmbledhëse, të kemi raportime me të shpeshta nga ana e tyre dhe në përgjithësi të intensifikohet agjenda e liberalizmit të vizave edhe nga ana e Brukselit”, ka thënë Thaçi.

Kreu i ekzekutivit kosovar është shprehur se pavarësisht ritmit të Brukselit karshi Kosovës, institucionet e vendit duhet të bëjnë edhe më shumë punë për liberalizimin e vizave.

“Si kurrë më herët pres nga të gjithë ju që të tregoni rezultate konkrete dhe të matshme në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe dukurive të tjera negative që janë prezente në shoqërinë tonë”, ka thënë Thaçi.

Nga data 2 deri më 6 dhjetor, në Kosovë ka qëndruar një mision faktmbledhës i Komisionit Evropian për të bërë vlerësimin e përmbushjes së kritereve që kanë të bëjnë me procesin e liberalizimit të vizave.
XS
SM
MD
LG