Ndërlidhjet

Maqedonia në 2013: Progres apo regres?


Përderisa për deputetët e partive politike në pushtet, 2013 ka qenë një vit i suksesshëm, vit që i ka dhënë shtytje procesit të integrimit me harmonizimin e legjislacionit të vendit me atë të Bashkimit Evropian, deputetët e opozitës janë të mendimit se viti që po e lëmë pas ka shënuar regres në më shumë dimensione sa i përket zhvillimit të shtetit demokratik.

Për partinë e kryeministrit të Maqedonisë Nikolla Gruevski, VMRO-DPMNE, 2013 ka qenë një vit i suksesshëm, veçanërisht në realizimin e politikave sociale.

Deputeti i kësaj partie Aleksandar Spasenovski thotë se parlamenti do të fokusohet edhe më tej në agjendën evropiane si dhe ligjet që kanë të bëjnë me mirëqenien sociale.

“Edhe gjatë 2014 ashtu si dhe në këtë vit që e lëmë pas pres rezultate edhe më të mira sa i përket përmirësimit të cilësisë së jetesës, hapjes së vendeve të reja të punës, kultivimit të raporteve ndëretnike si dhe me theks të veçantë pres të arrihet një konsensus i fuqishëm mes partive në pushtet dhe atyre në opozitë rreth interesave strategjike të vendit tonë”, nënvizon Spasenovski.

Gjersa për deputeten e Bashkimit Demokratik për integrim Ermira Mehmeti viti që po e lëmë pas ka kaluar nën hijen e ndriçimit të ngjarjeve të 24 dhjetorit me ç'rast u larguan me forcë deputetët e opozitës dhe gazetarët gjatë miratimit të buxhetit të këtij viti, gjë që siç thekson ajo kjo është reflektuar dhe në raportin e Komisionit Evropian për Maqedoninë.

“Kjo ngjarje e bëri jo të përshtatshme atmosferën për të bërë një lloj dialogu, produktiv politik apo për të pasur një dialog të mirëfilltë produktiv në sallën e parlamentit të Maqedonisë apo në trupat punuese të kuvendit republikan. Sa u përket shqiptarëve mendoj se 2013-ta padyshim se do ta shënojë fitorja e zgjedhjeve lokale nga ana e Fatmir Deharit në Komunën e Kërçovës, komunë kjo që pas 7 dekadash sërish drejtohet nga një kryetarë shqiptarë”, thotë Mehmeti.

Ajo shpreson se në 2014 do t'i jepet fund projektit megaloman Shkupi 2014 me atë që të krijohet hapësirë për projektet zhvillimore për shtetin dhe në të mirë të qytetarëve.

Por kolegu i saj nga radhët e partisë shqiptare në opozitë Bekim Fazliu nga Partia Demokratike Shqiptare, konsideron se 2013 është vit kur shqiptarët janë injoruar nga institucionet shtetërore të Maqedonisë.

Fazliu ka fokusuar mospërdorimin e denjë të gjuhës shqipe në Parlamentin e Maqedonisë.

Asnjë dokument të shkruar nuk e kemi këtu në gjuhën shqipe, por votuesit tonë kur u drejtohemi në gjuhën shqipe ata nuk e kanë mundësinë të na dëgjojnë në gjuhën shqipe, por ata dëgjojnë përkthyesit e parlamentit të cilët na përkthejnë në gjuhën maqedonase. Ose ajo se Komiteti për Marrëdhënie Ndëretnike nuk ka hapur debat asnjëherë për dështimin e procesit të integrimit të Maqedonisë në strukturat euroatlantike, dështim ky që ndikon drejtpërdrejt në përkeqësimin e raporteve ndëretnike”, shprehet Fazliu.

Ndërkaq, edhe opozita maqedonase, Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë pret që gjatë vitit të ardhshëm kjo përbërje qeveritare të fokusohet në procesin euro integrues.

Presim që qeveria më në fund të fillojë të përkushtohet në procesin e integrimit të vendit, dhe përmbushjen e kritereve që kërkohen nga komuniteti ndërkombëtare dhe jo të arsyetohet me bllokadën greke, sepse është më se e qartë se vendi ka shënuar regres sa i përket zhvillimit të demokracisë me theks të veçantë kur bëhet fjalë për lirinë e mediave”, vlerëson zëdhënësi i Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë, Petre Shilegov.
XS
SM
MD
LG