Ndërlidhjet

Qytetarët, skeptikë për ndryshime pozitive më 2014


Ilustrim

Ilustrim

Pritjet e qytetarëve të Kosovës, shqiptarë dhe serbë, për vitin 2014, janë të ndryshme, ndonëse një pjesë e tyre janë mjaft skeptikë se mund të ketë përmirësim të standardit jetësor, por edhe ndonjë rezultat pozitiv në fushat e ndryshme, qoftë politike, ekonomike apo sociale në vend.

Faruk Krasniqi nga Prishtina, punëtor në një kompani sigurimi, thotë se qytetarët, por edhe ai vetë, janë të prirë që të kenë pritje pozitive për vitin 2014, por përvoja nga vitet e kaluara, i zbeh pritjet dhe shpresat e njerëzve.

“Për vitin 2014 presim të bëhet diçka me mirë, siç na ka premtuar mbarë qeveria. Që nga paslufta e deri më tash, gjithmonë të njëjtat fjalë. Edhe ne me shpresë po presim që të bëhet më mirë, por kur mund të ndodhë kjo, as ne nuk e dimë. Që nga paslufta e deri me tash jemi gjithmonë me shpresë, 50 me 50, por ashtu siç po mendojmë ne nuk po bëhet”, shprehet Faruku.

Shemsie Novobërdaliu, një grua e moshës së mesme, shprehet mjaft pesimiste se 2014 mund të sjellë diçka të mirë për qytetarët. Ajo kritikon mënyrën e qeverisjes së deritashme në Kosovë dhe, siç thotë ajo, pritja e saj e vetme është që zhvillimin e Kosovës ta marrin në duar të rinjtë.

“Në 2014 pres se do të jetë më zi se në vitin 2013. Po e shohim këtë prej krizës. Derisa kjo qeveri ta ketë situatën në dorë, nuk ka asgjë. Duhet t’ia lëshojnë vendin rinisë dhe rinia do të bëjë diçka. Kryesorja është që të punësohet rinia, kjo është pika e parë, sepse neve tashmë na ka shkuar jeta. I kam dy vajza, me fakultete dhe me master, pa punë, në shtëpi, pa asgjë. Presim që të ndryshojë diçka”, thotë Shemsia.

Të ngjashme janë pritjet edhe të Arben Kelmendit, 40-vjeçar i papunë. Ai nuk pret ndryshime të dukshme në jetën e qytetarëve, të cilët, siç shprehet ai, janë të lodhur nga varfëria.

“Për vitin 2014 nuk presim shumë. Deri në fund të vitit 2014 nuk mbahen zgjedhjet e lira dhe nuk mund ta ndërrosh këtë qeveri. Nuk kemi gjasë ta ndërrojmë, ndërkaq populli është lodhur. Nuk mund të ngrihen as në protesta, aq shumë që janë të lodhur nga papunësia dhe varfëria. E kanë lodhur popullin me varfëri të skajshme. Kundër korrupsionit pres luftë më shumë, por prapë them, nuk jam shumë optimist, sepse populli është i lodhur”, pohon Arbeni.

Por, Krenare Mustafa, studente e Arkitekturës në Universitetin e Prishtinës, shpreson që në vitin 2014, të paktën të ketë ndryshime pozitive në universitet, ku sipas saj, ka pasur mjaft parregullsi, por edhe të ketë përmirësime në qytetin e Prishtinës, në përgjithësi.

“Sa i përket universitetit, shpresoj që s’ka për të pasur parregullsi siç ka pasur deri më tash dhe se do të ndërmerret diçka lidhur me këtë që ka ndodhur në Universitetin e Prishtinës. Në Prishtinë, po shpresoj që kryetari i ri do të bëjë diçka të mirë, ashtu siç ka premtuar, në përgjithësi, e sidomos për ne të rinjtë që kemi mbetur paksa të lënë pas dore”, shfaq dëshirat e saj Krenarja.

Nuredin Shala, inxhinier i Makinerisë, thotë se për shkak të situatës së rëndë të papunësisë, ai nuk punon në profesionin e tij, por ka hapur një biznes privat. Ai nuk shpreson që në vitin 2014 mund të ketë ndryshime pozitive në fushën e ekonomisë së vendit dhe përmirësim të jetës së qytetarëve. Por megjithatë, me një dozë skepticizmi, ai pret rezultate pozitive për vendin, në rrafshin politik.

Nga rrafshi ekonomik nuk pres ndonjë përmirësim më të madh se sa në vitin 2013. Ndërsa, në rrafshin politik ma merr mendja se Marrëveshja e 19 Prillit e këtij viti (në Bruksel) ka sjellë një risi, një përparim në integrimin e pjesës veriore të Kosovës. Mirëpo, mendoj se serbët do të vazhdojnë të bëjnë ende probleme, siç kanë bërë para lufte dhe pas lufte. Por, besoj që me mençurinë politike të qeverisë sonë dhe qeverisë së ardhshme, kushdo që të jetë, do ta mbajmë një baraspeshë. Do t’ia arrijmë, ma merr mendja që po”, vlerëson Nuredini.

Në anën tjetër, qytetarët serbë të veriut të Kosovës, konsiderojnë se viti 2013 ka qenë mjaft i vështirë në të gjitha fushat. Ndonëse disa prej tyre janë mjaft skeptikë, megjithatë ata shpresojnë se viti 2014 do të sjellë ndryshime pozitive.

Marko Kostiq, serb nga Mitrovica e Veriut, thotë se situata deri më tash ka qenë e rëndë në aspektin ekonomik, politik dhe social dhe nuk janë vërejtur përmirësime. Por, sipas tij, as në vitin 2014, përmirësimi i situatës në veri të vendit nuk do të varet nga Prishtina, e as nga Beogradi.

“E gjitha varet nga perëndimi, sepse ai gjithmonë ka qenë kreator i politikës. Historia po përsëritet. Duhet pasur mendjen në kokë dhe fillimisht të kemi shëndet, të jemi të vetëdijshëm dhe të mos ngutemi e të bëjmë gabime fatale, për të cilat fëmijët tanë nesër do të na mallkojnë”, thekson Marko.

Ljubica Stanojeviq, një grua e moshuar, nga Mitrovica, thotë se nuk pret asgjë më mirë në vitin 2014 se sa që, sipas saj, ishte në vitin 2013.

“Fillimisht, të kemi shëndet dhe pastaj dëshirojmë një jetë më të mirë. Por, ashtu siç ka qenë ky fundvit, ashtu do të jetë edhe viti i ardhshëm, madje edhe më keq. Jam person i zhvendosur, nuk kam as ndihmë sociale, e as të ardhura tjera. Atëherë, për çka të shpresojmë?”, shprehet Ljubica.

Por, krejtësisht ndryshe vlerëson Petar Jovanoviq, po ashtu një i moshuar nga Mitrovica e veriut. Ai nuk ka ankesa lidhur me jetesën, ndërkohë që për vështirësitë ekonomike, ai thotë se ato janë për të gjithë njëjtë:

“Është bukur, vetëm le të vazhdojë kështu. Ekonomia dhe problemet tjera i kanë prekur të gjithë, e jo vetëm neve. Njerëzit thonë që në vitin 2014 do të jetë më mirë, por çfarë do të ndodhë nuk e di”.

Jelena Stankoviq, një e re nga Mitrovica e veriut, thotë se dëshiron të jetë optimiste lidhur me vitin 2014, por megjithatë, nuk pret se do të ketë kthesa pozitive në jetën e qytetarëve. Sipas saj, njerëzit që janë në pushtet, nuk kanë bërë asgjë për të përmirësuar jetën e qytetarëve. Megjithatë, ajo dëshiron që kjo gjendje të ndryshojë gjatë vitit 2014.

“Dëshiroj që për të gjithë ne të ketë punë më të mirë, sepse ne të papunësuarit e dëshirojmë këtë tash e 10 vjet. Dëshiroj të kemi kushte normale për jetë, më shumë udhëtime, kënaqësi dhe kurrsesi të mos na vijë momenti me kuletë të zbrazur dhe për të menduar se si do ta presim ditën tjetër”, thotë Jelena.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG