Ndërlidhjet

Pritjet e qytetarëve të Maqedonisë për vitin 2014


Pamje nga Ohri
Pamje nga Ohri
Të gjithë qytetarët e Maqedonisë në fokus të dëshirave për Vitin e Ri kanë shëndetin e mirë dhe rehatinë shpirtërore.

Shaban Arsllani, qytetar, thotë se për të ardhmen e të gjithë të rinjve të Maqedonisë, shpreson që 2014-ta të jetë vit i zhbllokimit të procesit euro-integrues.

“Do të doja të ketë një zhbllokim të procesit të integrimit të Maqedonisë në Bashkimin Evropian dhe në NATO - një sfidë kjo që do të krijonte mundësi të reja për të gjithë qytetarët e vendit, do të krijoheshin kushte dhe për ngritje ekonomike, gjë që më së shumti i mungon vendit tonë për momentin”, shprehet Shaban Arsllani, sipas të cilit integrimi i vendit do të kontribuonte dhe në uljen e tensioneve ndëretnike.

Merxhlie Iljazi që studion drejtësinë, shpreson që këtë vit të përfundojë studimet dhe njëkohësisht të sistemohet në një vend pune në profesionin për të cilin po shkollohet:

“Nga viti 2014 presim më shumë të arritura në qytetin tonë. Si studente pres të përfundoj studimet dhe të gjej një punë”.

Edhe Kushtrim Aliu, profesor universitar shprehet se dëshirat më shumë janë të përgjithshme, sesa personale, sepse zhvillimet politike ndikojnë dhe në realizimin e synimeve personale.

“Në përgjithësi presim që viti 2014 të jetë më i suksesshëm, presim avancime si në aspektin ekonomik, ashtu edhe atë politik, thjesht presim të jetë një vit më i mirë se ky që e lamë pas”, thotë Kushtrim Aliu.

Ngadhënjim Mehmeti nga sektori civil thotë se ndoshta duket paradoksale të kërkohet si dëshirë, por si rrjedhojë e zhvillimeve të fundit, ai thotë se shpreson që qytetarët e Tetovës dhe më gjerë, të kenë mundësi të thithin ajër të pastër.

“Po uroj të kemi ajër më të pastër për Tetovën, pastaj problemi me ujin e pijshëm të zgjidhet njëherë e përgjithmonë, meqë ka më shumë se një dekadë që presim - këta janë dy dëshirat më të mëdha, e them këtë si qytetar i Tetovës”, tregon për dy dëshirat e tij Ngadhënjim Mehmeti.

Ndërsa, Zekiria Osmani, punëtor në pasti çeri thotë se shpreson për më shumë para dhe mirëqenie sociale, por dhe qetësi në aspektin ndëretnik.

“Po presim si popull që viti 2014 të jetë më i mirë, presim që të kemi një vit më të qetë, të mos ketë incidente në baza etnike ndërmjet të rinjve. Sa i përket realizmit të kërkesave tona, si qytetarë mendoj se çështja e gjuhës është më me prioritet. Të zbatohet dygjuhësia dhe mos ketë probleme ndërmjet të rinjve në autobusë, incidente këto që ishin të pranishme këtë vit”, thotë Zekiria Osmani.
XS
SM
MD
LG