Ndërlidhjet

Dështon privatizimi i PTK-së


PTK
PTK
Dështon përfundimisht procesi i privatizimit të 75 për qind të aksioneve të Postës dhe Telekomit të Kosovës.

Në një komunikatë për media, nga Ministria e Zhvillimit ekonomik, Komisioni Qeveritar për Privatizimin e PTK-së (KQP), njofton opinionin publik se, në bazë të dokumenteve të tenderit për privatizimin e PTK-së, të cilat kanë përbërë bazën për aplikim të pjesëmarrësve në këtë tender, data 30 dhjetor 2013 ka qenë data e fundit e mundshme për nënshkrim të kësaj kontrate.

Në bazë të opinionit ligjor të marrë nga këshilltari i transaksionit, KQP nuk ka bazë ligjore për shtyrje të mëtutjeshme të kësaj date.

Të gjendur në këtë situatë dhe në pamundësi të procedoj me nënshkrim të kontratës për shitje të aksioneve të PTK-së, Komsioni Qeveritar për Privatizim ka vendosur ta përmbyll procesin e privatizimit të 75% të aksioneve të PTK-së”, thuhet në komunikatë.

Sidoqoftë, procesi i privatizimit 75 të aksioneve të Postës dhe Telekomit të Kosovës, gjatë gjithë vitit është përcjellë më debate të shumta,si në Kuvendin e Kosovës nga deputetët të opozitës por dhe pozitës, si dhe nga ekspertë dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

Reagime pro dhe kundër privatizimit, fillimisht ishin ngritur më rastin e miratimit të strategjisë, duke vazhduar gjatë gjithë procesit për siç thuhej mungesë transparence.

Kundërshtimet më të mëdha, apo kërkesa për rishqyrtim të procesit u ngritën në muajin prill të këtij viti, kur qeveria e Kosovës morri vendim që të privatizoi 75 për qind të aksioneve se Postës dhe Telekomit të Kosovës.

Autoritetet kompetente si kompani fituese kishin shpallur kompaninë gjermane “AXOS:- Capital në konsorcium më “Najafi Companies LLC”, më një vlerë 277 milionë euro.

Partitë opozitare, konkretisht Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje kërkonin pezullimin e privatizimit, për shkak të çmimit të ulët por edhe për dyshimet e prejardhjes se kapitalit të kompanisë fituese, kurse partia në pushtet pohonte se procesi është zhvilluar konform procedurave ligjore.

Këto dy parti opozitare në muajin tetor kanë iniciuar thirrjen e një seance të jashtëzakonshme, duke kërkuar formimin e një komisioni hetimor parlamentar në lidhje me privatizimin e PTK-së.

Përplasjet më të mëdha filluan këtu, kur disa herë në mungesë të kuorumit është pamundësuar miratimi i raportit të Komisionit për privatizimin e 75 për qind të aksioneve të Postës dhe Telekomit të Kosovës, raport ky që jepte dritën e gjelbër nënshkrimit të kontratës, afati i së cilës u shty disa herë.

Deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, mospjesëmarrjen në seanca e arsyetonin me faktin se privatizimi i PTK-së, nuk është në interes të qytetarëve të Kosovës.

Arben Gashi, nga LDK-ja patë thënë se partia e tij e përkrah privatizimin, por privatizimi i PTK-së, sipas tij, nuk është në funksion të ekonomisë së tregut të lirë.

Jemi kundër këtij privatizimi dhe kësaj forme të privatizimit, sepse besojmë se nuk është në interes të ekonomisë së tregut të lirë dhe në interes të qytetarëve të Kosovës. Prandaj, si veprim politik ne kemi ndërmarrë sot një veprim, i cili pamundëson, në këndvështrimin tonë, marrjen e vendimit, të paktën ne tentojmë, që vendimi për shitjen e 75 për qind të aksioneve të PTK-së, të pamundësohet”, u shpreh Gashi

Ndërkaq, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, shprehet shqetësimin se qeveria jo se po shet, por edhe po e blen Telekomin. Sipas tij, nuk dihet se të kujt janë 277 milionë euro.

Unë dyshoj se kjo qeveri, jo vetëm që po e shet, por edhe po e blen Telekomin. Ose, më saktë, qeveria e shet, disa qeveritarë dhe kryeministri e blejnë. Prandaj, ne ende nuk mund të themi se këtu bëhet fjalë për kurrfarë investimesh të huaja përderisa nuk e dimë se të kujt janë ato 277 milionë euro", pat thënë Kurti.

Në përpjekje për të shitur 75 për qind të hises të PTK-se, qeveria e Kosovës kërkoi që miratimi i leximit të dytë të buxhetit për vitin 2014, të futet më një pako me amendamentin për privatizimin e kompanisë.

Partia në pushtet konsideronte se shitja e PTK-se është më interesin e të gjitha subjekteve politike.

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci, kishte thënë:

“Çështja e privatizimit të PTK-së e dimë se ka mbetur e pa përfunduar apo pa përmbyllur nga Kuvendi i Kosovës. E mira e të mirës kishte me qenë që kjo pikë të vendoset si pikë e rendit të ditës dhe të përmbyllet. Kuvendi të merr një vendim, nuk dua të paragjykoj, qoftë për apo kundër dhe ta thotë fjalën e vet dhe besoj që kjo është mënyra më e mirë”, ka thënë Grabovci.

Pas kundërshtimeve të opozitës, Qeveria e largoi nga pakoja këtë amandamet, buxheti u miratua, ndërsa PTK prapë mbeti e “bllokuar".

Sidoqoftë, ekspertë për çështje ekonomike pas problemeve të paraqitura kërkon që procesit të privatizimit të PTK-së t’i jepet kohë.

Eksperti për çështje ekonomike, Ibrahim Rexhepi, tha se Qeveria e Kosovës duhet të diskutojë dhe t’i gjen gabimet apo lëshimet e saj rreth këtij procesi.

Në këtë proces kanë ndodhur tri probleme shumë të rëndë. E para është vërejtur shumë qartë ka pasur mospërfillje të ligjit dhe mos respektim të institucioneve të vendit, në rastin konkret mos respektim të Kuvendit të Kosovës i cili kurrë nuk ka marr vendim për shitjen e PTK-së. E dyta është dëmtuar biznesi i PTK-së pasi që zhvillimi i saj ka qenë i bllokuar dhe ka hupur hapin me konkurrencën, dhe se treti ka zbehur imazhin e vendit në raport me investitorët ndërkombëtarë”, shton Rexhepi.

Ndryshe, në tetor të vitit 2011, kishte dështuar privatizimi i Postë-Telekomit të Kosovës.

Procesi ishte mbyllur i pasuksesshëm, pasi nga gara ishte tërhequr Telekomi kroat, meqë, siç thuhet, menaxherët e Postës dhe Telekomit të Kosovës dyshohen për korrupsion

PTK-ja është një prej kompanive më fitimprurëse publike në Kosovë, e cila për çdo vit i ka sjellë buxhetit të Kosovës të hyra prej 40 milionë eurosh. Vetëm në vitin 2009, Qeveria e Kosovës me një vendim, i ka marrë rreth 180 milionë euro të hyra të grumbulluara për disa vjet në Postë-Telekomin e Kosovës.

Privatizimi i PTK-se deri më tani ka kaluar në disa procese.

Ndërkaq, që nga fillimi i procesit të Privatizimit të Postë-Telekomit të Kosovës, i cili kishte filluar në vitin 2009, e deri më tani, Qeveria e Kosovës ka shpenzuar afër 8 milionë euro për këshilltarë të transaksionit dhe për këshilltarë strategjikë.
XS
SM
MD
LG