Ndërlidhjet

Analistët: Maqedoninë do ta përcjellin sfidat e 2013-s


Pamje nga Shkupi.
Pamje nga Shkupi.
Zhvillimet që përcollën Maqedoninë gjatë vitit 2013, nuk lënë hapësirë për shumë optimizëm për ndryshimin gjërave gjatë vitit 2014, vlerësojnë njohësit e çështjeve politike.

Ata thonë se viti i kaluar ishte i rëndë për Maqedoninë, si në planin e brendshëm, ashtu edhe në atë ndërkombëtar.

“Maqedonisë nuk i ka ndodhur asgjë e mirë. Kjo mund të tingëllojë si pikëpamje pesimiste dhe nihiliste, mirëpo nëse i shohin të gjithë parametrat si në aspekt të zgjidhjes së kontesteve të hapura, si çështja e emrit me Greqinë apo e kishës me Serbinë, pastaj çështjet e hapura brenda vendit, çështja e moszgjidhjes së përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe apo ajo e raportit të qeverisë me mediat. Pra, të gjitha këto procese kanë ndërlikuar gjendjen në Maqedoni dhe e kanë bërë vendin shumë të brishtë dhe është futur në një spirale të re të destabilizimit”, thotë Xhelal Neziri, analist dhe drejtues i Qendrës për gazetari hulumtuese.

Neziri konsideron se edhe gjatë vitit 2014, Maqedonia do të përballet me problemet e njëjta nëse klasa politike udhëheqëse nuk ndryshon kursin e veprimit.

Mirjana Najçevska, nga Instituti për hulumtime politike, sociologjike dhe juridike dhe profesoreshë në Universitetin e Shkupit, thotë se edhe viti 2013 ishte vit i manipulimeve, i varfërisë dhe i politizimit të çdo segmenti të jetës.

“Në Maqedoni nuk ka mbetur asnjë segment jashtë asaj që quhet interes i partive politike. Ato nuk kontrollojnë vetëm jetën e qytetarëve, por pengojnë zhvillimin e vendit. Qytetarët edhe gjatë këtij viti iu nënshtruan manipulimeve lidhur me të kaluarën e tyre historike, duke futur konfuzion në atë që quhet identitet nacional. Me këtë është shkaktuar edhe përçarje mes njerëzve që do të reflektohet edhe në jetën e tyre të mëtejmë”.

“Me këtë, gjithashtu, tentohet të zhvendoset vëmendja e qytetarëve nga problemet reale, që janë të shumta. Edhe gjatë këtij viti, papunësia dhe gjendja e rëndë sociale ishin brengat kryesore të tyre. Sistemi gjyqësor është problem në vete, qytetarët janë ende larg një sistemi të pavarur e të pakorruptuar apo jashtë ndikimeve politike”
, thotë Najçevska.

Ajo shton se manipulimet e pushtetit, siç shprehet, do të vazhdojnë edhe gjatë këtij viti para së gjithash për faktin se Maqedonia përveç zgjedhjeve të rregullta presidenciale, mund të ketë edhe zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Mersel Bilall, analist dhe profesor i Shkencave Politike në Universitetin “Fon” të Shkupit, thotë se papunësia, varfëria, bllokimi i procesit integrues dhe marrëdhëniet e tendosura ndëretnike, janë disa nga problemet që karakterizuan Maqedoninë edhe gjatë vitit të kaluar.

“Marrëdhëniet ndëretnike kanë qenë dëm kolateral i një politike, e cila bazohet në populizëm dhe nacionalizëm, pra ndryshe edhe nuk mund të funksionojnë politikat e tilla. Kështu që e gjithë ajo ka qenë si duket një skenar me qëllim të mbajtjes së atmosferës dhe tensioneve të favorshme për një politikë të tillë”, vlerëson Bilalli, duke shpresuar në ndryshime pozitive gjatë vitit 2014:

“Unë mendoj se viti 2014 do të jetë një antipod i ‘Shkupit 2014’, dhe unë mendoj se ndryshimet domosdo do të imponohen dhe format se si do të ndodhin ato varen nga shumë faktorë, në radhë të parë nga faktorët e brendshëm se a do të jenë racionalë. Por, sidoqoftë besoj se do të ketë ndryshime”.

Analistët porosisin politikanët të kenë kujdes në veçanti me raportet ndëretnike, pasi tensionimi i tyre rrezikon jo vetëm jetën e qytetarëve, por edhe stabilitetin dhe të ardhmen e vendit.
XS
SM
MD
LG