Ndërlidhjet

Greqia në krye të BE-së zbeh pritjet e Shkupit


Pamje nga Shkupi

Pamje nga Shkupi

Drejtuesit e institucioneve nuk kanë komentuar kryesimin e Bashkimit Evropian nga Greqia në gjashtë muajt e parë të vitit 2014, por disa prej tyre në fjalimet e fundvitit, si fajtor kryesor për bllokimin e procesit integrues të Maqedonisë kanë apostrofuar shtetin grek.

Ministri i Jashtëm, Nikolla Poposki, madje kishte deklaruar se Maqedonia do të refuzojë prerazi çdo ultimatum apo kushtëzim që mund të vijë nga Athina zyrtare.

Ngjashëm ishte shprehur edhe presidenti Gjorgje Ivanov, duke lënë për të kuptuar se Maqedonia do të refuzojë çdo iniciativë që do të cenonte identitetin, kulturën dhe gjuhën maqedonase.

Duke komentuar qëndrimet e tilla, analistët jo vetëm që nuk presin lëvizje në çështjen e integrimit gjatë presidencës greke me BE-në, por, përkundrazi, përkeqësim të mëtejmë të pozicionit të Maqedonisë karshi integrimit.

“Vlerësimi im është se pozicioni grek nuk do të lëvizë për asnjë milimetër në periudhën që ndodhet para nesh, por më e keqja është se gjithnjë e më shumë shtete të BE-së, sikur po pajtohen me një qëndrim të tillë të Greqisë”.

“Përshtypja ime është se ndoshta tani ka ardhur koha për një nismë të partive në pushtet për thirrjen e një tubimi të gjerë politik për një marrëveshje rreth disa çështjeve kryesore, së pari dhe më kryesorja se a do të mbetet Maqedonia edhe më tej në pozicionin e tanishëm apo nëse do të arrihet një konsensus i ri për ndonjë alternativë të re”, thotë Stevo Pendarovski, ish- drejtues i Këshillit për çështje euroatlantike të LSDM-së dhe profesor i së Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Shkupit.

Ai thekson se kjo duhet të ndodhë për faktin se pozicioni, ku ndodhet Maqedonia, është pa perspektivë për qytetarët, të cilët të ardhmen e tyre ndërlidhin me inkuadrimin e vendit në Bashkimin Evropian.

Nga kryesimi grek me BE-në, nuk pret asnjë zhvillim edhe ish-diplomati Alajdin Demiri, profesor në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë.

Madje, ai shprehet i bindur se pala maqedonase me disa veprime ka dëshmuar se nuk është e interesuar për proceset integruese evropiane.

“Nëse e shikojmë fjalimin e presidentit Ivanov, nëse e shohim mesazhin e ministrit të Jashtëm, ata në vetëm ngërthejnë edhe një tendencë tjetër të injorimit apo të mosdashjes së anëtarësimit të Maqedonisë në Bashkimin Evropian, se po të ishte ndryshe, kontestet janë të zgjidhshme”.

“Mirëpo, Maqedonia me kokëfortësi ec drejt koncepteve që nuk ofrojnë zgjidhje duke dashur që në mënyrë indirekte Greqinë ta ulë në bankën e akuzës, se Greqia është ajo që e pengon, se ajo është pengesa e Bashkësisë Evropiane, kurse Maqedonia është ai qengji që paraqitet si viktimë”, shprehet Demiri, duke shtuar se me një qasje të tillë, asnjëherë nuk do të arrihet në zgjidhjen e kontestit.

Por, ndryshe nga Demiri dhe Pendarovski vlerëson, ish-diplomati tjetër Risto Nikovski. Ai konsideron se pala maqedonase duhet të arrijë një pajtueshmëri vetëm sa i përket vijave të kuqe, por kurrsesi të dalë me ndonjë propozim për zgjidhjen e kontestit.

“Ne duhet të arrijmë pajtueshmëri për vijat e kuqe se deri ku mund të shkojmë dhe çfarë mund të bëjmë. Nuk ka nevojë për hartimin e ndonjë strategjie për euro-integrimet, pasi çështja e vetme, e cila pengon këtë proces, është ajo e emrit. Ne, gjithashtu, nuk duhet të dalim me ndonjë propozim për zgjidhje, pasi kjo do të devalvonte pozicionin tonë”.

“Pra, ne vetëm duhet të riafirmojmë pozicionin tonë se nuk duhet pranuar zgjidhje që dëmton identitetin, gjuhën dhe kulturën tonë, pasi edhe nga deklarata e fundit e ambasadorit amerikan, Pol Ëholers, u bë e qartë se nuk bëhet fjalë vetëm për çështjen e emrit, por edhe për identitetin se duhet kërkuar identitet të ri, e kështu me radhë”,
vlerëson Nikovski.

Maqedonisë në samitin e dhjetorit të BE-së, iu konfirmua për të gjashtën herë statusi i shtetit kandidat, por nuk iu caktua data për nisjen e bisedimeve për anëtarësim për shkak të kontestit me Greqinë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG