Ndërlidhjet

Dodik: Do të forcojë autonominë/pavarësinë e Republika Sërpska


Banjallukë - Presidenti i Republikës Serbe të Bosnjës dhe Hercegovinës, Millorad Dodik (Ilustrim)
Banjallukë - Presidenti i Republikës Serbe të Bosnjës dhe Hercegovinës, Millorad Dodik (Ilustrim)
Presidenti i Republikës Serbe të Bosnjës, Millorad Dodik ka thënë të premten se synimi i qeverisë aktuale të këtij entiteti në Bosnje e Hercegovinë mbetet forcimi i autonomisë së Republikës Sërpska, si pikëthemel i ecjes së saj të mëtejme drejt pavarësimit nga Federata e Bosnjës dhe Hercegovinës.

“Republika Serbe [e Bosnjës], me përjashtim të çështjeve të brendshme dhe sfidave që kishte, ka qenë vazhdimisht në luftë për ekzistencën e saj përmes reformave të ashtuquajtura ‘të shumëllojshme’, të cilat natyrisht se duhej t’i zbatonim, pasi ishim të detyruar”, citohet të ketë thënë Dodik nga agjencia serbe e lajmeve beta, gjatë një ceremonie për nder të Ditës së Republikës të Serbisë.

Ai ka porositur se dëshira e tij është që Republika Sërpska të jetë edhe tutje stabile, dhe e qetë, pasi kjo i duhet për të arritur qëllimet.

"Republika Sërpska, përkundër mundësive dhe fatkeqësive, duhet të ridefinoj e më pastaj t’i detajoj qëllimet e veta, dhe të mbetet e përkushtuar maksimalisht në përmbushjen e tyre”, ka thënë ai.

Sipas presidentit të Republikës Serbe të Bosnjës dhe Hercegovinës, ky entitet prej formimit ka qenë më shumë i nënshtruar ndaj presioneve nga jashtë, sesa nga brenda shoqërisë.

Dita e Republikës së Serbisë shënohet me 9 janar.
XS
SM
MD
LG