Ndërlidhjet

Maqedoni: Ligj mbrojtës për denoncuesit e korrupsionit


Ilustrim

Ilustrim

Organizatat Joqeveritare kanë kërkuar miratimin e një ligji të veçantë, nëpërmjet të cilit do të mund të mbroheshin të gjithë ata qytetarë dhe subjekte juridike, që denoncojnë rastet e korrupsionit tek organet përkatëse.

Sllagjana Taseva, nga “Transparency International – Maqedoni” konsideron se një ligj i këtillë duhet të miratohet sa më parë dhe i njëjti menjëherë të hyjë në fuqi dhe jo ashtu siç planifikon qeveria që ligji në fjalë të fillojë të zbatohet pas dy vjetësh.

“Përmes këtij ligji, duhet të sigurohen mekanizma për mbrojtjen e të gjithë atyre qytetarëve, të cilët do të vihen në ballë të luftës kundër korrupsionit. Këta mekanizma është me rëndësi të jenë efikas dhe lehtë të zbatueshëm . Është fakt se ne kemi problem me jetësimin e ligjeve, por besoj që është koha e fundit që ne të tregohemi të përgjegjshëm ndaj kritikave të organizatave ndërkombëtare se nuk mjafton të miratohen vetëm ligjet evropiane, por të njëjtat duhet të gjejnë dhe zbatim praktik”, thekson Taseva.

Sipas Tasevës, nëse qytetarët do të kenë mbrojtje ligjore në rastet kur ata denoncojnë korrupsionin, kjo do të ndihmojë që saktë të detektohen ato institucione dhe drejtuesit e tyre, se cilët mekanizma dhe dobësi ligjore i shfrytëzojnë për t`i hapur rrugë pranisë së korrupsionit.

Por, me këtë nuk pajtohet Arif Musa, ish-anëtar i Komisionit shtetëror për parandalimin e korrupsionit, sipas të cilit edhe deri më tani qytetarët nuk kanë hezituar të denoncojnë korrupsionin, por problemi gjithmonë ka qëndruar në mosgatishmërinë e institucioneve për të marrë masa konkrete ndaj këtyre denoncimeve.

“Guximi te qytetarët, po edhe te personat juridikë, edhe ashtu deri më tani nuk ka munguar. Por, problemi qëndron në marrjen e hapave konkretë nga ana e institucioneve përkatëse, pasi të denoncohet korrupsioni, (raste) që deri më tani kanë qenë shumë të vogla”.

Nuk mund të themi se deri më tani nuk ka pasur denoncime nga qytetarët ose organizatat e ndryshme, të cilat merren me parandalimin e korrupsionit, por efekti ka qenë shumë i vogël. Tani me miratimin e një ligji të veçantë, mund të rritet fluksi i denoncimit të korrupsionit”, thekson Musa.

Ndërkaq, Ana Janeva - Delleva nga “Transparency International” për Maqedoninë, thotë se opinion duhet të informohet mirë që ta ketë më lehtë të detektojë mënyrat e shfaqjes dhe funksionimit të korrupsionit në shoqëri, dhe jo më pak i rëndësishëm është dhe fakti që ata të vetëdijesohen se korrupsioni krijon konkurrencë jolojale në shoqëri.

“Nevojitet krijimi i një bazamenti të mirëfilltë juridik që do t’i mbrojë të gjithë ata që denoncojnë korrupsionin, nga revanshizmi i mundshëm nga ana e punëdhënësit. Por, më e rëndësishme për mua është realizimi i një fushate të mirëfilltë, si nga mediat, ashtu dhe nga ana e sektorit civil, për ngritjen e vetëdijes së qytetarëve që ata ta kuptojnë qartë sa shumë e rrënon sundimin e së drejtës prezenca e korrupsionit”, shprehet Janeva – Delleva.

Ndryshe, Ministria e Drejtësisë, këtë ligj ishte paraparë që ta hartoja në dhjetor të vitit 2013, por i njëjti ende s`ka hyrë në procedurë parlamentare.

Autoritete t qeveritare kanë theksuar disa herë se nuk do të kursehet askush, për të cilin ka dëshmi se ka keqpërdorur detyrën zyrtare, duke apostrofuar miratimin e ligjeve konform rregullativës ligjore të vendeve të BE-së, si dhe funksionimin e Komisionit shtetëror për parandalimin e korrupsionit si organ i pavarur.

Ndërkohë, Maqedonia në vazhdimësi përballet me kritikat e faktorit ndërkombëtar për mosrealizimin me sukses të luftës ndaj korrupsionit në institucionet kyçe të vendit.
XS
SM
MD
LG