Ndërlidhjet

Abdixhiku: Kosova me probleme të mëdha ekonomike


Lumir Abdixhiku
Lumir Abdixhiku
“Kosova nuk po arrin të sigurojë bazamentin e një shteti ligjor, funksional dhe të drejtë për bizneset, për qytetaret e vet dhe investitorët e huaj. Kemi institucione të cilat besojnë se gjithçka është në rregull dhe që çdo trend ekonomik po shkon mbarë. Derisa kemi një situatë ekonomike që është mjaft shqetësuese për vetë faktin që papunësia dhe varfëria kapin shifra alarmante", thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, drejtori i instituti “Riinvest”, Lumir Abdixhiku.

RADIO EVROPA E LIRË
Kosova e përmbylli edhe një vit me një gjendje jo të mirë ekonomike dhe sociale, më një papunësi prej mbi 30 për qind dhe një varfëri ekstreme prej mbi 10 për qind. Pse nuk u arrit të adresohen apo të zbuten këto probleme?

LUMIR ABDIXHIKU
Unë besoj që ka një shpërputhje serioze mes percepcionit të institucioneve tona dhe situatës reale ekonomike që është në Kosovë. Kemi institucione të cilat besojnë se gjithçka është në rregull dhe që çdo trend ekonomik po shkon mbarë. Në anën tjetër kemi një situatë ekonomike që është mjaft shqetësuese për vetë faktin që këta numra ekonomik që ju përmendët mbesin të pa ndryshuar në disa vite.

Në radhë të parë, papunësia mbetet e pandryshuar në disa vite, deficiti tregtar parqet një disbalanc mes importit dhe eksportit kosovarë i cili është shqetësues dhe pa ndonjë potencial ekonomik.

Rritja ekonomike mbetet simbolike 2.5 për qind, dhe gati katër herë më pak se ajo e nevojshme, ndërkaq investimet e huaja mbesin larg prej Kosovës. Në një rrethanë të tillë Kosova po kalon në një vit sërish të status quo –s dhe ngecjes ekonomike dhe kjo si rezultat i mos vullnetit të qeverisjes për të ndërmarrë reforma ekonomike që i kemi përmendur në vazhdimësi tani e sa vite.

RADIO EVROPA E LIRË
Cilat reforma?

LUMIR ABDIXHIKU
Këto reforma kanë të bëjnë më sigurimin e një ambienti ligjor, me një sigurim të një imazhi më të mirë, nëpërmjet luftimit të korrupsionit dhe informalitetit në vend dhe he nëpërmjet ofrimit të kushteve konform të një tregu të lirë që i jep mundësi secilit biznesit për të prodhuar, për të krijuar vlerë dhe për të punësuar.

Këto politika fatkeqësisht nuk i kemi parë asnjëherë në Kosovë deri më tani, dhe për vitin 2013 që reflekton edhe në vitet vijuese nuk ka ngjarë ndonjë ndryshim i madh që mund të reflektoj ndryshim në vitet e ardhshme.

RADIO EVROPA E LIRË
Keni thënë se sfidë e veçantë në vitin 2013, do të jetë kontrolli doganor në veriun e Kosovës në theks të veçantë në mbledhjen e parave nga produktet që vinë në veri. Si e vlerësoni këtë element, është arritur të sfidohet ky problem nga autoritetet e Kosovës?

LUMIR ABDIXHIKU
Buxheti i Kosovës i aprovuar nga Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës, fatkeqësisht nuk parqet ndonjë ndryshim radikal të të hyrave buxhetore. Rritja është simbolike. Në një vit, në një retrospektivë një vjeçare, veriu mbetet edhe më tutje një burim i informlitetit dhe evazionit fiskal.

Këto para dhe këto aktivitete ekonomike nuk gjenerojnë në buxhetin e Kosovës, ka një kontroll simbolik atje, prezenca e institucioneve tona atje është politike sa për të mbajtur një paqe politike, para një stabiliteti ekonomik.

Në vitin 2013 kemi një karakteristikë të re të politikë bërjes ekonomike, që ka të bëjë me fondin zhvillimor të veriut, që do të thotë që çdo e ardhur që do të merret atje eventualisht në të ardhmen do të kanalizohet nëpërmjet një fondi që fatkeqësisht është paralel me buxhetin e Kosovës.

Pra, unë nuk shoh ndonjë lëvizje serioze drejt informalitetit në pjesën veriore, por nuk shoh ndonjë lëvizje serioze në luftimin e informaliteti edhe në pjesën tjetër të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Cilat duhet të jenë hapat konkretë të Qeverisë së Kosovës në luftimin e këtyre dukurive?

LUMIR ABDIXHIKU
Duhet të kenë një administratë tatimore më efikase në rritjen sa i përket numrit të inspektorëve tatimorë. Kujtoj që Kosova nuk ka më shumë se 700 inspektorë tatimor dhe një pjesë e këtyre inspektorëve punojnë brenda në zyre. Rrjedhimisht një numër i madh i bizneseve prej 61 mijë bizneseve në Kosovë mbeten të pa inspektuara.

Kosova vazhdon të mos ketë një njësi të veçantë të policisë financiare, që do t’i targetonte aktivitetet kriminale ekonomike në fokus të evazionit fiskal, dhe në anën tjetër Kosova gjithashtu duhet të rrisë gatishmërinë vullnetare të taksapaguesve.

Kujtoj që me menaxhimin e tanishëm të parasë publike, pagesa e taksave shihet më shumë si një kontribut i aferave korruptive, se sa një kontribut patriotik ndaj shtetit. Ky relacion duhet të përmirësohet, në mënyrë që të kemi ulje të tendencës për evazion dhe informalitet dhe në anën tjetër të kemi një ulje të aktivitetit informal përmes inspektimit që është shumë i ulët.

Pa dyshim duhet të përmendim faktin se ne duhet t’i fuqizojmë gjykatat dhe prokurorinë kosovare, që e cila po ashtu ka probleme të aferave korruptive dhe mos efiçencës në mënyrë që të krijohet një ambient ligjor në radhë të parë në Kosovë. Kosova nuk po arrin të sigurojë bazamentin e një shteti ligjor dhe funksional dhe të drejtë për bizneset për qytetaret e vet dhe investitorët e huaj.

RADIO EVROPA E LIRË
Ku duhet orientohen politikat ekonomike të Qeverisë në vitet e ardhshme, cilat janë sektorët ku mund të investohet që të ketë një zhvillim më të hovshëm ekonomik?

LUMIR ABDIXHIKU
Në aspektin makroekonomik, besoj që institucionet e Kosovës duhet të fokusohen në radhë të parë dhe pa kompromis në sundimin e ligjit dhe në luftën ndaj informalitetit dhe korrupsionit. Për të bërë këtë gjë duhet pasur vullnet politik, pra institucionet duhet të kalojnë nga tryezat që organizojnë shpesh, tryeza të këshillit të ministrave, tryeza të presidencës, që më tepër janë tryeza formale, pa ndonjë rezultat, në një vullnet real politik për të parandaluar aferat korrputive, meqenëse ky korrupsion krijohet nga institucionet publike, nuk krijohet nga qytetarët, por nga prokurimi publik.

E dyta, është që në aspektin makro ekonomik të kemi një stabilitet financiar nëpërmjet krijimit të politikave të favorshme që ulin normat e interesit në mënyrë që qytetarët të kenë qasje në financa në kapital.

E treta, është që të ketë politika të favorshme tregtare ndaj prodhuesve vendor, meqenëse kjo siguron një potencial të brendshëm ekonomik në balancin e tanishëm të deficitit tregtar, që çdo para që vjen në Kosovë largohet prej Kosovës, menjëherë dhe ne duhet ta ndalim këtë para në Kosovë nëpërmjet krijimit të një vlere të brendshme. Pra të kemi një ekonomi të brendshme të qëndrueshme që krijon diçka dhe mos të jemi një shtet konsumues.

Dhe elementi i katërt, do të ishte përmirësimi i imazhit politik të Kosovës, të mos vazhdojmë me afera politike mjaft denigruese, por të japim një imazh të mirë për investitorë të jashtëm, në mënyrë që ata të ndihen të sigurt.

Janë disa sektorë që do të kishin mundësi për rritje më të shpejt përveç sektorit të
përpunimi i ushqimit, një sektorë mjaft i rëndësishëm, do të ishte sektori i teknologjisë informative, pasi që kemi një rini me mjaft interes dhe kapacitet për të njohur aftësi teknologjike, por edhe për të përdoruar këto në prodhimin e softuerëve kompjuterik.

Po themi që kemi përparësi krahasuese në disa industri të përpunimit të ushqimit, të cilat këto përparësi kërkojnë dije, investime madhore, por edhe politika të favorshme fiskale dhe mund të bëjmë një menaxhim më të mirë të minierave dhe resurseve natyrore që ka Kosova.

Faza e ardhshme e investimeve në Kosovë, do të konsolidohej rreth këtyre resurseve natyrore që ka Kosova.
XS
SM
MD
LG