Ndërlidhjet

SHBA përshpejton dërgesat ushtarake për Irakun


Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Jay Carney.
Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Jay Carney.
Shtetet e Bashkuara thonë se do të përshepjtojnë dërgesat e pajisjeve ushtarake në Irak, për të ndihmuar këtë vend që të luftojë militantët e lidhur me Al Kaidën.

Komentet vijnë nga zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Jay Carney, pasi Shteti Islamik i Irakut dhe Levant, grup i lidhur me Al Kaidën, kanë kapur javën e kaluar pjesë të Falluxhas dhe të Ramadit, qytete këto të provincës Anbar.

Carney u ka thënë gazetarëve në Uashington se Shtetet e Bashkuara do të dërgojnë raketa shtesë Hellfire, këtë pranverë.

Në përpjekje për të ndihmuar Irakun që të ndjekë grupet militante, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë ka thënë se Uashingtoni do të sigurojë më shumë aeroplanë pa ekuipazh të mbikëqyrjes: dhjetë në javët e ardhshne dhe 47 të tjerë më vonë.

Megjithatë, Carney ka insistuar se Iraku duhet të trajtojë vetë konfliktin.

“Kjo është diçka që irakianët të marrin vetë udhëheqjen dhe ta trajtojnë vetë. Kjo nuk do të thotë se ne nuk mund të ndihmojmë. Jemi duke punuar nga afër me irakianët në një strategji për izolimin e grupeve të lidhura me Al Kaidën. Kemi parë disa suksese në Ramadi, ku forcat fisnore dhe policia kanë izoluar Shtetin Islamik të Irakut dhe Levantin në margjina të qytetit. Situata mbetet e ndjeshme dhe është shumë herët të bëhen konstatme rreth saj”, ka thënë Carney.

Me qindra banorë që kanë ikur tashmë nga granatimet dhe sulmet ajrore të forcave qeveritare, kryeministri i Irakut, Nuri al-Maliki u ka bërë thirrje banorëve të Falluxhas që të ndërmarrin aksione për të dëbuar militantët nga qyteti dhe, në këtë mënyrë, të shmangin sulmet e ushtrisë irakiane.

Ai po ashtu ka thënë se ka urdhëruar forcat e sigurisë që të mos sulmojnë zonat e banuara.

Irani, aleat i Qeverisë së Malikit, ka ofruar ndihmë. Zëvendësshefi i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë iraniane, gjenerali Mohammad Hejazi, ka ofruar “pajisje dhe këshilla” për të ndihmuar në luftën kundër militantëve. Megjithatë, ai ka thënë se nuk ka pasur kërkesë nga Bagdadi për operacion të përbashkët.

Luftimet e fundit kanë shpërthyer në provincën Anbar, në perëndim të Bagdadit, më 30 dhjetor, pasi një kamp i protestuesve sunitë në Ramadi është çmontuar nga forcat qeveritare. Qeveria ka thënë se kampi ka shërbyer si bazë për militantët e lidhur me Al Kaidën.

Pakica sunite e Irakut, për vite të tëra, ka akuzuar qeverinë e udhëhequr nga shiitët se kërkon të margjinalizojë komunitetin e saj.

Pas ndërhyrjes së udhëhequr nga SHBA-ja në Irak, më 2003, Al Kaida është poziconuar në Falluxha, ku kanë ndodhur disa vrasje të të huajve. (v.tela)
XS
SM
MD
LG