Ndërlidhjet

Proceset ekonomike, sfidë për qeverinë


Ilustrim
Ilustrim
Prioritetet e ekzekutivit të vendit për vitin 2014 duhet të jetë zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik, inkurajimi i bizneseve, qoftë vendore apo të huaja, por edhe investimet ndërkombëtare, thonë ekspertë për çështje ekonomike dhe përfaqësues të komunitetit të biznesit.

Profesori në Universitetin e Prishtinës, Berim Ramosaj, konsideron se Qeveria e Kosovës është sfiduar nga procesi i moszhvillimit ekonomik. Sipas tij, ekzekutivi është në preokupime politike dhe jo ekzekutive.

Ndërkaq, opozita nuk ofron alternativa të reja por merret më pasojat e politikës.

“Një qeveri që garanton një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, jo vetëm rritje ekonomike, por zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, do të thotë reformim të administratës, inkurajim të bizneseve, qoftë vendore, qoftë të huaja, dhe tërheqjen e investitorëve të jashtëm, duhet të bëjë një politikë krejtësisht të natyrës të sfidave të sigurisë dhe dialogut”, shprehet Ramosaj.

Në anën tjetër, Agim Shahini, udhëheqës i Aleancës Kosovare të Biznesit, shprehet se prioritet i qeverisë duhet të jetë krijimi i politikave që forcojnë konkurrencën e sektorit privat.

Dhe kjo, sipas tij, realizohet duke bërë reforma të thella të politikave fiskale, në mënyrë që të përmirësohen kushtet për biznesin, ekonominë por edhe investitorët e huaj.

Megjithatë, Shahini dyshon se gjatë këtij viti do të ketë ndryshime ekonomike, pasi siç thotë ai, ekzekutivi do të fokusohet nga zgjedhjet parlamentare, duke anashkaluar proceset ekonomike.

“Asnjë qeveri nuk është marrë në mënyrë aktive për të forcuar ekonominë vendore, për të forcuar sektorin privat për të ofruar alternativa, qoftë politika më të lira për zhvillim ekonomik, qoftë subvencione të ndryshme apo qoftë për të tentuar për të promovuar vlerat ekonomike në tërë vendet ku ne mund të kemi treg”, tha Shahini.

Por, profesori Berim Ramosaj thotë se qeverisë së vendit i mungon vizoni ekonomik dhe një plan afatgjatë i zhvillimit ekonomik.

“Unë mendoj se si qeveri, i mungon gjithçka. Është në pyetje mungesa e një vizioni të zhvillimit, apo mungesa e një plani afatgjatë, ose si e njohim ne një strategji të zhvillimit. Gati shumica e veprimeve që bën qeveria aktuale i bën jo duke u mbështetur në periudhën afatgjate, por vetëm për një vit".

"Duhet të bëhet shumë tepër. E për t'u bërë shumë më tepër, ndoshta zgjidhja duhet të jetë qeveria teknike, sepse shumica e vendeve e kanë provuar se qeveritë politike nuk janë të afta të bëjnë veprime të mëdha kur është në pyetje zhvillimi ekonomik”, thekson Ramosaj.

Prioritet tjetër që duhet të ketë parasysh ekzekutivi është krijimi i kushteve për investitorët e huaj, që viteve të fundit nuk kanë qenë të kënaqshme, thotë Agim Shahini.

“Natyrisht se po të ishte kujdesi më i madh, ne vitin e kaluar do të kishim më shumë investime, do të kishim më shumë të hyra. Dhe tashmë Doganat e Kosovës kanë shënuar rënie të të hyrave, pikërisht për arsye se fuqia konsumuese, fuqia investuese në Kosovë është për çdo ditë më e varfër", bën të ditur Shahini.

Ndryshe, Kosova ka përmbyllur vitin 2013, me një gjendje jo të mirë ekonomike, me një rritje ekonomike jo më shumë se 3 për qind, me një papunësi mbi 30 për qind, një deficit të lartë tregtarë dhe me një varfëri ekstreme 10 për qind.
XS
SM
MD
LG