Ndërlidhjet

Shkarkohen edhe 16 shefa krahinor të policisë turke


Ilustrim

Ilustrim

Qeveria e Turqisë ka vazhduar edhe të mërkurën me largimin e krerëve më të lartë të policisë, duke larguar nga puna shefat e policisë në 16 krahinat e saj, raportojnë sot mediet lokale.

Në dekretin e ministrisë së punëve të brendshme janë përfshirë drejtuesit e forcave të rendit të qyteteve më të mëdha në Turqi, përfshirë shefin e policisë në Ankara, Izmir, Antalya dhe Diyarbakir, shkruan agjencia e lajmeve Dogan.

Këto qytete janë më të populluarat në Turqi, që kanë një rëndësi të veçantë ekonomike në nivel krahinor.

Po ashtu në këtë valë shkarkimesh, është larguar edhe zëvendësshefi i Agjencisë për Siguri Kombëtare të Turqisë.

Ankaraja zyrtare ka larguar të martën nga puna 350 oficerë të policisë në Ankara.

Qindra figura të larta të forcave turke të rendit janë shkarkuar ose u është ndërruar vendi i punës, pasi shpërthimit të një skandali të korrupsionit më 17 dhjetor.

Kjo strategji është lansuar pasi skandali shkaktoi tensione të shumta politike në qeverinë e Turqisë, çka rezultoi me dorëheqjen e katër ministrave.

Kryeministri i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan i ka cilësuar hetimet për korrupsion, si një komplet “i ndyrë” që për qëllim ka rrëzimin e qeverisë.
XS
SM
MD
LG