Ndërlidhjet

BE: Papunësia në eurozonë në nivel rekord të lartë


Papunësia në shtetet e eurozonës në Bashkimin Evropian mbetet në nivel rekord të lartë.

Agjencia statistikore e BE-së, Eurostat, ka njoftuar sot se shkalla e papunësisë në 17 vendet, që e përdorin monedhën euro, është 12.1%, në muajin nëntor të vitit 2013. Kjo do të thotë se afro 19.2 milionë njerëz janë pa punë.

Nga ana tjetër, në BE në përgjithësi, papunësia gjendet në nivelin 11%.

Eurostati thotë se papunësia në mesin e të rinjëve prej moshës 16 dhe 25 vjet, në eurozonë mbetet e pandryshuar në shkallën 24.2%, ndërsa në tërësi në BE, është 23.6%.

Greqia e goditur nga kriza e borxheve e ka shkallën e papunësisë më të lartë në gjithë BE-në, me 27.4%, ndërsa në Spanjë kjo përqindje është 26.7.

Shkalla më e vogël e papunësisë është në Austri, 4.8%, dhe në Gjermani, 5.2%.
XS
SM
MD
LG