Ndërlidhjet

Erdogan rrezikon të çmontojë demokracinë turke


Protestuesit antiqeveritarë në Turqi
Protestuesit antiqeveritarë në Turqi
Kryeministri i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, duket se ka shpallur luftë ndaj forcës së tij policore.

Gjatë javëve të fundit, administrata e tij ka hequr nga poste të ndjeshme qindra policë dhe prokurorë, duke i transferuar ata në detyra të tjera.

Riorganizimi masiv - si pasojë e një hetimi për korrupsion, që, sipas Erdoganit, ka nisur për të diskredituar qeverinë - u ka dhënë material të ri kritikëve që ta akuzojnë atë për më shumë autoritarizëm, pas 11 vjetësh në pushtet.

Shkalla e pastrimit është theksuar dukshëm të martën, kur rreth 350 oficerë policorë janë shkarkuar nga postet e tyre në Ankara.

Mediat lokale kanë raportuar se të shkarkuarit përfshijnë shefa të njësisë së krimeve financiare, anti-kontrabandës dhe krimit të organizuar. Shumë nga të janë transferuar në departamente të trafikut ose stacione policore, jashtë kryeqytetit.

Të mërkurën, Ministria e Brendshme e Turqisë ka pushuar 15 shefa të tjerë policorë, përfshirë disa në Ankara, Izmir dhe Diarbakir.

Qindra zyrtarë të tjerë policorë dhe gjyqësorë, të tillë si shefi i policisë në Stamboll, janë shkarkuar gjetkë, prejse hetuesit e korrupsionit kanë arrestuar dhjetëra njerëz, përfshirë djemtë e tre ministrave dhe shefin ekzekutiv të bankës së shtetit, Halkbank, më 17 dhjetor.

Erdogan ka thënë se spastrimi i agjencive të zbatimit të ligjit është i nevojshëm për të mbrojtur Turqinë nga, siç ka thënë ai, “shteti brenda shtetit”, i cili ka lëshuar rrënjë brenda tyre dhe është formuar nga ndjekësit e klerikut mysliman në mërgim, Fethullah Gulen.

Gulen jeton në Shtetet e Bashkuara dhe udhëheq lëvizjen Hizmet, e cila operon me rrjete arsimore dhe bamirësie në Turqi dhe gjetkë. Ai ka mohuar se ndjekësit e tij, të cilët i janë bashkuar partisë së Erdoganit më 2003 dhe e kanë sjellë atë në pushtet, janë të përfshirë në ndonjë hetim për korrupsion.

Megjithatë, deklaratat e Erdoganit për një komplot kryengritës kanë arritur të hedhin hije mbi hetimin për korrupsion.

Fadi Hakura, specialist për Turqinë në Institutin Chattam të Londrës, thotë se një arsye përse Erdogani ka pasur sukses deri më tani, është se opinioni publik në Turqi ka qenë gjithmonë i ndjeshëm ndaj bisedave për komplot.

“Publiku turk, në përgjithësi, ka tendencë për konspiracione dhe besim në grupet në hije. Shoqëria turke është shoqëri shumë konservatore. Turqit kanë tolerancë dhe respekt për autoritetin dhe, në të njëjtën kohë, turqit nuk e kanë bërë me sukeses tranzicionin mendor nga një mentalitet rural në një mjedis urban. Kjo e shpjegon përse turqit janë të prirë të besojnë në teori konspirative më shumë sesa në shpjegime të rëndomta”, thotë Hakura.

Por, ka edhe një faktor të rëndësishëm që e mbron Erdoganin para votuesve dhe ai është mungesa e alternativave politike ndaj Partisë së tij për Zhvillim dhe Drejtësi.

Gareth Jenkins, ekspert për Turqinë me qendër në Stamboll, e shpjegon në këtë mënyrë:

“Ai është në një pozitë shumë të fortë nga brenda, sespe kur ka ardhur në pushtet, ai ka prezantuar Partinë për Zhvillim dhe Drejtësi si parti konstervatore, të qendrës së djathtë. Dhe, natyrisht, në vitet e fundit sidomos, ka lëvizuar më shumë kah krahu islam. Ajo gjithmonë ka qenë një parti islamike, por politikat e saj tani janë bërë më konservatore dhe më pro-islamike. Ka një boshllëk në spektrin politik të Turqisë, ku nuk ka parti të qendrës së djathtë. Edhe nëse ai humb ca popullaritet, ca besueshmëri, votuesve u duhet rrugë e gjatë për të shkuar te një parti tjetër”, thotë Jenkins.(v.tela)
XS
SM
MD
LG