Ndërlidhjet

Maqedoni: Ndarje etnike edhe për botimet letrare


Ilustrim
Ilustrim
Botuesit shqiptarë tashmë një kohë të gjatë janë duke adresuar kritika të ashpra drejt dikasterit të Kulturës, si pasojë e, siç thonë ata, mjeteve tejet të limituara kur bëhet fjalë për financimin e librave në gjuhën shqipe.

Azam Dauti, anëtar i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë thotë se Ministria e Kulturës nuk duhet të funksionojë në bazë të standardeve të dyfishta, gjegjësisht botuesit kërkojnë që të drejtë konkurrimi të kenë vetëm botuesit, ndërsa të përjashtohen të gjithë konkurruesit që nuk kanë deponuar dokumentin për veprimtari të regjistruar, si dhe të bëhet publik edhe numri i aplikimeve - rregulla këto që vlejnë edhe për botimet në gjuhën maqedonase.

“Kur dalin rezultatet nga konkurrimi dhe shohim se kush realisht ka pasur mundësi që t`i plotësojë këto kritere që vetë i ka përcaktuar Ministria e Kulturës, del se u mbetet shumë punë komisioneve hetimore, të cilat janë përgjegjëse për të ndjekur korrupsionin dhe keqpërdorimin e mjeteve shtetërore. Po pse këto institucione nuk veprojnë, është çështje tjetër që duhet diskutuar”, thekson Dauti, drejtues i shtëpisë botuese “SKUPI”.

Ai kërkon që të drejtë konkurrimi mos të kenë institucionet e ndryshme kulturore dhe jokulturore, madje, as autorë si persona fizik, sepse konkurrimi i tyre është i jashtëligjshëm.

Dauti thekson se pikërisht gjatë ndarjes së mjeteve për autorë individualë, bëhen keqpërdorime duke u botuar vepra, të cilat janë pa asnjë kriter dhe si të tilla, ato asnjëherë nuk shfaqen, as në biblioteka dhe as në panair të librave.

“Ministria e Kulturës ka një qëndrim të njëanshëm, mos them të disfavorshëm për botuesit e mirëfilltë dhe njëkohësisht favorizon individë të caktuar, të cilët janë të paverifikuar sa i përket krijimtarisë së tyre letrare”, thekson Dauti, duke shtuar pyetjen se çfarë veprash janë ato, që sipas rezultateve del se Ministria e Kulturës së Maqedonisë përkrah 150 botime në gjuhën shqipe, të cilat më pas nuk janë as në raftet e librarive, e as në panairet e ndryshme të librit?!

Dauti thotë se kultura shqipe mbështet në numra, por jo në cilësi, sepse sipas tij, vetë anëtarët e komisioneve përkatëse janë persona joprofesionistë, pedagogë dhe profile të tjera, por jo personaliteteve të letrave shqipe.

Por, me këto vlerësime, nuk pajtohet dikasteri i Kulturës në Maqedoni.

Sekretari shtetëror në Ministrinë e Kulturës, Muzafer Bislimi, thotë se janë respektuar të gjitha kriteret, veçanërisht kur bëhet fjalë për shpërndarjen proporcionale të mjeteve financiare konform Marrëveshjes së Ohrit.

“Buxheti, në të gjitha lëmit, aty ku konkurrohet për shqiptarët, çdo herë është mbi 25 për qind veçanërisht në ato lëmi ku ka numër të mjaftueshëm të konkurruesve shqiptarë. Ky numër mund të jetë diku rreth 20 për qind vetëm një ose dy lëmi ku nuk janë paraqitur projekte të mjaftueshme nga shoqatat dhe institucionet shqiptare”, thekson Bislimi.

Ndërkaq, duke komentuar kërkesën e Shoqatës së Botuesve Shqiptarë që të jenë pjesë e monitorimit, Bislimi thotë se askund nuk mund të jenë pjesë e përzgjedhjes ata që konkurrojnë.

“Do të ishte jo kushtetuese që ne t`i ndalojmë personat fizikë që me librat e tyre të konkurrojnë në Ministrinë e Kulturës, edhe pse ne, si dikaster i Kulturës, jemi përpjekur që pikërisht botuesit të kenë hapësirën më të madhe, mbi 70 për qind".

"Duhet ta kemi të qartë se konkursi është subvencionim i veprimtarisë botuese dhe në atë veprimtari botuese mund të paraqiten dhe persona fizikë, që në këtë rast do të fokusoja dhe konkurrimin e akademikëve shqiptarë , profesorëve universitarë dhe institucioneve të ndryshme kulturore. Dhe, kuptohet nëse ata arrijnë t’i plotësojnë kushtet, gjithsesi ata do të kalojnë edhe si botime individuale dhe jo përmes botuesve”,
bën të ditur Bislimi.

Ai tregon se gjatë vitit 2013, botuesit shqiptarë kanë marrë 14 milionë denarë, derisa këtë vit, sektorit të botimeve pitet t`i ndahen rreth 1 milion euro në bazë të rezultateve të konkursit. Rezultatet e konkursit do të bëhen publike në fund të këtij muaji, ku sipas Bislimit, 25 për qind e shumës do t’u takojë shqiptarëve.
XS
SM
MD
LG