Ndërlidhjet

logo-print

Sjellja skandaloze e Rodmanit në Korenë e Veriut


Kim Jong-Un dhe Dennis Rodman

Kim Jong-Un dhe Dennis Rodman

Ish-ylli i NBA, Dennis Rodman, ka skalitur veten e tij në vitet 1990 me flokë të ngjyrosura dhe sjellje bizare, por të padëmshme, shkruan Washington Post.

Ca vjet më parë, avokatët e tij kanë sqaruar se Rodman nuk është në gjendje të paguajë 800,000 dollarë mbështetje për fëmijët, pasi është “shumë i sëmurë” nga alkooli.

Tani, Rodman, shkruan Washington Post, është duke bërë përpjekje të rehabilitojë veten dhe llogarinë e tij bankare, duke shërbyer si një propagandist i njërit prej diktatorëve më të egër dhe më brutalë në botë – Kim Jong Unit të Koresë Veriore.

Të mërkurën, me një imitim grotesk të Marilyn Monroes, ai i ka kënduar këngën “Shumë urime për ty” tiranit 31-vjeçar.

Kjo ka ndodhur pasi ai ka shprehur “dashuri” për “mikun” e tij dhe i është përgjigjur pyetjes për një misionar amerikan, të mbajtur në një burg të Koresë Veriore, duke thënë se ai e ka merituar të jetë atje.

Sikurse Departamenti amerikan i Shtetit, edhe NBA ka nxituar për ta bërë të qartë se Rodman nuk është i angazhuar në një ushtrim legjtim të diplomacisë sportive dhe se sjellja e tij nuk është asgjë, pos zbavitëse.

Sunduesi që ai promovon, është shfaqur si një tiran i pamatur dhe brutal, i cili sapo ka ekzekutuar burrin e hallës së tij – një njeri që, me sa duket, ka bërë përpjekje të nxisë transparencë më të madhe në njërin nga vendet më të izoluara në botë.

Një i burgosur i gulagut të liderit verikorean është Kenneth Bae, i cili është arrestuar më shumë se një vjet më parë, derisa ka udhëhequr një turne të biznesit.

Ai është dënuar në muajin maj me 15 vjet punë të vështirë. Sipas familjes së tij, Bae ka humbur shumë peshë dhe shëndeti i tij po përkeqësohet me shpejtësi.

Megjithatë, regjimi i Kimit ka injoruar apelet për lirimin e tij mbi baza humanitare, shkruan Washington Post.

Rodman ka qëlluar të jetë i vetmi amerikan dhe njëri nga të huajt e paktë që ka qasje te udhëheqësi verikorean.

Kur është pyetur pas vizitës së mëparshme nëse ka ngritur rastin Bae me Kimin, ai ka thënë “Kjo nuk është puna ime”.

Nuk do të ishte e habitshme nëse Kimi i papërvojë konstaton se, në saje të Rodmanit, nuk ka nevojë të lirojë Baen për t’u pëlqyer në Shtetet e Bashkuara.

Siç ka thënë edhe motra e të burgosurit, kjo nuk është diplomaci, “është lojë me jetën e vëllait tim”, shkruan Washington Post.

Përgatiti: Valona Tela

Rodman duke i kënduar Kim Jong Un-it
XS
SM
MD
LG