Ndërlidhjet

Shqipëri: Rriten çmimet e karburantit dhe cigareve


Ilustrim ©Shutterstock
Ilustrim ©Shutterstock
Një janari ka nisur me çmime të rritura për disa mallra në tregun shqiptar.

Ndonëse ishte e pritshme diçka e tillë, pasi ndryshimi i paketës fiskale e parashikon ndryshimin e tatimit mbi mallin, kjo rritje është kryer pa nisur ende efekti i akcizës.

Një paketë cigare ne treg kushton 20-30 lekë më shtrenjtë për paketë, ndërsa karburantet janë rreth 200 lekë për litër, çmime rekord për këto produkte.

Shoqata e transportit në Tiranë, ka shtuar pretendimet për rritjen e çmimeve të biletës në sistemin e transportit publik, nisur nga rritja e çmimit të karburanteve.

Kërkesa e tyre për një çmim biletë prej rreth 70 lekësh, ka hasur në kundërshtimin e autoriteteve, por shoqata ka paralajmëruar për pezullim të shërbimit të transportit publik, nëse nuk negociohet për rritjen e çmimit të biletës së urbanit.

Për disa analistë të ekonomisë, këto çmime janë abuzive e të vendosura nga vetë tregtarët.

Aq më tepër kur shumica e mallit që po shitet në janar është blerë me shumicë në muajin dhjetor të vitit të kaluar, kur ende ishte sistemi i vjetër i taksimit mbi mallin.

Zef Preçi, drejtor ekzekutiv i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike thotë se ky është një spekulim, ndonëse zyrtarisht është në përputhje me ligjin.

“Edhe nëse formalisht ekzistojnë faturat e blerjeve muaj më parë të këtyre artikujve, kjo nuk e justifikon spekulimin, pasi kjo ngarkesë fiskale shkarkon tek përdoruesi fundor (blerësi), pra tkurr më tej kapacitetin absorbues të ekonomisë dhe biznesit, ashtu sikurse rënia e konsumit që lidhet drejtpërdrejt me këtë fenomen tashmë është evident dhe nuk mund të mos ndikojë negativisht për periudhën që vjen”, thotë Preçi.

Por për ish ministrin e Ekonomisë, Arben Malaj, në një treg me ekonomi te lirë, për aq kohë sa blerësi merr kuponin tatimor mbas blerjes së mallit, nuk ka asnjë element abuziv.

Për të duhet qe Autoriteti i Konkurrencës të ndërhyjë për të kontrolluar nëse ka marrëveshje mes tregtarëve për çmimin e rritur si dhe duhen kontrolle të forta për të eliminuar kontrabandën, e cila mund të shfaqet në një situatë të tillë:

Nuk mund të themi që është joligjore rritja e çmimeve nga kompanitë, është jo ligjore nëse ata nuk presin faturën për mallin e shitur, është jo ligjore nëse e shesin me 20 lekë dhe e pasqyrojnë me 18 lekë dhe marrin fitime abuzive, është jo ligjore nëse përdoret për kontrabandë malli. Kështu ndodh zakonisht në botë, ka një rritje çmimesh me rritjen e taksave e më pas ato kthehen në normalitet”, thotë Malaj.

Parashikimi I dy ekspertëve të ekonomisë për vitin 2014 është i ndryshëm.

Zoti Malaj thotë se viti 2014 ka një përparësi në dallim nga viti 2013.

Por ndërkohë konsumatori është ende i paqartë se sa mund të shkojë çmimi për artikuj të tillë dhe se sa mund të zgjasë kjo paqartësi çmimesh e tregut të artikujve të pakicës.

Organet tatimore ende nuk kanë dhënë asnjë shpjegim për qytetarët dhe për tregtarët rreth mënyrës së përshtatjes dhe zbatimit të sistemit të ri të taksave.

Sistemi i taksimit gjatë këtij viti në Shqipëri do të jetë progresiv mbi të ardhurat dhe mbi akcizën e mallrave.

Ky sistem ishte pjesë e programit elektoral të Partisë Socialiste, e cila qeveris në koalicion me Lëvizjen Socialiste për Integrim.

Gjatë 8 viteve të kaluara në Shqipëri, gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike, është aplikuar sistemi i taksës së sheshtë, ku taksimi mbi rrogat dhe bizneset ishte 10%.
XS
SM
MD
LG