Ndërlidhjet

AAK thotë se dialogu ka arritur caqet, tani mbetet zbatimi


Ilustrim
Ilustrim
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës beson se dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, i ka arritur caqet e caktuara, dhe se tani ka mbetur që palët të marrin mbi vete obligimet për zbatimin e plotë të të gjitha dispozitave që dalin nga ky proces.

Në një komunikatë për mediet, AAK-ja shpreh po ashtu besimin e saj se “dialogu në formatin ekzistues duhet të shterohet”.

“Mosimplementimi i plotë i provizioneve dhe konkluzave të arritura e ngarkon këtë proces. Po ashtu, Kosova, Unioni Europian, e me gjasë edhe Serbia, kanë hyrë në vit zgjedhor”, thuhet në njoftimin e AAK-së.

Disa zyrtarë të lartë të kësaj partie, kanë shfaqur dyshimet e tyre nëse AAK-ja duhet të përkrah edhe tutje procesin e bisedimeves mes Kosovës dhe Serbisë.

Mirëpo, në komunikatën e dërguar medieve, AAK-ja thotë se vazhdon të besojë fuqishëm se shtrirja e juridiksionit të Kosovës në tërë territorin e saj, integrimi i serbëve të veriut në jetën institucionale, politike, juridike dhe sociale të Kosovës si dhe normalizimi i raporteve midis Kosovës dhe Serbisë, si dy vende fqinje, janë plotësisht në interes të qytetarëve të Kosovës dhe të shtetit.

Sipas këtij subjekti opozitar, dialogu është e vetmja mënyrë për zgjidhjen e të gjitha çështjeve të hapura midis Kosovës dhe Serbisë.

Andaj, AAK-ja beson se “duhet të ruhet dhe të vazhdohet komunikimi midis dy vendeve, qoftë nëpërmes oficerëve ndërlidhës reciprokë, qoftë nëpërmes kanaleve të tjera zyrtare”.
XS
SM
MD
LG