Ndërlidhjet

Jahjaga: Tirana mund ta ndihmojë FSK-në për NATO


Ilustrim
Ilustrim
Presidentja e Republikës Atifete Jahjaga tha sot se Shqipëria “mund ta ndihmojë Kosovën në arritjen e standardeve” të nevojshme për anëtarësim në Aleancën Veri-Atlantike.

Porosinë presidentja ia përcolli sot ministres shqiptare të mbrojtjes, Mimi Kodheli, gjatë një takimi që zhvilluan në Prishtinë, ku ndër të tjera u theksua edhe nevoja e thellimit të bashkëpunimit në të gjitha fushat mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Sipas një komunikate për shtyp, presidentja ka thënë se integrimi i Kosovës në strukturat euroatlantike është përparësi e institucioneve të vendit dhe theksoi se ndërtimi i marrëdhënieve kontraktuale me NATO-n, përmes Partneritetit për Paqe, do të ndihmonte edhe në ruajtjen e stabilitetit të vendit dhe gjithë rajonit.

Ministrja e Mbrojtjes e Republikës së Shqipërisë, Mimi Kodheli vlerësoi përparimin e arritur në Kosovë dhe theksoi përkushtimin e qeverisë së Shqipërisë për thellim të mëtejmë të bashkëpunimit midis dy vendeve.

Ministrja Kodheli shprehu gatishmërinë e Qeverisë së Shqipërisë për të ndihmuar në përfshirjen e Kosovës në iniciativat rajonale dhe ato ndërkombëtare të sigurisë, si dhe “për shkëmbim të përvojave në procesin e integrimit të Kosovës në NATO”.
XS
SM
MD
LG