Ndërlidhjet

Oda amerikane: Të hiqen barrierat tregtare Kosovë-Shqipëri


Ilustrim

Ilustrim

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë vlerëson se me vendosjen e barrierave tarifore dhe jotarifore nga Prishtina dhe Tirana, dëmtohen rëndë interesat e bizneseve të të dyja anëve të kufirit, njëkohësisht duke u penguar fuqizimi i marrëdhënieve ekonomike, shkëmbimi tregtar si dhe lëvizja e lirë e mallrave ndërmjet dy shteteve.

Në një komunikatë dërguar medieve, kjo odë thotë se thellimi i bashkëpunimit rajonal, veçanërisht atij në mes Kosovës dhe Shqipërisë është i një rëndësie kyçe drejt zhvillimit më të qëndrueshëm ekonomik të të dyja vendeve, të cilat përballen me një gjendje të brishtë dhe sfida sa i përket shpejtimit të mëtutjeshëm të rritjes ekonomike.

Ndërtimi i autostradës së Kombit, nënshkrimi i Marrëveshjes për Tregti të Lirë si dhe i Protokollit për Bashkëpunim Ekonomik Kosovë-Shqipëri, përafruan këto dy vende më shumë se kurrë, duke nxitur proceset integruese drejt Bashkimit Evropian, vlerëson Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë.

“Rrjedhimisht, u bëjmë thirrje qeverive të të dyja vendeve të ndërmarrin masat e duhura për eliminimin e barrierave reciproke dhe të përqendrohen në zbatimin e pakusht të dispozitave të Marrëveshjes për Tregti të Lirë në Evropën Qendrore (CEFTA) e cila promovon vlerat kyçe në të cilat është ndërtuar Bashkimi Evropian për qarkullimin e lirë të mallrave”, thuhet në komunikatë.

Krijimi i hapësirave të lira tregtare rajonale me numër më të madh konsumatorësh, sipas odës amerikane, do të ishte më atraktiv edhe për investitorët e huaj dhe një hap tutje drejt integrimit të shteteve të Gadishullit Ballkanik në Bashkimin Evropian

Oda Ekonomike Amerikane kërkon po ashtu “harmonizim të legjislacionit për çështje tregtare apo doganore, që do të ishte hapi i parë i cili do të lehtësonte procedurat e shkëmbimeve tregtare dhe komunikimeve të bizneseve në të dyja vendet”.

Duke marrë parasysh gjithashtu edhe deficitin e lartë tregtar me të cilin përballen dy vendet, është e domosdoshme që të gjinden mundësi për plotësimin e nevojave reciproke si dhe të krijohet një strategji drejt politikave më të favorshme për sektorin privat në të dyja vendet.

“Qeveritë duhet të orientojnë ekonomitë në mënyrë të tillë që të mos konkurrojnë njëra-tjetrën, por të plotësonin njëra tjetrën, gjë që do të sillte përfitime më të mëdha për të dyja vendet”, vlerëson kjo odë ekonomike.
XS
SM
MD
LG