Ndërlidhjet

logo-print

Rrugëtim i përbashkët drejt Evropës së bashkuar


Lidhja e Prizrenit

Lidhja e Prizrenit

Mbledhja e përbashkët e dy qeverive, të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë, duhet parë si një mundësi dhe hapësirë më e gjerë e problemeve të të dy vendeve, por edhe si një nismë që ka të bëjë me integrimin shqiptar dhe rajonal në Evropën e bashkuar.

Ky është përfundimi, i cili ka dalë nga mbledhja e përbashkët e këtyre dy qeverive, e cila është mbajtur të shtunën, më 11 janar, në Prizren.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka theksuar se takimi i dy qeverive nga Prishtina e Tirana, në qytetin e Prizrenit, është shprehje e respektit për përpjekjet dhe sakrificat e paraardhësve gjatë historisë për të siguruar lirinë në këto hapësira.

“Kjo mbledhje e dy qeverive tona, në këtë vend të shenjtë të zanafillës së rilindjes kombëtare shqiptare, është një dëshmi dhe respekt ndaj heronjve tanë të periudhave të ndryshme se mundi, djersa, gjaku i dëshmorëve po respektohet. Falë veprës së tyre, brezat e sotshëm dhe të ardhshëm mund të gëzojnë më shumë paqe, liri e zhvillim dhe qytetarët e Kosovës dhe Shqipërisë mund të jetojnë afër njëri-tjetrit, pa barriera dhe me dinjitet në trojet e veta”, ka thënë Thaçi.

Megjithatë, kryeministri Thaçi ka shtuar se qeveritë e të dy vendeve, Kosovës dhe Shqipërisë, nuk janë takuar për të evokuar të kaluarën, por për të punuar për të ardhmen.

Në të njëjtën frymë ka qenë edhe fjalimi i mbajtur nga kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama. Ai ka thënë se mbledhja e së shtunës e dy qeverive, është shprehje e vendosmërisë së dy vendeve për ta jetësuar, siç ka thënë ai, integrimin shqiptar dhe rajonal në Evropën e bashkuar.

“Parafytyrimi i kahershëm i pararendësve tanë, e pastaj edhe jetësimi prej nesh i kësaj hapësire, me kthjelltësinë e me vendosmërinë e përbashkuar, ndaj edhe të forcuar, për përkatësinë tonë jo vetëm ndaj një kombi, por njëkohësisht ndaj projektit madhështor të Evropës së bashkuar, e kthen së dyti këtë nismë në pikënisjen e një rrugëtimi të përbashkët, institucional, drejt zhvillimit të vendeve tona, forcimit të ekonomive tona, modernizimit të shteteve tona, transformimit të arsimit të arsimit shqipfolës, pasurimit të jetës sonë kulturore, ripërtëritjes së vazhdueshme të shoqërive tona, shtimit dhe fuqizimit të ndërlidhjeve mes tyre”, është shprehur Rama.

Kryeministri i Shqipërisë, Rama, gjithashtu ka theksuar se mbledhja e qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë nuk duhet të shërbejë si shkas për shqetësimin e kujtdo qoftë.

“Por, nëse mbledhja e përbashkët e dy qeverive të një kombi të shtrirë në dy shtete, bëhet arsye trembjeje apo nga ana tjetër, inkurajimi për këdo që ka shqetësime në lidhje me vijat kufitare, dua ta them kryekreje, kthjelltë dhe fort se kufiri në mes Shqipërisë dhe Kosovës është për ne shumë i qartë dhe i patjetërsueshëm. Si një vijë që na kujton qoftë pamundësinë e historisë, nga njëra anë, apo përpjekjen heroike që solli krijimin e shtetit të dytë shqiptar, nga ana tjetër, dhe qoftë edhe detyrimin tonë për t’i qëndruar besës së dhënë atyre - pa të cilët Kosova e lirë dhe e pavarur do të kishte mbetur një ëndërr e përgjakur - Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian”, ka theksuar Rama.

Temat që janë trajtuar në këtë takim, siç është thënë, janë të rëndësishme për të dyja vendet. Dokumenti për partneritet strategjik ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë është nënshkruar nga të dy kryeministrat, Thaçi dhe Rama.

Marrëveshja ndërmjet këshillit të ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës, për bashkëpunim në lehtësimin e tregtisë dhe marrëveshjes për bashkëpunim në fushat e transportit dhe infrastrukturës, janë nënshkruar nga drejtuesit e dikastereve përkatëse të të dyja vendeve.

Në mbledhjen e përbashkët është arritur pajtimi edhe për bashkëfinancim të pajisjeve mjekësore për maternitetin në Preshevë, si dhe për një fond humanitar zhvillimor për përmirësimin e kushteve sociale të banorëve shqiptarë të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit.

Pas mbledhjes së përbashkët, takimi i dy qeverive është përmbyllur në mënyrë simbolike para objektit, i cili në historinë e shqiptarëve njihet si Shtëpia e Lidhjes së Prizrenit.

Kryeministri i Kosovës, Thaçi ka nënvizuar disa nga bazat kryesore, mbi të cilat do të ndërtohet strategjia e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.

“Në fushën e politikës së jashtme dhe të sigurisë, të dy qeveritë do të angazhohen në fuqizimin e bashkëpunimit dhe intensifikimit të dialogut ndërqeveritar, për të gjitha çështjet me interes të ndërsjellë. Këto çështje përfshijnë: bashkërendimin në angazhimin e Kosovës në proceset dhe iniciativat rajonale, koordinimin dhe mbështetjen për proceset integruese evropiane dhe euroatlantike, thellimin e bashkëpunimit në fushën e politikës së jashtme, mbështetje për avancimin e dialogut ndërmjet shtetit të Kosovës dhe Serbisë”, ka pohuar Thaçi.

Ndryshe, në mbledhjen e parë të përbashkët të dy qeverive, është vendosur që takimi i ardhshëm të mbahet në Vlorë, gjatë muajit maj ose qershor. Në interesimin gazetarëve nëse në këtë takim do të marrë pjesë edhe kryeministri i Maqedonisë, kryeministri i Shqipërisë, Rama është përgjigjur:

“Ne do të bëjmë mbledhje të përbashkët të Qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës. Nuk e kuptoj se çfarë hyn kryeministri i Maqedonisë në një mbledhje të përbashkët të Qeverisë së Shqipërisë dhe të Kosovës. ndërkohë që, siç e thashë edhe unë edhe kryeministri Thaçi, ne duam dhe do të bëjmë mbledhje të kësaj natyre edhe me qeveritë tjera, por, është e kotë që ta fshehim se kjo është një formë e njohur dhe e replikueshme. Kurse, në thelb, mbledhja e përbashkët ndërmjet qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës është unikale dhe e pareplikueshme”.

Mbledhja e përbashkët e Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë në Prizren është vlerësuar si mbledhje që ka vënë gurin themeltar për hapjen e një rruge të re për zhvillimin e gjithanshëm ekonomik, social dhe kulturor në këto dy shtete.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG