Ndërlidhjet

Kelmendi: Kosova me buxhet të limituar për mbrojtjen e fëmijëve


Donjeta Kelmendi
Donjeta Kelmendi

“Kërkim-lëmosha dhe punët e rënda që bëjnë fëmijët në Kosovë është një dukuri mjaft shqetësuese. Këta fëmijë shumë herë ekspozohen karshi elementeve të ndryshme të shfrytëzimit dhe trafikimit, derisa mbrojtja institucionale jo çdo herë është në nivel të duhur”, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Donjeta Kelmendi, drejtoreshë e Koalicionit të Organizatave Joqeveritare për Mbrojtjen e Fëmijëve KOMF.


RADIO EVROPA E LIRË
Respektimi i të drejtave të fëmijëve në Kosovë, vazhdimisht, në raporte të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare, është vlerësuar të jetë nën nivelin e duhur. Legjislacioni aktual në Kosovë a iu ofron mbrojtje të duhur fëmijëve, në veçanti fëmijëve që kanë nevojë për mbrojtje institucionale?


DONJETA KELMENDI
Për momentin janë dy ligje bazike, të cilat prekin më shumë mbrojtjen e fëmijëve ose ofrojnë mbrojtje për fëmijë: është Ligji mbi familjen, dhe Ligji mbi shërbimet sociale dhe familjare.

Një risi është se gjatë 2013-s, pra gjatë vitit që lamë pas, ka filluar të hartohet Ligji për mbrojtjen e fëmijëve, i cili akoma vazhdon të jetë në proces të hartimit. Deri tani Kosova nuk ka pasur një ligj për mbrojtjen e fëmijëve, domethënë është hera e parë që në Kosova draftohet një Ligj për mbrojtjen e fëmijëve.

Nëse e marrim në përgjithësi në aspektin e legjislacionit, nuk mund të themi se nuk kemi legjislacion – ka, siç e përmenda, një legjislacion i cili mbron fëmijët, edhe pse mund të bëhen shumë avancime s ai përket legjislacionit. Do ta përmend një ligj, i cili nuk është një ligj i mirë për fëmijët, ky është Ligji për skemën e asistencës sociale, i cili jep ndihmë sociale për familjet që janë në nevojë sociale, ligj ky i cili në kuadër të tij vazhdon të jetë një kriter diskriminues ku specifikohet që familja, për të përfituar ndihmën sociale, duhet të ketë një fëmijë nën moshën 5 vjeç.

Ky është një kriter diskriminues, i cili vazhdon që nga përpilimi i këtij ligji pas luftës, që nga koha e UNMIK-ut, dhe ne kemi avokuar shumë si koalicion që ky kriter të largohet për arsye se është komplet i papranueshëm, sepse familjes për fëmijën mbi moshën 5 vjeçare, i rriten shpenzimet, sepse fëmija fillon shkollimin dhe shpenzimet janë më të mëdha.

Megjithëse në vitin 2012 ka qenë në proces të plotësim-ndryshimit si ligj dhe ne kemi avokuar gjatë asaj kohe dhe kemi pritur shumë që ky kriter do të largohet, kjo nuk ka ndodhur. Ka ligje, që mbrojnë fëmijët dhe të drejtat e tyre, mirëpo ka edhe ligje, të cilat duhet të përmirësohen.


RADIO EVROPA E LIRË
E theksuat buxhetin që ndan shteti i Kosovës për mbrojtjen e fëmijëve që kanë nevojë. Sa është i mjaftueshëm ai buxhet?


DONJETA KELMENDI
Pikërisht arsyeja për këtë ligj, pse nuk është hequr kriteri 5 vjeç, kanë qenë çështjet buxhetore. Kjo për arsye se në bazë të analizave të bëra nga Ministria e Punës dhe Ministria e Financave, është thënë që nëse ky kriter largohet, numri i përfituesve do të rritej shumëfish, kështu që për momentin kapacitetet buxhetore nuk mund ta përballojnë një rritje të përfituesve, sepse nuk ka buxhet të paraparë. Kështu që në mungesë të buxhetit, ka mbetur edhe ky kriter, i cili është diskriminues.

Shpeshherë thuhet që buxheti nuk ka ndikim shumë në realizimin e të drejtave të fëmijëve, mirëpo ne mendojmë që ka shumë ndikim për arsye se në mungesë të buxhetit, cungohen të drejtat e fëmijëve si në këtë rast që është Ligji për skemën e asistencës sociale.

Sa i përket buxhetit, në përgjithësi, për mbrojtjen e fëmijëve, duhet përmendur një fakt që për momentin, komunat në gjithë Kosovën, nuk kanë një buxhet specifik të dedikuar për shërbime sociale. Është një buxhet për qendrat për punë sociale, si organe profesionale komunale, të cilat janë të mandatuara për mbrojtjen e fëmijëve, mirëpo nuk kanë një buxhet për ofrimin e shërbimeve për qytetarët në nevojë, në këtë rast për fëmijët në nevojë për mbrojtje.

Në kuadër të kësaj, ne, si koalicion, kemi bërë një kërkesë për krijimin e një granti specifik për shërbime sociale. Kjo kërkesë i është adresuar Ministrisë së Financave, po deri më tani ne nuk kemi marrë përgjigje.


RADIO EVROPA E LIRË
Numri i fëmijëve që kryejnë punë të ndryshme, duke përfshirë këtu edhe kërkim-lëmoshë, e që janë në kundërshtim me Ligjin dhe Konventën për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, është mjaft i madh në Kosovë. Si e shihni ju përkujdesjen institucionale karshi këtyre fëmijëve dhe a është e mjaftueshme ajo që bëhet në këtë drejtim?


DONJETA KELMENDI
Kërkim-lëmosha dhe punët e rënda të fëmijëve, është bërë edhe temë e përditshme sepse është diçka po shihet, po e shohim edhe si qytetarë të rëndomtë. Në momentin që dalim prej shtëpisë, ne hasim në fëmijë që kërkojnë lëmoshë, është diçka shumë e dukshme. Janë punuar nga institucionet disa strategji për mbrojtjen e fëmijëve. Fëmijët, të cilët kërkojnë lëmoshë, janë të futur në kuadër të strategjisë për parandalimin dhe mbrojtjen e viktimave të trafikimit. Rezultate po shihen, sepse fëmijët vazhdojnë të kërkojnë lëmoshë.

Nuk mund të themi se ka ndoshta një trend të rritjes – këto janë informata dhe statistika të një organizate, që është anëtare e koalicionit, e cila punon shumë më shumë me fëmijët që kërkojnë lëmoshë – domethënë vazhdon të jetë një trend thuajse i njëjtë, ndërsa krahasuar me vitet e mëparshme ka një ulje mbase të lehtë, mirëpo se sa u ofrohet mbrojtje këtyre fëmijëve, është çështje më e thellë dhe më problematike.

Fillimisht, duhet të shihen shkaktarët që i shtyjnë fëmijët të kërkojnë lëmoshë. Një ndër shkaktarët kryesorë është edhe gjendja e rëndë ekonomike dhe sociale. Një pjesë e këtyre fëmijëve, ose pjesa më e madhe, janë të detyruar prej prindërve të vet që të kërkojnë lëmoshë pse shkaktarët janë shumë më të thellë dhe ka nevojë për një trajtim shumëdimensional nga institucione të ndryshme dhe ofrimit të alternativave kur është e mundshme.

Në shtetet tjera, nëse ndodh një gjë e tillë, fëmija tërhiqet nga familja, sepse fëmija është duke u detyruar nga familja. Kjo është diçka që nuk ndodh te ne, faktikisht të paktën deri tash nuk ka ndodhur. Shihet më shumë në aspektin e vizitave në familje, këshillimit të prindërve, edhe ne jemi pro asaj, sepse interesi më i mirë i fëmijës është që të jetë në familjen biologjike, mirëpo deri atëherë kur nuk shkelen të drejtat dhe interesi i fëmijës.

Në momentin kur shkelet interesi më i lartë i fëmijës, domethënë kur ai vazhdimisht neglizhohet ose detyrohet nga familja për të kërkuar lëmoshë (nga prindërit në këtë rast) atëherë duhet të ndërmerren veprime tjera.


RADIO EVROPA E LIRË
Cilët fëmijë janë të prekur më së shumti nga kjo dukuri?


DONJETA KELMENDI
Më shumë janë fëmijët e familjeve që janë në gjendje të rëndë ekonomike dhe sociale. Ka edhe nga vendet urbane, edhe nga ato rurale, nëse mund t’i quajmë si komuna, për shembull është Komuna e Fushë Kosovës, ku numri më i madh i fëmijëve që kërkojnë lëmoshë në Prishtinë, vjen nga lagjet e Fushë Kosovës, pastaj është Gjakova, Peja, Mitrovica, po ashtu edhe Mitrovica e veriut, Ferizaj, Gjilani.


RADIO EVROPA E LIRË
E gjithë kjo situatë e krijuar në Kosovë, ka bërë që këta fëmijë të jenë të ekspozuar karshi elementeve të ndryshme të shfrytëzimit dhe trafikimit. Keni hasur ju, si OJQ, në ndonjë rast që më pas jeni marrë me mbrojtjen e tyre?


DONJETA KELMENDI
Ajo çka unë mund të them është se ka raste të kërkim-lëmoshës si raste në rrezik për t’u trafikuar apo edhe viktima të trafikimit. Tash nuk mund të flas me shifra ose të jap statistika të sakta, mirëpo rastet e tilla të kërkim- lëmoshës mund të kenë edhe elementin e trafikimit.


RADIO EVROPA E LIRË
Në një raport të OJQ-së që ju e udhëhiqini, keni theksuar se mediat kosovare shkelin të drejtat e fëmijëve. Si ka ndodhur kjo, në çfarë raste fëmijëve u janë shkelur të drejtat nga mediat vendore?


DONJETA KELMENDI
Ka shkelje, dhe vazhdojmë të themi se ka shkelje të të drejtave të fëmijëve, të cilat bëhen nga mediat – shpeshherë ndoshta nga euforia ose entuziazmi për të prodhuar një lajm sa më të rëndësishëm, ose për të bërë bum mediatk, ndodh që shkelen të drejtat e fëmijës, edhe ato të garantuara me Konventën ndërkombëtare.

Pa marrë parasysh rëndësinë e informimit, rëndësinë e lajmit, të gjitha ato, nuk mund ta kalojë atë që dinjiteti i fëmijës të preket apo të drejtat e fëmijës të shkelen për shkak të një informimi të masës. Kemi pasur raste kur fëmija shfaqet me fytyrë, me emër e mbiemër, me shkollë, me klasë, etj mos të shkoj më tutje. Këto janë raste shumë të ndjeshme ku ka pasur shkelje drastike, t’i quaj etike, nga mediat.

Duhet të kemi gjithmonë parasysh sidomos kur flasim për fëmijë 0 deri në 18 vjet, por që ka pasur raste edhe për ata 12, 13 e 14 vjeç që ka pasur shkelje drastike. Duhet të kemi parasysh gjithmonë që ai është fëmijë. Nesër, ai pas moshës 18 vjeçare, por edhe gjatë kohës sa është fëmijë, mund të vuajë pasojat e tilla të një stigmatizimi në opinion publik.

XS
SM
MD
LG