Ndërlidhjet

Në Kosovë në vitin 2013 kanë qenë gjithsej 52 fëmijë të braktisur nga prindërit.

Zyrtarë në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale thonë se 40 prej tyre, gjatë vitit kanë gjetur përkujdesje familjare, pra janë adoptuar, derisa 14 fëmijë të braktisur, Qendra për Punë Sociale ka arritur t’i bashkojë me prindërit biologjikë.

Ndryshe, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, në repartin përkatës tashmë janë duke qëndruar 3 fëmijë pa përkujdesje prindërore.

Behxhet Gaxhiqi, zyrtar për informim në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se Qendra për Punë Sociale, angazhohet së pari të bëjë realizimin e bashkimit familjar, pra të bashkojë fëmijën me familjen biologjike, gjë që është edhe roli i kësaj qendre.

“Mbrojtja e fëmijëve pa përkujdesje prindërore është mandat ligjor i Qendrës për Punë Sociale. Duke iu referuar kësaj, gjatë vitit 2013, nga kjo qendër janë referuar gjithsej 52 raste të fëmijëve të braktisur. Qendra për Punë Sociale angazhohet së pari të bëjë realizimin e bashkimit familjar me familjen biologjike, gjë që është edhe roli i kësaj qendre. Dhe, gjatë këtij viti janë realizuar 14 raste të bashkimit familjar të fëmijëve me familjarët e tyre”, ka bërë të ditur Gaxhiqi.

Ndërkaq, Gladiola Struga, nga koalicioni i OJQ-ve për mbrojtjen e fëmijëve, ka thënë se fenomeni i braktisjes së fëmijëve, është mjaft shqetësues dhe negativ, por nuk është term i panjohur, pasi që kjo, sipas saj, ndodh në gjithë botën.

“Mund të themi se, si në çdo vend tjetër të botës, edhe në Kosovë ka braktisje të fëmijëve derisa braktisja mund të jetë në momentin e lindjes apo edhe në mosha të tjera. Fenomeni i braktisjes është shqetësues, sepse është fenomen negativ, por në Kosovë nuk është nivel i lartë. Shqetësuese ka qenë periudha pasluftës”, është shprehur Struga.

Por, sipas saj, shqetësues mbetet fakti që disa fëmijë qëndrojnë në spital, pa u adoptuar për një kohë.

“Ajo që ngelet më shqetësuese është ajo e qëndrimit të gjatë në spital dhe vonesat në zgjidhjen e statusit. Kushtet janë ato të një spitali, dhe askush nuk i vë në dyshim që ato janë në maksimumin e mundshëm të mirë, por që janë kushte të një institucioni dhe kushte të një spitali, e që nuk ofrojnë aspak një ambient që muajt e parë të jetës, fëmijët t’i kalojnë shëndetshëm, ashtu sikur në një ambient familjar”, ka theksuar Struga.

Behxhet Gaxhiqi ka thënë se tashmë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës gjithsej janë tre fëmijë që po presin të merren në adoptim.

“Në bazë të raportit të punëtores sociale aty, janë gjithsej tri raste të fëmijëve që janë të vendosur në bazë të marrëveshjes që ka Ministria e Shëndetësisë me atë të Punës dhe Mirëqenies Sociale, ata qëndrojnë deri në 21 ditë, varësisht nga gjendja shëndetësore dhe më pastaj këto raste referohen në strehim familjar të përkohshëm ose në SOS Fshatin e Fëmijëve”, ka theksuar Gaxhiqi.

Që të adoptohet një fëmijë, janë të paraparë procedura dhe afate ligjore.

Ndryshe, psikologët në vend thonë se rëndësia e birësimit deri në moshën njëvjeçare, është shumë e madhe.

Sipas statistikave botërore, është evidente që edhe vdekshmëria foshnjave është më e madhe nëse nuk gjendet një nënë që do t’i ofrojë përkujdesje fëmijës.
  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG