Ndërlidhjet

Mitrovica e veriut pa kryetar(?)


Mitrovicë...

Mitrovicë...

Katër kuvendet komunale të veriut të Kosovës, Mitrovicës së veriut, Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut, janë konstituuar në orët e vona të së shtunë, më 11 janar.

Këshilltarët e këtyre kuvendeve komunale kanë bërë betimin duke e nënshkruar deklaratat solemne, siç thuhet, neutrale ndaj statusit, bëjnë të ditur këshilltarët komunalë nga radhët e Iniciativës qytetare “Serbia, demokracia, drejtësia”.

Drejtuesi i këtij subjekti, Oliver Ivanoviq, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se pas një situate mjaft të tendosur lidhur me konstituimin e Kuvendit komunal të Mitrovicës së veriut, shumica dërmuese e këshilltarëve e kanë nënshkruar deklaratën solemne.

“Nga 19 këshilltarë, 17 e kanë nënshkruar deklaratën solemne dhe kjo nënkupton se Kuvendi, si i tillë, është konstituuar. Fletë-deklaratat kanë qenë të mbuluara me ngjitës në atë pjesë ku ka qenë e pritur të jetë simboli i Kosovës, dhe të paktën për ne, kanë qenë në përputhje me marrëveshjen e arritur në Bruksel”.

“Për ne kjo ka qenë e mjaftueshme dhe nuk kemi pasur simbole tjera, sepse cilat do simbole do ta irritonin njërën ose palën tjetër. Prandaj, më së miri ka qenë që të mos ketë asnjë lloj simboli dhe më duket se e gjithë kjo kaloi mirë”, ka theksuar Ivanoviq.

Ai ka shtuar se pritet që në ditët e ardhshme edhe dy këshilltarë tjerë që nuk e kanë nënshkruar deklaratën solemne, ta bëjnë këtë dhe se një gjë e tillë është e lejuar edhe me ligj.

Ngjashëm ka shpjeguar situatën edhe në mbledhjen konstituive të Kuvendit komunal të Zveçanit, Nebojsha Vlajiq, po ashtu këshilltar në këtë kuvend nga radhët e Iniciativës qytetare “Serbia, demokracia, drejtësia”.

Ai ka theksuar se në fletët që përmbanin deklaratën solemne në pjesën e epërme ishte vendosur ngjitës, nën të cilin ka qenë e pamundur të shihet përmbajtja apo ndonjë simbol.

“Këshilltarët e zgjedhur komunal të Zveçanit, e kanë bërë betimin, gjegjësisht, e kanë dhënë deklaratën solemne dhe me këtë kanë marrë detyrën. Të njëjtën e ka bërë edhe kryetari i zgjedhur i komunës. Kështu që nga sot, mund të konsiderojmë se organet e komunës së Zveçanit janë konstituuar”, ka theksuar Vlajiq.

E njëjta situatë është zhvilluar edhe në Zubin Potok dhe Leposaviq, ku këshilltarët komunalë kanë nënshkruar deklaratat solemne, por edhe kryetarët e zgjedhur të komunave.

Por, kjo nuk ka ndodhur edhe me kryetarin e komunës e zgjedhur të komunës së Mitrovicës së veriut, Krstimir Pantiq. Ai nuk ka qenë fare i pranishëm për të nënshkruar deklaratën solemne, mu për shkak se siç ka arsyetuar gjatë ditë së shtunë, se në deklaratën solemne qëndron simboli i Kosovës.

Ai, gjithashtu, ka dhënë edhe dorëheqje nga posti i zëvendës shefit të Zyrës për Kosovën në kuadër të Qeverisë së Serbisë.

Oliver Ivanoviq ka vlerësuar se një situatë e tillë nuk është parashikuar dhe përvoja e deritashme nuk ofron ndonjë zgjidhje për situata të ngjashme, kur dikush zgjidhet për kryetar komune dhe më pas nuk e pranon mandatin.

“Kjo nuk ka ndodhur kurrë, sepse është e nënkuptueshme se dikush që hyn në procesin zgjedhor, ai e di se cilat janë obligimet, cilat janë punët, mundet ose jo t’i përgjigjet detyrës. Ka ndodhur që njerëzit kanë filluar të punojnë dhe pas marrjes së ndonjë funksioni tjetër pas 6 muaj, një ose dy vjet, të japin dorëheqje. Por, tash, vetëm pak para marrjes së mandatit, të mos vijë në nënshkrimin e deklaratës - kjo nuk ka ndodhur kurrë”, ka vlerësuar Ivanoviq.

Megjithatë, ai ka theksuar se pret që kjo situatë të shpjegohet dhe të gjendet ndonjë zgjidhje.

Ivanoviq thotë se afati i paraparë për marrjen e detyrës nga kryetari i zgjedhur i komunës së Mitrovicës së veriut, ka skaduar:

“Afati ka skaduar. Mendoj se me këtë e ka humbur edhe mandatin. Të paktën kështu e interpretojnë njerëzit nga Ministria e Pushtetit Lokal, të cilët gjithashtu kanë qenë të pranishëm”.

“Se cili do të jetë interpretimi përfundimtar, këtë do ta shohim, por besoj se kjo do të bëhet në nivel më të lartë. Të gjitha, në parim janë vendime politike, prandaj edhe ky do të jetë i tillë. Por, unë shpresoj se ky vendim do të vijë shpejt, sepse çdo zvarritje do të jetë e dëmshme”.


Megjithatë, Ivanoviq ka vlerësuar se komuna e Mitrovicës së veriut nuk kërcënohet nga ndonjë krizë politike. Siç ka theksuar ai, Kuvendi komunal është konstituuar, ndërkohë që, sipas tij, kërkohet zgjidhja e çështjes së kryetarit të komunës, për faktin se situata e tanishme nuk është e parashikuar në ligj.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG