Ndërlidhjet

A paguajnë tatim bizneset në pjesën veriore?


Qindra biznese private veprojnë në pjesën veriore të Mitrovicës, por shifrat për regjistrimin e tyre, ndryshojnë në autoritetet kompetente në Prishtinë.

Sipas shifrave të Administratës Tatimore të Kosovës, në pjesën veriore të Mitrovicës janë të regjistruara 268 biznese, kurse në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë janë të regjistruara vetëm 47 prej tyre.

Në një përgjigje nëpërmjet postës elektronike, Mehdi Pllashniku, koordinator për çështje juridike-praktike në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, tregon se në komunën e Leposaviqit janë të regjistruara 32 biznese, 10 në Komunën e Zubin Potokut dhe 15 biznese janë të regjistruara nga komuna e Zveçanit.

Lidhur me këtë, vetë drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës, pohon se sa i përket regjistrimit, janë dy pasqyra të ndryshme në mes të këtyre dy institucioneve.
Ai thotë se në pjesën veriore të Kosovës shumë biznese janë jo aktive.

Këtë e sqaron me faktin se në MTI, janë të regjistruara mbi 120 mijë biznese, kurse në ATK në tashmë figurojnë mbi 40 mijë biznese jo aktive, e që numri më i madh prej tyre janë nga pjesa veriore e Kosovës.

Por, a paguajnë tatim dhe sa janë të përgjegjshme këto biznese ndaj institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës?

Behxhet Haliti, drejtor në Administratën Tatimore të Kosovës, për Radion Evropa e Lirë, thotë se ATK ka shtrirje në atë pjesë, jo në përmasa të mëdha, por është duke u zgjeruar.

Ai thotë se afër dy vjet ATK-ja ka të punësuar një ekip të komunitetit serb në zyrën Rajonale në Mitrovicë.

“Gjatë këtyre pesë vjetëve të fundit, sidomos pas shpalljes së pavarësisë, në dy vjetët e fundit kemi një fluks të vogël të rritjes së regjistrimit të bizneseve të asaj pjese. Dhe, për këtë qëllim, ATK-ja para një viti e gjysmë ka rekrutuar një ekip në zyrën rajonale të Mitrovicës të komunitetit serb”.

“Gjithashtu ka mbajtur trajnime, ka përgatitur materiale, fletë- palosje e doracakë të gjitha në gjuhën serbe. Ajo pjesë e tatimpaguesve ka filluar të marrë numra fiskalë dhe sidomos që kur është hapur zyra rajonale në pjesën veriore të Mitrovicës”,
thotë Haliti.

Në anën tjetër, ekspertë për çështje ekonomike, shprehen skeptikë se tatim -paguesit në atë pjesë deklarojnë shitjen dhe bëjnë pagesat.

Madje, ata shprehen të habitur si Ministria e Tregtisë dhe Industrisë nuk ka harmonizuar të dhënat më Administratën Tatimore të Kosovës.

Haki Shatri, ish-ministër i ekonomisë dhe financave i quan habitshme të dhënat në MTI dhe ATK.

“Është e çuditshme kjo, sepse edhe rregullorja e përcakton se bizneset fillimisht duhet të regjistrohen në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë. Unë nuk e kuptoj si ATK-ja ka më shumë të biznese në evidenca të veta se sa MTI. Ku Ministria e Tregtisë është ajo që regjistron bizneset, ose i çregjistron ato që dëshirojnë të çregjistrohen”, konsideron Shatri.

Vullneti i bizneseve në pjesën veriore të Kosovës për të përfunduar obligimet, varet edhe nga situata politike, thotë Behxhet Haliti. Varësisht, nga gjendja politike, thotë ai, bie apo rritet interesimi i tyre për të realizuar tatimet.

“Kemi, gradualisht, një ngritje të gatishmërisë së tatim-paguesve, por ka pasur momente që ai trend fillon të ngadalësohet, varësisht si tensionohej situata, sepse po ndikon shumë aspekti politik, kuptohet”.

“Pas shpalljes së pavarësisë, kanë pushuar ato biznese deklarimin dhe pagesën, sepse ka qenë edhe nën presionin e grupeve të caktuara joformale që kanë menaxhuar dhe dirigjuar atë pjesë (veriore)”,
shprehet Haliti.

Por, Haki Shatri dyshon se bizneset në atë pjesë janë të përgjegjshme ndaj institucioneve qeveritare.

“Në fakt, në atë pjesë, deri më tash ATK-ja nuk ka qenë prezent me asnjë veprim. Më vjen keq, nuk është faji i Administratës dhe as inspektorëve, por nuk ka pasur kushte. Krejt ajo çka ka ndodhur atje, ka qenë jashtë rendit tonë kushtetues, jashtë kontrollit të institucioneve tona tatimore”, thekson Shatri për Radion Evropa e Lirë.
XS
SM
MD
LG