Ndërlidhjet

logo-print

Sharon: Politikan i idealizuar dhe i demonizuar

  • RFE /RL

Ariel Sharon

Ariel Sharon

Ish-kryeministri izraelit, Ariel Sharon, ka vdekur të shtunën në moshën 85-vjeçare, pasi i kaloi tetë vjet në gjendje kome, në të cilën kishte rënë nga sulmi i fuqishëm në tru.

Sharon e ka përfunduar karrierën e tij politike si një nga liderët më të popullarizuar në Izrael, por njëherësh, si njëra nga figurat më të urryera në botën arabe, e veçanërisht në mesin e palestinezëve.

Pra, mund të thuhet se Ariel Sharon ishte një politikan i idealizuar dhe i demonizuar.

Për shumë izraelitë, gjenerali që u shndërrua në politikan dhe kryeministër, ishte njeri i luftës, i cili në vitet e mëvonshme u transformua në lider pragmatik, që besonte se mund ta arrijë paqen pa bërë kompromise për sigurinë e Izraelit.

Për ish-presidentin amerikan, Geroge W. Bush, ai ishte “njeri i paqes”, pikëpamje që presidenti i atëhershëm i Shteteve të Bashkuara, e pat shprehur në janar të vitit 2006, kur Sharoni ndodhej në spital i sëmurë nga sulmi masiv në tru.

“Ai është njeri i mirë, njeri i fortë, person i cili kujdeset thellësisht për sigurinë e popullit izraelit, dhe njeriu i cili kishte vizion për paqe”, ka thënë ish-presidenti, George W. Bush.

Por, për palestinezët, Ariel Sharon ishte “kasap”, i fajësuar për orkestrimin e masakrave në kampet e refugjatëve Sabra dhe Shatila në Liban, në vitin 1982. Ai ishte, po ashtu, “buldozer”, i cili i ka shkatërruar shtëpitë e tyre dhe e ka udhëhequr ndërtimin e murit të sigurisë rreth Bregut Perëndimor, i krijuar për t’i parandaluar sulmet palestineze.

Në vitin 2001 ai ishte zgjedhur kryeministër, pas fitores bindëse kundër Ehud Barakut.

Ja një sekuencë nga betimi i tij:

“Unë, Ariel Sharon, i biri i të ndjerëve Shamuel dhe Dvorah, betohem si kryeministër për të qenë i sinqertë dhe për t’i respektuar ligjet e shtetit të Izraelit”.

Ky ishte kulmi i karrierës së tij politike pothuajse 30-vjeçare, me ç’rast kishte pasur poste të ndryshme në qeveri, përfshirë edhe ato të ministrit të Jashtëm dhe të Mbrojtjes.

I lindur në Palestinën Britanike, në vitin 1928, në familjen bjelloruse hebraike, Ariel Sharon për 25 vjet kishte pasur karrierë ushtarake, në të cilën kishte kaluar nëpër grada të ndryshme dhe ishte bërë njëri nga gjeneralët më të njohur izraelitë. Ai ka shërbyer në të gjitha konfliktet izraelito-arabe, dhe është konsideruar si hero ushtarak i përkushtuar për t’i mbrojtur interesat e vendit të tij.

Analisti politik izraelit, Bernard Susser, duke folur menjëherë pasi ish-kryeministri Sharon, kishte rënë në komë në janar të vitit 2006, e kishte përshkruar atë atë si forcë motorike e çdo lëvizjeje politike dhe ushtarake në Izrael.

“Kjo filloi realisht në vitet e 50-ta dhe në fillim të atyre të 60-ta, gjatë periudhës së ish-kryeministrit izraelit, David Ben Gurion, i cili është i njohur për thënien e tij për Sharonin, se nuk ndalet në dritë të kuqe. Kjo është veçanërisht evidente në Luftën në Liban, ku ai, si ministër i mbrojtjes, kishte agjendë të ndryshme nga ajo që i pat thënë qeverisë dhe veçanërisht kryeministrit të atëhershëm, Menachim Begin. Ai këtë e kreu aktualisht në mënyrë brilante, por në fund edhe tragjike”, pati thënë Bernard Susser.

Invadimi i Libanit e ndali Organizatën për Çlirimin e Palestinës (e njohur me shkurtesën PLO), për ta shfrytëzuar Libanin për sulme kundër Izraelit.

Por, qindra palestinezë në kampet e refugjatëve në Sabra dhe Shatila ishin vrarë nga milicia e krishterë libaneze. Sharon ishte detyruar të paraqesë dorëheqje nga posti i ministrit të Mbrojtjes, në vitin 1983, pasi një gjykatë në Izrael, në mënyrë indirekte e bëri atë përgjegjës për vrasjet.

Për palestinezët, Ariel Sharon mbetet fajtor për masakrat.

Në vitin 2002, të mbijetuarit e masakrave e filluan një proces juridik kundër Sharonit në Belgjikë. Rasti më vonë ishte refuzuar, pasi Gjykata Ndërkombëtare për Drejtësi vendosi se liderët e dikurshëm dhe aktualë qeveritarë nuk mund të gjykohen për krime të luftës nga një vend i jashtëm.

Sharon, po ashtu, mbahet mend për vizitën e tij në Tempullin Mount në Jerusalem, në shtator të vitit 2000, që ishte një vend religjioz i kontestuar, pasi pretendohej si nga hebrenjtë, ashtu edhe nga myslimanët. Vizita e tij, atëherë kur ishte lider opozitar në Izrael, nga shumë palestinezë është konsideruar si provokim, që ka nxitur kryengritjen e dytë palestineze, ose siç thuhej, intifadën e dytë.

Por, në vitet e tij të fundit në post, ndodhi një lëvizje dramatike, që me gjasë konsiderohej si një nga trashëgimitë kryesore politike të Sharonit.

Një kohë të gjatë ai ishte kampion i lëvizjes për vendbanime. Por, ishte vetë Sharoni, që në vitin 2005, vendosi të tërhiqet nga vendbanimet në Rripin e Gazës dhe pjesë të Bregut Perëndimor, duke e përfunduar praninë ushtarake izraelite, që kishte zgjatur për dekada.

Ky ndryshim madhor ishte në thelb të revoltës në partinë e tij Likud, të cilën ai e braktisi po atë vit, duke e themeluar një parti të re të qendrës, Kadima.

Analisti Susser pati thënë se nuk është e qartë se çka e shkaktoi këtë ndryshim të madh në pikëpamjen botërore të Sharonit.

“Ne ndoshta nuk do ta dimë kurrë. Mund të spekuloj se Sharoni, si njeri në moshën 75- vjeçare, ka dëshiruar ta lërë një shenjë historike në vend dhe në Lindjen e Mesme. Ai e dinte se i kishte mbetur pak kohë, dhe dëshironte që trashëgimia e tij t’i përcaktonte kufijtë final të Izraelit dhe, madje, duke e krijuar formën e ndryshme të qeverisë, që shkonte më tepër kah sistemi presidencial, e më pak nga ai parlamentar”, pati thënë Susser.

Vetëm disa javë, pasi Sharon pësoi sulm shkatërrues në tru, grupi palestinez Hamas i fitoi zgjedhjet në Gaza. Një vit më vonë, Hamasi e mori kontrollin e plotë në këtë territor, duke i shkaktuar disfatë bindëse grupit Fatah të liderit palestinez, Mahmud Abbas. Në fund të vitit 2008, Izraeli e ndërmori një operacion në Gaza, për të cilin thuhej se ishte përgjigje nga sulmet me raketa nga ky territor.

Këto zhvillime kanë ndikuar që shumë izraelitë e shtronin pyetjen nëse tërheqja e Sharonit nga Gaza ishte gabim.

Njëherë, gjatë një interviste, Sharoni pati thënë “e kam një gjë që do të dëshiroja të bëjë – të përpiqem për arritjen e paqes”.

Prej se ai pati rënë në gjendje kome, kanë ndodhur shumë ndryshime në Lindjen e Mesme, prej kryengritjeve në Pranverën Arabe, e deri te lufta civile e përgjakshme në Siri.

Por, pavarësisht shtytjes së freskët të Shteteve të Bashkuara, këtë vit për zgjidhjen e konfliktit izraelito-palestinez, kjo paqe duket e paarritshme sikur më parë. (f. bujupi)
XS
SM
MD
LG